E Shtunë, 31 Tetor 2026

Absurditeti, 62 mijë lekë nga buxheti i shtetit në shtet

14/09/2009  Ekspertët kërkojnë ndryshimin e ligjit. S’duhet të paguhen ekspertët shtetërorë

Një shumë e madhe financiare shkëputet nga buxheti i Prokurorisë së Përgjithshme, pasi një ligj absurd e detyron këtë të fundit të paguajë të gjitha ekspertizat që kryhen për çështjet e ndryshme nga Laboratori Kriminalistik i Ministrisë së Brendshme, Instituti i Mjekësisë-Ligjore, përkthyesit e Ministrisë së Drejtësisë si dhe nga ekspertët kundër zjarrit. Mësohet se totali i këtyre faturave të palikuiduara kap shifrën prej 62.000 mijë lekë të rinj, gjë e cila tregon nevojën dhe domosdoshmërinë për ndryshimin e këtij ligji, pasi sipas ekspertëve ekspertizat kryhen nga punonjës shtetërorë dhe për qëllime shtetërore dhe aspak private. Prokuroria e Përgjithshme paguan nga buxheti i saj për kryerjen e çdo ekspertize 25 mijë lek të reja. Mësohet se këto para shkojnë padrejtësisht në buxhetin e Institutit të Mjekësisë-Ligjore dhe në MNZ-në e repartit të zjarrfikësve. Veprimi absurd të lë të kuptosh se shumat financuara merren nga një xhep dhe hidhen po tek i njëjti xhep, që në këtë rast është buxheti i shtetit. Sipas ekspertëve, organi i akuzës për zbardhjen e çështjeve kryen me mijëra ekspertiza në një vit, të cilat rëndojnë ndjeshëm financat e Prokurorisë. Drejtuesit e financave të Prokurorisë së Përgjithshme shkojnë edhe më tej, duke thënë se në rast mospagimi të shumës prej 25 mijë lekësh të reja mjekësia-ligjore dhe shërbimi i MNZ-së, nuk kryen asnjë ekspertizë të kërkuar nga akuza. Ky veprim sjell zvarritjen e hetimit të çështjeve dhe moszbardhjen e dosjes në kohë nga ana e prokurorit. Ndërkohë që për zgjidhjen e kësaj situate shpesh herë drejtuesit e Prokurorisë së Përgjithshme i kanë kërkuar Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Brendshme, ndryshimin e akteve nënligjore, në mënyrë që këto shërbime të kryhen falas. Deri tani këto institucione nuk kanë rënë dakord për ndryshimet e kërkuara nga Prokuroria, mirëpo specialistët e kësaj të fundit do të ripërsëritin sërish kërkesën e tyre për ndryshimin e ligjit absurd.

Investimet buxhetore 170 000 mijë lekë

1. Ndërtimi i ri godine 110.000 mijë lekë të reja

2. Rikonstruksionet e godinave 11.235 mijë lekë të reja

3. Rikonstruksioni i rrjetit informatikë 2.000 mijë lekë të reja

4. Blerje pajisje kompjuterike 5.620 mijë lekë të reja

5. Sistem ngrohje+gjenerator 3.400 mijë lekë të reja

6. Pajisje + kamera 3.000 mijë lekë të reja

7. Pajisje për sektorin e përgjimeve 30.000 mijë lekë të reja

Rritet numri i prokuroreve

Ngritja e 6 njësive hetimore kundër krimit ekonomik

Ngritja e 6 njësive të përbashkëta hetimore Task-Forcë pritet të sjellin rezultate pozitive, për sa i përket krimeve që kanë si natyrë korrupsionin, falsifikimin e dokumenteve e të tjera. Aktualisht qytetet ku është shtrirë kjo strukturë janë Korça, Fieri, Gjirokastra, Vlora, Durrësi dhe Shkodra. Janë zgjedhur pikërisht këto rrethe, pasi është vënë re, se në to ka një numër të madh kallëzimesh të depozituara, të cilat kanë si natyrë krimin ekonomik, falsifikimin e dokumenteve, shpërdorimin e detyrës e të tjera. Aktualisht këto njësi të sapongritura janë vënë në shërbim të qytetarëve, ku tashmë ato po funksionojnë vetëm me drejtuesit e tyre. Pritet që në ditët në vazhdim, në zyrat antikorrupsion të shtohen edhe 11 prokurorë si dhe 6 oficerë të Policisë Gjyqësore, numër ky që do të sillte hetimin e plotë të çështjeve që janë regjistruar në këto zyra. Objektivat themelorë të njësisë janë të nxitë dhe të menaxhojë grumbullimin e informacionit për fakte kriminale në kompetencën e saj, do ta përpunojë atë në bazë kriteresh ligjore dhe, mbi këtë bazë do të ndërmarrë nisma për regjistrimin me iniciativë të procedimeve dhe hetimin e tyre, të koordinojë veprimtarinë hetimore ndërinstitucionale për t’iu hapur rrugë hetimeve të suksesshme dhe ndëshkimit shembullor të praktikave korruptive. Tjetër synim është goditja e formave të ndryshme të Krimit Ekonomik e Financiar, duke synuar hetimin në mjediset tipike që vihen në shënjestrën e korrupsionit, siç janë shpenzimet e administratës publike për mallra e shërbime të ofruara nga privatët, sfera e shërbimeve që ofron vetë administrata (lejet, licencat, koncesionet, etj.) dhe paligjshmëritë penale në fushën e veprimtarisë tregtare private.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›