Mandati i deputetëve të PS-së, Kodi Zgjedhor nuk parashikon ndërprerje në rast bojkoti
Eljona Ballhysa
Kodi Zgjedhor nuk parashikon ndërprerjen e mandatit të deputetëve në rastet e bojkotit. Një ditë më parë, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e pyetur për mandatin e deputetëve socialistë, të cilët ende nuk kanë bërë betimin si deputetë, është shprehur se do ta paraqesë këtë çështje për diskutim në Komisionin Qendror Zgjedhor. Topalli gjithashtu ka shtuar se do të jetë Këshilli i Legjislacionit së bashku me KQZ-në që do të zgjidhin situatën e 63 deputetëve socialistë, të cilët ende nuk kanë bërë betimin. Komisioni Qendror Zgjedhor pritet që për këtë çështje t’i referohet Kodit Zgjedhor. Ndërkaq, ky ligj, në Nenin 164 të tij, parashikon rastet e ndërprerjes së mandatit të deputetëve dhe zëvendësimin e tyre me të tjerët që vijnë pas tij në listën e fituesve të partisë përkatëse. Por, në këtë nen nuk parashikohet ndërprerja e mandatit në rastet e bojkotit. Ndërsa Neni 71 i Kushtetutës parashikon ndërprerjen e mandatit në rast se deputeti mungon 6 muaj në Kuvend pa arsye. Socialistët e arsyetojnë mungesën e tyre në Kuvend me mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve, për shkak të manipulimeve të bëra gjatë procesit zgjedhor.
Kodi
Kodi Zgjedhor, në Nenin 164, parashikon që mandati i deputetit ndërpritet vetëm nëse deputeti deklaron në mënyrë publike përpara komisionit përkatës të Kuvendit, që është Këshilli për Legjislacionin, refuzimin për të bërë betimin ose heqjen dorë nga mandati. Në këtë rast, sipas Kodit Zgjedhor, parashikohet që Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, të njoftojë KQZ-në për krijimin e vendit vakant në Kuvend, për shkak të refuzimit të mandatit nga deputeti. Më pas KQZ-ja vendos zëvendësimin e deputetit me emrin e kandidatit vijues poshtë tij në listën e partisë. Pra, ndërprerja e mandatit të deputetit parashikohet vetëm në rastet kur deputeti heq dorë prej tij. Madje, në këtë nen parashikohet se nuk përbën rast për heqjen e mandatit deklaratat kolektive.
“Mandati i deputetit, i fituar sipas neneve 162 dhe 163 të këtij Kodi, ndërpritet vetëm për shkaqet e parashikuara në Nenin 71 të Kushtetutës. Nuk përbëjnë shkak për ndërprerje të mandatit marrëveshjet apo deklaratat paraprake individuale apo kolektive për heqje dorë nga mandati. Në rastin e shkronjave “a” dhe “b” të pikës 2 të Nenit 71 të Kushtetutës, deputeti deklaron në mënyrë publike përpara komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin për të bërë betimin ose heqjen dorë nga mandati. Në këtë rast, Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, njofton KQZ-në për krijimin e vakancës. Mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse. KQZ-ja merr vendim për dhënien e mandatit kandidatit të radhës në listën e kandidatëve të regjistruar sipas Nenit 67 të Kodit. Vendimi i njoftohet kandidatit dhe botohet në Fletoren Zyrtare. Nëse kandidati i radhës nuk paraqitet në Kuvend, brenda 30 ditëve nga njoftimi, pa shkaqe të përligjura, mandati i kalon kandidatit vijues të listës, sipas procedurës së parashikuar në pikën 1 të këtij neni. E njëjta procedurë vazhdon deri në shterimin e listës së kandidatëve të së njëjtës parti politike”, - shkruhet në Nenin 164 të Kodit Zgjedhor.
Kushtetuta
Neni 71
1. Mandati i deputetit fillon ditën kur ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve.
2. Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit:
a) kur ai nuk bën betimin;
b) kur heq dorë nga mandati;
c) kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë të parashikuara në nenet 69, 70 paragrafët 2 dhe 3;
ç) kur mbaron mandati i Kuvendit;
d) kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend;
dh) kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.
Kodi Zgjedhor
Neni 164
Ndërprerja e mandatit dhe zëvendësimi
1. Mandati i deputetit, i fituar sipas neneve 162 dhe 163 të këtij Kodi, ndërpritet vetëm për shkaqet e parashikuara në Nenin 71 të Kushtetutës. Nuk përbëjnë shkak për ndërprerje të mandatit marrëveshjet apo deklaratat paraprake individuale apo kolektive për heqje dorë nga mandati. Në rastin e shkronjave “a” dhe “b” të pikës 2 të Nenit 71 të Kushtetutës, deputeti deklaron në mënyrë publike përpara komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin për të bërë betimin ose heqjen dorë nga mandati. Në këtë rast, Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, njofton KQZ-në për krijimin e vakancës. Mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse.
2. KQZ-ja merr vendim për dhënien e mandatit kandidatit të radhës në listën e kandidatëve të regjistruar sipas Nenit 67 të këtij Kodi. Vendimi i njoftohet kandidatit dhe botohet në Fletoren Zyrtare. Nëse kandidati i radhës nuk paraqitet në Kuvend brenda 30 ditëve nga njoftimi, pa shkaqe të përligjura, mandati i kalon kandidatit vijues të listës, sipas procedurës së parashikuar në pikën 1 të këtij neni. E njëjta procedurë vazhdon deri në shterimin e listës së kandidatëve të së njëjtës parti politike.
3. Në rast kur është shteruar lista e kandidatëve të partisë politike, anëtare e një koalicioni, mandati i kalon partisë së koalicionit me herësin më të lartë. Kur mandati i ndërprerë i përket një kandidati të propozuar nga zgjedhësit, mandati i kalon subjektit zgjedhor me herësin më të lartë. Kur mandati i takon një koalicioni zgjedhor, ai i shpërndahet partisë pjesëtare të koalicionit me herësin më të lartë.
2 Nentor 2009