Oketa: Do votoj pro qytetarëve

Kadilli, Oketa e Hida në Parlament
Ish-deputeti i PD-së sqaron votën e tij kundër dy projektligjeve në Parlament.
Takova krerët e shoqatave, vendosa ti mbështes me votë
Ish-deputeti i PD, Gazmend Oketa, ka komentuar dje votën kundër projektligjeve të maxhorancës, që sipas tij synonin kufizimin e statusit të të verbrit para dhe tetraplegjikëve padrejtësisht. Vota kundër e Oketës dhe vota abstenim i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim ka bërë që këto dy projektligje të miratohen me një shumicë të thjeshtë prej 66 votash pro. Në një reagim në faqen e tij të Facebook, deputeti Oketa theksoi se vota e tij në Parlament ishte pro interesave të qytetarëve dhe si e tillë do të jetë në vijim. Ish-deputeti demokrat ka komentuar në rrjetin e tij social dhe titujt e gazetave të cilat i kishin kushtuar një rëndësi të veçantë këtij votimi, që për shumicën në Parlament i tkurri numrat. Dje, në Kuvendin e Shqipërisë janë votuar dy projektligje të cilat kanë të bëjnë me statusin e të verbërve dhe personave paraplegjikë e tetraplegjikë. Shtypi i sotëm ka komentuar votën time të djeshme lidhur me këto dy projektligje. Nga këndvështrimi mediatik, titulli: Oketa, voton kundër ndoshta bën me tepër lajm. Por, në fakt, nuk është kështu. Unë kam votuar pro. Kam votuar pro mbrojtjes së interesave të atyre personave të cilët kanë nevojë për mbështetje, ndoshta më shumë se cilido tjetër, theksoi deputeti Oketa. Kufizimi i statusit të invalidëve, sipas deputetit të pavarur, nuk ishte zgjidhja e duhur që mund ti jepte ekzekutivi problemit të të verbërve, para dhe tetraplegjikëve. Gjatë javës së shkuar jam takuar me drejtuesit e shoqatave që ata kanë, i kam dëgjuar dhe më pas kam vendosur ti mbështes me votë. Mendoj se ka ardhur koha ti shohim gjërat nga ana pozitive. Pra, unë kam votuar pro interesave të qytetarëve, të cilët duhet të jenë të parët. Dhe vota ime do jetë gjithmonë pro këtyre interesave. Ju ftoj ta shohim gotën jo gjysmë- bosh, por gjysmëplot, theksoi deputeti i larguar nga Grupi i PD-së.
Bashkëpunimi me opozitën
Ish-zëvendëskryeministri Gazmend Oketa theksoi për Panorama se në asnjë rast nuk do ta bashkojë votën me opozitën për të rrëzuar qeverinë aktuale, por vota do të jetë kundër nëse cenohen interesat e qytetarëve. Unë e kam deklaruar që vota ime nuk do të bashkohet asnjëherë me opozitën për të rrëzuar qeverinë. Ndërsa për ligje të caktuara dhe për çështje të caktuara unë do të mbaj qëndrim individual. Unë kam deklaruar se do të votoj në interes të qytetarëve dhe personalisht e gjej të pavend që të hiqet një status, të cilin qytetarët, të verbrit dhe paraplegjikët e gëzojnë prej vitesh. Vota ime nuk është një akt me karakter të theksuar politik. Sa herë ta gjykoj që është një çështje që cenon interesat e qytetarëve ose që unë e mendoj ndryshe, do të shprehem me votë kundër maxhorancës, deklaroi deputeti Oketa.
Votimi
Në punimet e seancës të ditës së enjte, ish-deputeti i PD-së, Gazmend Oketa, ka dhënë votën pro tri projektligjeve të maxhorancës, pjesë e së cilës ka qenë prej vitesh. Oketa votoi pro ligjit Për të drejtën e privatizimit të truallit shtetëror në përdorim dhe për taksën mbi të drejtën e përdorimit të tij, i cili kaloi me 70 vota pro. Gjithashtu, deputeti i pavarur aprovoi me kartonin e tij jeshil kalimin e ligjit për informacionin e klasifikuar Sekret shtetëror dhe kalimin nga Këshilli i Ministrave në varësi të Kryeministrit.
Gjykata Administrative, të hënën në Kuvend
Pas konsultave me grupet e interesit dhe juristët, projektligji për Gjykatën Administrative do të fillojë shqyrtimin ditën e hënë në Komisionin e Ligjeve. Në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Ligjeve pritet të diskutohet relacioni i deputetit të Partisë Socialiste, Armando Subashi dhe propozimet e komunitetit të biznesit. Në tryezën e organizuar disa ditë më parë nga opozita, përfaqësuesit e biznesit kërkuan shtimin e numrit të gjykatave administrative në të gjithë vendin dhe realizimin e gjykimeve me shpejtësi e cilësi. Një kërkesë e rëndësishme është dhe propozimi i komunitetit të biznesit dhe juristëve për krijimin e Kolegjit Administrativ pranë Gjykatës së Lartë. Kjo hallkë e Gjyqësorit do të jetë organi më i lartë, në të cilin do të mund të ankimohen vendimet e Gjykatës Administrative nëse palët nuk janë dakord me vendimmarrjen.
Ambasadori italian: Për President uroj të zgjidhni figurën më të mirë
Ambasadori i Italisë në Tiranë Massimo Gaiani
Ambasadori i Italisë në vendin tonë, Massimo Gaiani, ka deklaruar dje se për postin e kreut të ri të shtetit duhet të zgjidhet figura më e mirë. Në një prononcim për mediat, ai tha se ligji themeltar i shtetit e përcakton qartë mënyrën se si zgjidhet Presidenti. Bëhet fjalë për një çështje ekstremisht komplekse. Figura e Presidentit të Republikës është një figurë e rëndësishme. Është një figurë që siguron përfaqësimin e vendit dhe ka funksione shumë delikate. Kushtetuta jep rregulla të qarta për zgjedhjen e Presidentit. Uroj të zgjidhni figurën më të mirë për këtë funksion të lartë, u shpreh diplomati italian. Lidhur me votimin në Parlament të ligjit për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë, Gaiani u shpreh se e rëndësishme është që reformat të ecin në sensin e respektit të shtetit të së drejtës. Imuniteti parlamentar shkon në këtë sens dhe në fakt kanë nisur diskutimet.
FATION BINJAKU
