E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzim në tender, tre arrestime në Fier

Tre zyrtarë të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) të energjisë elektrike në zonën e Fierit janë arrestuar orët e mbrëmjes së të premtes, nën akuzën e shpërdorimit me detyrën në bashkëpunim. Gjithashtu, person nën hetim, por me masë më të lehtë sigurie, është edhe ish-drejtoresha e OSSH-së, Adelina Shati, për të cilën është vendosur që të mos lejohet të dalë nga kufijtë e Shqipërisë, deri në përfundim të hetimeve. Hetimet që çuan në prangosjen e inxhinierëve elektrikë kanë nisur në fund të vitit 2006, ndërkohë që në fillim të hetimeve kanë qenë tetë punonjës e zyrtarë si persona të dyshuar.

Arrestimi

Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Fierit, bëhet e ditur se sektori kundër krimit financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut, në bazë të urdhrit të prokurorit ka bërë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Fier. Vendimi i gjykatës ka caktuar si masë sigurie "arrest me burg" për tre zyrtarët dhe ish-zyrtarët e Divizionit të Shpërndarjes së KESH, sot OSSH.

Të arrestuarit janë Gertian Bilero, 33 vjeç, lindur e banues në Fier, me profesion inxhinier dhe ish-punonjës i KESH; Roland Saliu, 35 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, me profesionin inxhinier elektrik, ish-punonjës i filialit të KESH Fier dhe Pajtim Halili, 56 vjeç, lindur në Tepelenë e banues në Fier. Ky i fundit, me profesion elektricist, ishte ende në punë parë OSSH-së së Fierit. Ndërkohë që një vit më parë drejtonte Njësinë Elektrike të Fierit.

Akuza për këta nëpunës e ish-nëpunës është ajo e "shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim". Sipas njoftimit për shtyp të dhënë nga zëdhënësja e Policisë së Qarkut Fier, Valbona Meço, mësohet se për Bileron, Saliun dhe Halilin, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier ka filluar procedimin penal në bazë të shkeljeve të konstatuara nga grupi i Kontrollit të Auditit në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Auditi i ministrisë ka kryer kontrollin e investimeve në ish-Divizionin e Shpërndarjes në Fier, ku ka gjetur abuzime në vendosjen e matësve elektrikë.

Hetimi

Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria e Fierit, hetimi për zyrtarët e KESH-it ka nisur në nëntor të vitit 2006, vetëm pak javë pas përfundimit të kontrollit të Auditit të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Auditi ka zhvilluar kontroll për periudhën 2004-2005 dhe është përqendruar më shumë në zërin e investimeve. Gjatë kësaj periudhe të kontrolluar nga auditi, filiali i KESH Fier kishte zhvilluar procesin e vendosjes së matësve të energjisë. Mësohet se në vitin 2004 është zhvilluar një tender, të cilin e ka fituar një firmë me seli në Tiranë. Kjo firmë kishte marrë përsipër vendosjen e 12250 matësve. Fondi ka qenë rreth 52 milionë lekë të rinj. Shkelja që ka gjetur auditi mësohet se është një diferencë që shkon në afro 4 milionë lekë. Auditi menjëherë ka marrë masë disiplinore dhe ka çuar në hetim tetë zyrtarë. Zhvillimi i hetimeve ka nxjerrë që në abuzimin e konstatuar zyrtarët e implikuar kanë qenë Gerti Bilero që mbante rolin e drejtuesit të punimeve, Roland Saliu, në rolin e supervizorit, si dhe Pajtim Halili, që mori në dorëzim punimet. Po ashtu hetimet kanë nxjerrë autore të dyshuar për abuzim dhe shpërdorim detyre edhe drejtoreshën e asaj kohe, Adelina Shati, e cila deri vonë ka punuar si specialiste në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare. Të gjithë zyrtarët e dyshuar si dhe ata të arrestuar, janë marrë disa herë në pyetje nga prokuroria e Fierit gjatë procesit afro dyvjeçar të hetimeve. Në fillim të hetimeve, në nëntor të vitit 2006, për tre të arrestuarit është marrë masë disiplinore deri dhe largim nga puna. Gjithashtu, prej burimeve zyrtare të policisë dhe atyre të prokurorisë, konfirmohet se hetimi vazhdon dhe priten të tjera arrestime për abuzime me detyrën dhe shpërdorim të saj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›