E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova para Malit të Zi

Derisa shumë futbollistë kosovarë ëndërrojnë të transferohen jashtë vendit, Fitim Kasapi synon të kundërtën. Pejani preferon Superligën para Malit të Zi, ku ka oferta serioze nga tri skuadra. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 03 korrik 2011 në ora 14:00

Fitim Kasapi në edicionin e ri dëshiron që sërish të aktivizohet në Superligën e Kosovës.

Futbollisti pejan gjatë stinorit pranveror u aktivizua në elitën e futbollit malazez me ekipin Mornar, ku ishte transferuar gjatë dimrit të kaluar nga Besa e Pejës.

Mirëpo, kontrata me ekipin nga Tivari i ka skaduar sulmuesit, në adresë të të cilit tani kanë ardhur oferta të reja dhe serioze nga klube tjera të shtetit fqinj.

Por, Kasapi dëshiron që në stinorin e ri të aktivizohet përsëri në elitën e futbollit kosovar. Ai është në pritje të një oferte nga Besa.

“I kam dy-tri oferta nga klubet e Malit të Zi. Por, realisht për kushte pak më të mira nuk do të largohesha nga Peja. Më me dëshirë do të vazhdoja të luaja me Besën, sepse jam nga Peja dhe kam kaluar mirë te Besa në të kaluarën. Jam në pritje, sepse Besa e ka pasur një kuvend zgjedhor fillimisht e sigurisht se do të bisedoj me kryesinë e klubit”, deklaroi Kasapi për Express.

Ish futbollisti i Vllaznisë nga Shkodra tha se nëse nuk arrin marrëveshje me Besën, atëherë do ta shqyrtojë mundësinë për të luajtur për ndonjë klub kosovar, derisa skuadrat malazeze mbesin në plan të dytë tek ai.

“Me dy klube malazeze thuajse veç kam arritur marrëveshje, por po e shqyrtoj mundësinë për të qëndruar në Kosovë. Do të pres deri në javën që po vjen. Këtu asgjë nuk po lëviz dhe nëse situata mbetet e njëjtë do të detyrohem ta pranoj ofertën më të mirë prej atyre që kam marr nga skuadrat malazeze”, u shpreh ai, pa dashur t’i publikoj emrat e atyre skuadrave të vendit fqinj, të cilat i kanë bërë oferta zyrtare.

Kasapi gjatë stinorit vjeshtor kishte paraqitje të shkëlqyeshme me Besën dhe ishte njëri prej futbollistëve më të dalluar në Superligë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›