Dridhet Turqia

Policia turke ka arrestuar më tepër se 40 persona të dielën, duke përfshirë presidentin e klubit kampion Fenerbahce, Aziz Yildirim, për dyshime rreth kurdisjes së ndeshjeve. Policia bëri bastisje të njëpasnjëshme në shtëpitë dhe zyrat e klubeve nga së paku 12 qyteteve duke përfshirë Stambollin, Izmirin, Ankaranë, Sivasin dhe Bolun, duke mbajtur në arrest më tepër se 40 persona si pjesë e hetimeve për dyshime rreth kurdisjeve në Kampionatin turk, sezonin e kaluar, ka njoftuar agjencia shtetërore e lajmeve, Anatolia. Sezoni përfundoi në maj, kur Fenerbahce fitoi titullin e kampionit.
Policia është duke hetuar kurdisjen e mundshme të ndeshjes në xhiron e fundit mes Fenerbahces dhe Sivassporit, që përfundoi 4-3 në favor të skuadrës nga Stambolli, rezultat me të cilin ata fituan ligën, si dhe takimet përballë Eskisehirsporit, ka raportuar agjencia e lajmeve Dogan. Të arrestuarit përfshijnë presidentin e Fenerbahces, Aziz Yildirim, zyrtarë të tjerë të Fenerbahces dhe futbollistë e drejtues të klubeve të tjera nga Kampionati turk.
Xhirimet televizive treguan Yildirimin duke hyrë në një veturë të policisë. Anatolia njoftoi se nënkryetari i Fenerbahces, Sekip Mosturoglu, drejtori teknik i Eskisehirsporit, Umit Karan dhe nënkryetari i Trabzonsporit, Nevzat Sakari janë në mesin e të arrestuarve. Disa futbollistë po ashtu janë arrestuar në Ankara, duke përfshirë sulmuesin e Gençlerbirligit, Serkan Calik dhe portierin e Ankaragucut, Serdar Kulbilge, të dy reprezentues të Turqisë.
Reprezentuesi nigerian, Emmanuel Amenike, i cili së fundmi u transferua në Fenerbahce nga Karabukspori, me një marrëveshje me vlerë prej 9 milionë dollarësh si dhe portieri i skuadrës Sivasspor, Çelikay po ashtu janë marrë në mbajtje, sipas agjencisë së lajmeve, Dogan. Trajneri i Sivassporit, Riza Çalimbay komentoi arrestimin e Çelikayt duke thënë se shpreson se futbollisti i tij vetëm është ftuar për të dhënë një deklaratë në polici. Yunkel Gunay, zyrtar i Fenerbahces, reagoi ashpër për arrestimin e Yildirimit, biznesmen i angazhuar në ndërtimtari, i cili është president i klubit nga viti 1998.
“Kjo është e keqe. Çfarë kurdisje janë duke kërkuar?” tha Gunay për Anatolia dhe Gunay. Disa prej zyrave të klubeve të tjera, Trabzonspor, Besiktas, Sivasspor dhe Federatës së Futbollit të Turqisë (TFF) janë bastisur po ashtu si pjesë e hetimeve. Agjencia private e lajmeve, Cihan ka bërë të ditur se tre ish-administratorë të TFF-së janë në mesin e të arrestuarve. Cihan shtoi se policia është në kërkim të Ihsan Eksioglus, anëtar i Komitetit ekzekutiv sportiv të Fenerbahces. Cihan theksoi se numri i të arrestuarve mund të tejkalojë 100-ëshin.
Në prill, Turqia miratoi një legjislacion të ashpër në luftë kundër huliganizmit dhe mashtrimeve në futboll, duke përfshirë dënimin maksimal prej 12 vjet burgim për kurdisje të ndeshjeve.