E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani humbje turpi, Lika kërkon dorëheqjen

 

Partizani ka pësuar një nga humbjet më të turpshme të viteve të fundit, teksa është mposhtur 1-0 në "Qemal Stafa" nga Apolonia, skuadër që vjen nga një kategori më poshtë. Në një stadium thuajse të zbrazur, skuadra e kuqe ka konfirmuar se ndodhet në krizë totale, ndërkohë që pas ndeshjes, është mësuar se trajneri Hasan Lika i ka kërkuar dorë-heqjen presidentit Albert Xhani. Katër pikë pas pesë javësh kampionat, nuk janë një ecuri për Partizanin dhe tekniku ndoshta është ndjerë i pafuqishëm për të ndryshuar diçka në një skuadër që vetëm pak muaj më parë thuajse u shkri nga largimet e shumta. Sikur të mos mjaftonin problemet financiare, të kuqtë tashmë duhet të përballen edhe me një krizë në lojë, në rezultat apo edhe në raportet mes tyre. Madje, një prej këtyre problemeve çoi në lënien në tribunë të lojtarit kryesor të skuadrës, Elis Bakajt, i cili është pezulluar nga presidenti Albert Xhani. Edhe ky i fundit i ka habitur të gjithë dje, teksa nuk ka qenë në tribunë si zakonisht për të parë ndeshjen.
Ndeshja
Humbja ka qenë vërtetë në përmasa të zvogëluara për të kuqtë, pasi skuadra fierake e Gerti Haxhiut, ka krijuar një mori rastesh, aq sa do të mjaftonin për të realizuar të paktën 4-5 gola. Gjithsesi, vendimtare ka qenë minuta e 35-të, kur një gafë e portierit Shehi, bëri që gjuajtja e Klodian Asllanit të përfundonte në rrjetë. Apolonia e dominoi krejt ndeshjen, por nuk arriti të gjente golin e sigurisë. Futbollistët fierakë kanë dalë disa herë vetëm për vetëm me Shehin, por nuk kanë mundur të gjejnë një tjetër gol. "Të fitosh në Tiranë ndaj Partizanit, është një gjë shumë e rëndësishme", tha trajneri i Apolonisë Gerti Haxhia.
Lika
Vetëm një orë pas ndeshjes, trajneri i Partizanit Hasan Lika i ka kërkuar dorëheqjen presidentit Albert Xhani. Në fakt, asgjë nuk është vendosur në lidhje me të ardhmen e tij, pasi do të pritet ardhja në Tiranë e kreut të klubit të kuq. Gjithsesi, vetëm këmbëngulja e Xhanit apo shlyerja e detyrimeve financiare mund të bëjnë që Hasan Lika të mbetet në postin e tij. Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, tekniku nuk ka dhënë asnjë shenjë se do të dorëhiqej, duke folur vetëm për anën teknike të ndeshjes. "Kemi gabuar shumë, skuadra është duke kaluar një moment delikat", tha ai. Por, nga burime të sigurta në klubin e kuq, është mësuar se i ka kërkuar Xhanit dorëheqjen. Lika është nga trajnerët me jetëgjatë tek Partizani, skuadër që në sezonin e shkuar e shpalli nënkampione të vendit.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›