Dragusha, i gatshëm për Kalmarin

Alban Dragusha më në fund i është rikthyer fushës së gjelbër, pas një operimi që pati në hernia. Mbrojtësi kosovar, pas pauzës dy muajsh, ka zhvilluar një ndeshje me ekipin e dytë të Kalmarit kundër Landskrona (9:0).
Ish futbollisti i 2 Korrikut, i Trepçës e i disa skuadrave tjera në këtë takim ka luajtur 45 minuta. Ai ndihet shumë i lumtur që më në fund i është rikthyer fushës. “Unë shpresoj që të luaj në Allsvenskan sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë reprezentuesi i Kosovës për ueb faqen barometern.se.
Trajneri i ekipit të parë të Kalmarit, Nanne Bergstrand, është i gëzuar për këtë lajm, derisa thotë se Dragushës i nevojitet të paktën edhe një muaj për t’u ftuar në ekipin e parë të Kalmarit.
Dragusha gjatë dimrit nga klubi shqiptar Skënderbeu ishte transferuar në Kalmar, por ende nuk ka arritur të debutojë në elitën e futbollst suedez shkaku i lëndimit. Përveç Dragushës, në Kalmar luajnë edhe tre kosovarë; Etrit Berisha, Liridon Leci dhe Besnik Rustemaj.