E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kufiri minimal i pikëve do të pësojë tjetër spostim

14/09/2009  Pranimet në universitete për 2009-2010-n

Kuotat e mundshme për zbritjen e listës së fituesve, afatet e pranimit për shtesat e reja

Një tjetër shans do t’u jepet maturantëve që nuk janë shpallur fitues në fazën e parë të pranimeve në universitetet për vitin akademik 2009-2010. Pavarësisht kufirit minimal të pikëve të publikuara nga Ministria e Arsimit, për fituesit e fundit në të 215 programet e studimeve të larta ky prag do të pësojë zbritje të mëtejshme me mbylljen e fazës së parë të regjistrimeve. Specialistët e Ministrisë së Arsimit theksojnë se lista e parë e fituesve do të zgjerohet sërish pasi të evidentohen vendet e mbetura bosh nga regjistrimi paraprak, që do të përfundojë në fund të javës së ardhshme. Bazuar në praktikat e ndjekura gjatë vitit të kaluar, ku me mbylljen e regjistrimeve paraprake rezultuan një numër i lartë vendesh të mbetura bosh, këto të fundit, për arsye të ndryshme, që kanë të bëjnë me largimin e një pjese të konsiderueshme të maturantëve (që bëjnë pjesë në listën e fituesve) drejt universiteteve të huaja apo dhe për shkaqe të tjera, do të zëvendësohen nga kandidatët që ndodhen në pritje poshtë vizës së hequr për fituesit. Aktualisht pranë sekretarive të fakulteteve po vijon procedura e regjistrimit të fituesve të parë. Dosja e regjistrimit duhet të përmbajë dëftesë pjekurie origjinale, dokument identifikimi dhe fotokopje të tij. Në dosje mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit, 2 fotografi si dhe mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit (numri i llogarisë ku do të derdhet tarifa duhet të kërkohet në fakultetin përkatës).

Spostimi

Me mbylljen e fazës së parë të regjistrimeve do të evidentohet edhe numri i saktë i kuotave të parealizuara, të cilat do të plotësohen në fazën e dytë të pranimeve. Gjatë vitit të shkuar regjistrimet paraprake rezultuan të kishin rreth 3 mijë vende të mbetura bosh për shkak të largimit të maturantëve për studime jashtë vendit, ndërkohë që rezultonin fitues në listat e universiteteve në vend, çka pritet të ndodhë edhe këtë vit, pasi fluksi i kërkesave për të studiuar jashtë ka qenë shumë i lartë. Këto vende do të plotësohen me lëvizjet e preferencave nga më e ulëta te më e larta për kandidatët që e arrijnë këtë fazë. Lëvizje e cila gjithashtu do të shoqërohet me zbritje të listës së fituesve, duke përfshirë në të emra të tjerë, të cilët ndodhen më afër pragut minimal të pikëve të pranuara. Këto rregullime sërish do të bëhen nga programi kompjuterik, i cili do të rendisë fillimisht kandidatët që do të ngjiten në preferenca më të larta dhe më pas do të spostojë listën me emrat që futen për herë të parë te fituesit gjatë fazës së dytë të pranimeve. Edhe për këtë kategori do të lihet në dispozicion një afat kohor i caktuar prej një javë për kryerjen e regjistrimeve, procedurë e cila për shkak të lëvizjeve të preferencave për shumë kandidatë do të kryhet për së dyti, pasi këta të fundit do të duhet të bëjnë çregjistrimin në degën e shpallur fitues në fazën e parë, për të dërguar më pas dokumentet e pranimit në degën ku do të regjistrohen përfundimisht.

Pranimet

Plotësimi i kuotave të miratuara nga qeveria për pranimet e këtij viti do të shoqërohet edhe më një fazë të tretë pranimi, në rast se do të ketë ende shumë kuota të parealizuara në dy fazat e para. Megjithatë, mbulimi i këtyre vendeve do të ndjekë një tjetër procedurë, e cila nuk do të shoqërohet me zbritje të listës së fituesve, por me rishpërndarje kuotash, veçanërisht për fakultetet e universiteteve në rrethe, të cilat historikisht raportojnë kuota të shumta të parealizuara. Rishpërndarja e kuotave do të bëhet nëpërmjet hedhjes në qarkullim të një formulari tjetër preferencash, A-3, i cili do të plotësohet vetëm nga ata kandidatë që nuk rezultojnë fitues në asnjë program studimi universitar.

Penalizimet

Kandidatët e shpallur fitues në fazën e parë të pranimeve duhet të tregohen të kujdesshëm për t’u regjistruar brenda afatit të përcaktuar nga udhëzimi i Ministrisë së Arsimit. Në rast se nuk bëhet regjistrimi në fazën e parë, kandidati humbet përfundimisht të drejtën për ndjekjen e studimeve të larta këtë vit. Po e njëjta gjë ndodh edhe me lëvizjet e preferencave.

Zbritja

Gjatë vitit të shkuar regjistrimet paraprake rezultuan të kishin rreth 3 mijë vende të mbetura bosh për shkak të largimit të maturantëve për studime jashtë vendit, ndërkohë që rezultonin fitues në listat e universiteteve në vend. Një gjë e tillë pritet të ndodhë edhe këtë vit, pasi fluksi i kërkesave të paraqitura nga maturantët për të studiuar jashtë vendit ka rezultuar tepër i lartë.

Lëvizjet e listës së fituesve

Regjistrim i ri për ata që ngjiten

në preferencën më të lartë

Udhëzimi i regjistrimeve dërguar nga Ministria e Arsimit përcakton procedurën e saktë të pranimit të kandidatëve që shpallen fitues sipas fazës përkatëse. Sipas këtij udhëzimi, kandidatët që kanë ndryshuar në renditjen e preferencave domosdoshmërish duhet të çregjistrohen, në të kundërt rrezikojnë ndjekjen e studimeve të larta. Kështu, nëse një maturant gjatë fazës së parë ka fituar në preferencën e pestë dhe pas rishpërndarjes së re (në të cilën është bërë plotësimi i kuotave të mbetura bosh nga regjistrimet paraprake) rezulton të jetë fitues në preferencën e tretë, më parë duhet të bëjë çregjistrimin në degën ku është regjistruar në fazën e parë. Vetëm pas kësaj ai mund të shkojë për t’u regjistruar në preferencën e tretë, që është përzgjedhja më e lartë e këtij kandidati në formularin A-2. Për të bërë çregjistrimin kandidatët duhet të paraqiten vetë dhe të marrin pranë sekretarive përkatëse dosjen me dokumentet e duhura, të cilën më pas do ta çojnë për procedurat e regjistrimit në preferencën më të lartë. Ndërsa kandidatët që gjatë dy fazave të regjistrimit kanë rezultuar fitues në të njëjtat preferenca, nuk e kanë të nevojshme të bëjnë riregjistrimin.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›