E Diel, 1 Nëntor 2026

Moto GP, Rosi fiton garën në Japoni. Shpallet kampion bote

Nga Altin Latifi
Valentino Rosi është shpallur kampion i botës për herë të tetë, duke fituar edhe në Cmimin e Madh të Japonisë. Pas dy vjetësh ku nuk fitoi asgjë, piloti italian është rikonfirmuar si mbreti i garave me motorra. Edhe në fund të kësaj gare, nuk ka munguar spektakli nga ana e Doktor Rosit. 

JAPONI- Valentino Rosi fitoi titullin e tetë kampion bote në karrierën e tij, pas triumfit në Çmimin e Madh të Japonisë. Ishte Botërori i gjashtë në klasin më të lartë të garave me motorra për pilotin italian. Mbi Jamahan e tij, Rosi ka dominuar edhe në cirkuitin e Motexhit në Japoni, ndonëse u nis nga vendi i katërt. 29 vjeçarit i mjaftonte vetëm një vend i tretë për t’u shpallur automatikisht kampion, por piloti pezarez e ka bërë këtë duke fituar garën. Ai kaloi shumë shpejt shokun e skuadrës Horge Lorenco dhe më pas amerikanin Niki Hejdën. Pastaj ishte radha e dy rivalëve Dani Pedroza dhe Kejsi Stoner. Në xhiron e 13-të, Valentino Rosi arriti të parakalonte edhe australianin Stoner, duke marrë kryesimin e garës. Në fund, ai e festoi fitoren në mënyrën e vet më origjinale, duke zbuluar një bluzë ku shkruhej “Më falni për vonesën”. Një kërkim ndjese ndaj tifozëve për dy vitet që ai nuk fitoi asgjë. Më pas, një tavolinë ku një noter i rremë me emri Oktavio Oktaviani vulos fitoren e tij mbi kaskë. Pas garës së Japonisë, Rosi është ngjitur në kuotën e 312 pikëve në total, duke lënë pas Kejsi Stoner me 220 dhe Dani Pedrozën me 209. Botërori i Moto Grand Pri ka edhe tre gara deri në përfundim, por ato do të zhvillohen më shumë për të marrë vesh se cili do të jetë vendi i dytë Kejsi Stoner apo Dani Pedroza. (a.r/balkanweb)



Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›