Spanjë, Valencia, 4-2 ndaj Deportivos
Drejtuesit e Espanjolit kanë akuzuar futbollistët e Barcelonës për sjellje anti-sportive në derbin e së shtunës. Ndeshja u ndërpre për afro 10 minuta pasi tifozët zaptuan fushën, ndërsa në fund ishte Barcelona ajo që fitoi. Ndërkohë, në javën e pestë të kampionatit spanjoll kanë fituar edhe Reali i Madridit, Valencia dhe Sevilja.
SPANJE- Valencia ka ruajtur kreun e kampionatit spanjoll, pas fitores 4-2 ndaj Deportivo La Korunjës. Golat e David Vijës dhe të Hoakin në pjesën e dytë, i dhanë triumfin ekipit vendas në Mestaja, që ka një ecuri mjaft të qëndrueshme në javët e para. Valencia ka 13 pikë pas 5 javësh kampiona, por mban vendin e parë për shkak të golavarazhit më të mirë sesa Vilareali, që arriti të fitonte 1-0 në transfertë ndaj Sporting Gijon. Deportivo kaloi e para në avantazh me anë të Emiliano Moretit, por nuk mundi t’i bënte ballë një ekipi si Valencia.
Por, ndeshja më emocionuese e kësaj jave ka qenë ajo mes Espanjolit dhe Barcelonës. Vendasit kaluan të parët në avantazh me anë të Korominas, që arriti të mposhte Viktor Valdes. Në fundin e pjesës së parë vendasit u reduktuan në 10 vetë pas kartonit të kuq të marrë nga Nene. Momenti kyç i ndeshjes do të ishte gjysmë ore nga fillimi i pjesës së dytë. Një grup tifozësh të Barcelonës hodhën një fishekzjarr në pjesën e poshtme të stadiumit dhe kjo bëri që fansat vendas të shpërthenin, duke hyrë edhe në fushë. Arbitri Medina Kantaleho ndaloi ndeshjen për 10 minuta, ndërsa pas saj, policia njoftoi arrestimin e të paktën pesë tifozëve të Barcelonës. Në krahun tjetër, klubi i Espanjolit ka akuzuar futbollistët kundërshtarë për sjellje anti-sportive. Në një komunikatë të shpërndarë për mediat, ky klub bëri të ditur se do të analizohen pamjet filmike dhe do t’i dërgohen Komisionit anti-dhunë, por sipas drejtuesve është e qartë se gjithçka erdhi pas një sjellje aspak sportive të lojtarëve të Barcelonës. Pas rifillimit të lojës, skuadra e Guardiolës arriti të barazonte me Henri, ndërsa në minutën e 13-të shtesë, Mesi shënoi golin e fitores me penallti.
Në takimin tjetër, Reali i Madridit mundi të fitojë 2-1 në fushën e vështirë të Real Betisit. Gabriel Hajnze shënoi në pjesën e parë për madrilenët, ndërsa në fillimin e pjesës së dytë barazoi Serxho Garsia. Reali mbeti me 10 futbollistë pas daljes me karton të kuq të Marselos, por në fundin e ndeshjes, Van Nistelroi arriti të shënonte edhe golin e dytë. Një fitore të rëndësishme për këtë javë arriti edhe Sevilja që mposhti 1-0 në transfertë Atletikon e Madridit. (a.r/balkanweb)