E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amnistia, Rushaj: Më 1 prill nis mbledhja me forcë e detyrimit

Alfred Rushaj

Kapitali i legalizuar nga pasuritë e paluajtshme, 158 miliardë lekë.

Qytetarët rivlerësuan 34 mijë pasuri të paluajtshme.

Kur kanë mbetur edhe dy javë nga përfundimi i amnistisë fiskale, Ministria e Financave ka bërë bilancin paraprak dhe thirrjen e fundit për të përfituar. Zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj, gjatë një konference ditën e djeshme, dha shifrat për ecurinë e amnistisë fiskale nga fillimi i saj në maj të 2011-s e deri tani. Nga fillimi i procesit deri në 10-ditshin e parë të muajit mars rezulton që individët të kenë 30 milionë dollarë dhe është paguar shuma 95 milionë lekë si tatim për këtë lloj legalizimi. Bizneset kanë legalizuar 995 milionë lekë asete nga pasuria e tyre e paluajtshme dhe kanë paguar tatim në masën 29 milionë lekë, tha Rushaj. Nga ana tjetër, biznesi ka legalizuar makineri dhe pajisje në shumën 688 milionë lekë, duke paguar 20 milionë lekë tatim për rivlerësimin.
Pasuritë e paluajtshme
Ajo që më shumë ka tejkaluar parashikimet e Financave në këtë proces, ka qenë interesi i qytetarëve për të rivlerësuar pasuritë e paluajtshme. Janë plot 34 mijë pasuri të tilla të rivlerësuara dhe legalizuara nga qytetarët. Janë rreth 34 mijë individë që kanë bërë rivlerësim të pasurisë së tyre të paluajtshme. Shuma e legalizuar e kapitalit është 158 miliardë lekë dhe ata kanë paguar 1.5 miliardë lekë si tatim, ndërkohë që u janë falur nga ky proces rreth 14.2 miliardë lekë. Vetëm për janar-shkurt janë rreth 10 mijë individë që kanë bërë rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme, tha Rushaj. Në total, nga gjithë procesi i amnistisë janë falur, përmes mundësisë së rivlerësimit, rreth 420 milionë dollarë që individët dhe bizneset i kanë në duart e tyre si kapital, kurse tatimi i paguar është 20 milionë dollarë. Me të përfunduar amnistia fiskale, administrata fiskale, si ajo tatimore dhe doganore, do të mbledhin me forcë detyrimet që biznesi i ka të palikuiduara. Zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj, tha se ndërkohë janë edhe dy javë nga të cilat biznesi dhe individët mund të përfitojnë, pasi amnistia nuk do të shtyhet përtej afatit.

Biznesi
Biznesi ka përfituar edhe nga falja e një pjese të detyrimit tatimor dhe doganor. Sipas të dhënave të Financave rezulton që, nga fillimi i amnistisë e deri në fund të vitit, nga organet tatimore janë shqyrtuar rreth 108 mijë raste dhe janë falur 30.7 miliardë lekë detyrim tatimor. Për dy muajt e parë të këtij viti janë shqyrtuar rreth 40 mijë raste dhe janë falur rreth 4.5 miliardë lekë. Nga ana tjetër, administrata doganore ka shqyrtuar 2460 raste dhe janë falur rreth 12.5 miliardë lekë.

Amnistia fiskale
Maj 2011-mars 2012

Janë legalizuar nga individët 3.1 miliardë lekë
Janë marrë tatim 95 milionë lekë.

Asetet e paluajtshme të rivlerësuara të bizneseve
995  milionë lekë
Janë paguar rreth 29 milionë lekë

Makineritë dhe pajisjet të rivlerësuara të bizneseve
688  milionë lekë
Janë paguar rreth 20 milionë lekë

Rivlerësim pasurie mbi 33,502  individë
Shuma totale e pasurisë se rivlerësuar është
158 miliardë lekë
Individët kanë paguar vetëm 1,5 miliard lekë
Janë falur 14.2 miliardë lekë

Janarmars 2012

Janë legalizuar nga individët 481 milionë lekë
Është paguar shuma prej 14 milionë lekësh

Asetet e paluajtshme të rivlerësuara të bizneseve
361  milionë lekë
Janë paguar rreth 9 milionë lekë

Kanë bërë rivlerësim pasurie mbi 9 mijë  individë
Shuma totale e pasurisë se rivlerësuar 46 miliardë lekë
Janë paguar 461 milionë lekë

NERTILA MAHO

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›