Kapllani kalon dëmtimin, Duro ende jashtë fushe
Edmond Kapllani e ka lënë pas dëmtimin dhe dje ka qenë i gatshëm për ekipin e tij Karlsruhe. Sulmuesi kuqezi vuante nga një problem në gju, por pritej të luante në takimin e djeshëm kundër Volfsburgut, që ekipi i tij e fitoi 2-1. Kjo, për shkak të dëmtimit të bomberit Xhoshua Kenedi, por tekniku Beker nuk e preferoi sërish dhe i besoi dyshes Freis-Iashvili. Rikthimi i tij është një lajm i mirë edhe për trajnerin Ari Han, duke qenë se sulmuesi tashmë do të jetë i gatshëm për sfidat me Hungarinë dhe Portugalinë në tetor. Ndërkohë, Klodian Duro vazhdon të qëndrojë jashtë për shkak të dëmtimit që mori me Mançester Sitin. Duro nuk luajti në takimin që skuadra e tij Omonia Nikozia fitoi 2-0 me Atromitos.
(d.b/BalkanWeb)