E Diel, 1 Nëntor 2026

Abstenimi në Kuvend, Tavo: Duhej konsultim, mbrojmë shtresat në nevojë

Vangjel Tavo

Nënkryetari i Kuvendi, deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo, tha dje se abstenimi i tij për ligjin e invalidëve në Kuvend nuk është votë kundër maxhorancës. I pyetur se përse deputetët e LSI-së nuk votuam njëlloj si deputetët e maxhorancës që votuan pro këtij ligji, Tavo tha se kjo ka të bëjë me filozofinë dhe programin e LSI-së në mbrojtje të shtresave në nevojë. Absolutisht nuk është votë kundër maxhorancës. Programi i LSI-së ka në themel mbrojtjen e shtresave në nevojë, moshën e tretë, invalidët etj., dhe qëndrimi ynë ishte brenda kësaj filozofie. Një projektligj që cenon standardin dhe trajtimin e këtyre shtresave smund të konceptohet si rrezikim i maxhorancës apo votë kundër saj, u shpreh deputeti i LSI-së. Për Tavon, do të kishte qenë më e përshtatshme që para miratimit të këtij ligji të kishte pasur konsultime paraprake. Lëvizja Socialiste për Integrim ka mbrojtur dhe mbron shtresat në nevojë. Kur bëhet fjalë për të ndryshuar diçka në ligjin që u përket këtyre shtresave, kërkohen më parë konsultime paraprake me grupet e interesit, ku të përballen mendimet dhe të gjendet zgjidhja më e pranueshme për ta. Vota jonë abstenuese lidhet pikërisht me qëndrimin tonë të shprehur në programin e LSI-së për këto shtresa, u shpreh Tavo për Panorama. Sipas tij, nëse ka abuzime në trajtimin e tyre, kjo në asnjë mënyrë nuk ka ardhur nga përfaqësues të kategorisë së invalidëve, por nga nëpunësit e shtetit që kanë abuzuar. Abuzime mund të ketë me numrin e të trajtuarve si invalidë, por jam i sigurt se burimi i akuzimit nuk janë vetë këta, por nëpunësit shtetërorë. Për këtë shkak smund të penalizohen invalidët, u shpreh Tavo. Lëvizja Socialiste për Integrim ka përfshirë në programin e saj të zgjedhjeve të 2009-s zgjidhjen e disa problematikave që kanë kategori të ndryshme sociale në Shqipëri. Statusi i minatorit dhe ligji Për moshën e tretë mbeten dy nisma të LSI-së, që ishin baza e programit të saj social. Përmes statusit të minatorit, ish-punonjësit e minierave dhe ata aktualë do të marrin trajtimin e mohuar prej kohësh. Ligji për moshën e tretë, të premtuar nga LSI që në 2009-n, pritet tu vijë në ndihmë 350 mijë pensionistëve në të gjithë vendin, që nga shërbimi shëndetësor falas, rimbursimi i ilaçeve, transporti falas vetëm me dokumentin e pensionistit etj.

votat
Grupi Parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka votuar dje kundër maxhorancës, duke ulur deri në 66 numrin e votave në Parlament. Projektligjet për statusin e të verbrit, ai për paraplegjikët dhe tetraplegjikët, i kanë ndarë deputetët e PD-së me ata të LSI-së, të cilët në grup kanë abstenuar, duke bërë që kjo nismë të miratohet me një shumicë të thjeshtë votash. Për herë të parë ministri i Ekonomisë, Nasip Naço, nuk ka votuar një nismë të qeverisë dhe qëndrimit të tij iu bashkuan edhe kryetari i Grupit të LSI-së, Lefter Koka dhe nënkryetari i Kuvendit, Vangjel Tavo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›