E Diel, 1 Nëntor 2026

Abu Dhabi, një monolog i Red Bull. Fiton Vetel, Ferrari nuk ekziston

Gara e fundit e një prej sezoneve më të komplikuara dhe më të përfolura të të gjitha kohërave ka shkuar në favor të pilotit Sebastian Vetel. Ndoshta ai ka qenë edhe e reja më e bukur e këtij sezoni 2009. Një pilot i ri, me shumë talent në gjen dhe me një gjakftohtësi prej veterani. Për të kanë shkuar gjithsej katër suksese sezonale. Një paraqitje më të mirë se ai ka bërë vetëm piloti i Braun Gp, Xhezon Baton, i cili ka fituar edhe titullin kampion të botës në Formula 1. Por në të ardhmen mendohet se ky titull do t‘i takojë pilotit gjerman. Në Abu Dhabi ka lënë pas shokun e skuadrës, Mark Veber, një tjetër pilot i fortë dhe në rritje gjatë këtij viti. Të dy bashkë, ata kanë dëshmuar se Red Bull ishte një ndër makinat më të mira të pjesës së dytë të sezonit. Vetel dhe Veber kanë përfituar nga tërheqja e Ljuis Hemilton pas "pit-stop"-it të parë, për shkak të një problemi me frenat. Në pod ishte edhe kampioni i ri i botës, Baton, i cili u rendit para Barikelos. Pikë të rëndësishme në këtë fund sezoni edhe për Nik Hajdfeld, të mrekullueshmin Kobajashi (që e meriton këtë kategori), Trulin dhe Buemi. Po makinat Ferrari? Më mirë të mendojnë për sezonin 2010. Raikonen nuk ka mundur të bëjë asgjë dhe e ka mbyllur në vendin e 12. Pas tërheqjes së Hemilton u rihap rruga, të thuash të vërtetën shumë pak e lavdishme, për vendin e tretë të botërorit të konstruktorëve. Por Kovalainen arriti para bashkëkombësit të tij dhe që nga ai moment nuk pati më luftë. As strategjia e organizuar me një "pit-stop" nuk ka sjellë përfitime të mëdha për një makinë të braktisur që prej disa muajsh. Gara e parë në histori në Abu Dhabi ka qenë një nga më të mërzitshmet e viteve të fundit. Infrastruktura super, e cila të binte në sy menjëherë, por për sa u përket të dhënëve teknike të garës, më mirë të mos flasësh fare. I vetmi parakalim i vërtetë është parë në mes të garës: Alonso triumfon ndaj Kobajashit, para se Fernando të hynte në bokse. Në fund e ka provuar Baton ndaj Veberit, por australiani ka rezistuar mirë. Nevojiten studime për të modifikuar pistën, të cilat do ta bënin më interesante këtë perlë arkitektonike. Shpresojmë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›