E Shtunë, 31 Tetor 2026

Munishi i gjen klub Giulys

Ismet Munishi po mundohet t’i gjejë punë Ludovic Giulys. Ish futbollisti i njohur kosovar, që tani kryen punën e menaxherit, është duke ndërmjetësuar transferimin e francezit në klubin rus Terek Grozniy. 36 vjeçari është duke punuar edhe rreth transferimit të Kerlon Moura Souza në Premierligën e Rusisë. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 03 korrik 2011 në ora 14:15

E pabesueshme, por e vërtetë. Ish futbollisti i njohur kosovar Ismet Munishi, që tani kryen punën e menaxherit, është duke u munduar që t’i gjejë klub futbollistit të njohur francez Ludovic Giuly.

Munishi është duke ndërmjetësuar transferimin e ish futbollistit të Barcelonës, Romës, Lyonit dhe së fundit PSG’së në Premierligën e Rusisë.

Në fakt, Terek Grozniy është klubi i cili ka zgjuar interesim të madh për t’i siguruar shërbimet e mesfushorit ofensiv, i cili në vitin 2006 ka fituar Ligën e Kampionëve me Barcelonën.

Madje, Munishi tregoi se zyrtarisht është autorizuar nga menaxheri i futbollistit, Alain Migliaccio, dhe nga vetë Giuly që të punojë rreth transferimit të tij të mundshëm në Terek Grozniy.

“Kam marr zyrtarisht autorizimin që të punoj rreth transferimit të yllit francez Ludovic Giuly në klubin rus. Madje, ka gjasa të mëdha që ky transferim të realizohet. Francezit i ka skaduar kontrata me PSG-në, kurse klubi rus ka përgatit një ofertë serioze, e cila mund ta joshë futbollistin të luajë në Premierligën ruse”, ka deklaruar Munishi për Express.

Ai pohoi se kontaktet me Ludovic Giuly i kishte vënë pasi ishte ndihmuar nga menaxheri shqiptar, i njohur në Francë, Ylli Kullashi.

Ndërkohë, ish futbollisti i njohur kosovar thotë se shpejt pritet ta nisë një bashkëpunim të njëjtë edhe me futbollistin brazilian Kerlon Moura Souza, i cili në të kaluarën ka luajtur për Ajaxin, Interin e Chievon.

Munishi pohoi se është duke punuar që edhe këtë futbollist ta transferojë në Premierligën ruse, por pa dashur ta përmend emrin e klubit që ka zgjuar interesim për mesfushorin ofensiv.

“Tani jam duke e pritur autorizimin edhe nga ky futbollist. Besoj se brenda dy ditëve do të kryhet kjo punë dhe pastaj do ta nisi procesin rreth transferimit të tij”, u shpreh ai.

Si menaxher i futbollistëve, Munishi kryesisht bashkëpunon me klube ruse dhe të shteteve tjera të afërta. “Rusia do të jetë organizator i ‘Botërorit 2018’. Andaj, ai vend po punon rreth zhvillimit të futbollit. Atje po investohet shumë në futboll, më shumë sesa në shumë vende tjera evropiane”, thotë Munishi.

Ai thekson se nuk do të ndalet me kaq në zejen e menaxherit të futbollistëve. “Kam kryer edhe shumë transfere tjera. Por, ky është veç fillimi. Dua ta krijoj një imazh të mirë. Dua të bëhem menaxher i respektuar në mënyrë që të ma shohin hairin edhe futbollistët kosovarë, përkatësisht shqiptarët në përgjithësi”, vazhdoi ai.

Munishi pret që në muajin shtator nëpërmjet Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) të licencohet nga FIFA për ta ushtruar këtë profesion, me të cilin faktikisht ai ka nis të merret më moti.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›