E Shtunë, 31 Tetor 2026

ORA kundërshton çfarëdo marrëveshje me Beogradin

Partia reformiste ORA kundërshton çfarëdo marrëveshje me Beogradin për vendosjen e misionit të EULEX-it në Kosovë. Sipas kryetares, Teuta Sahatçia, vendosja e këtij misioni parashihet me planin e Ahtisarit, andaj kërkimi i lejes nga Beogradi për funksionimin e EULEX-it është i papranueshëm. Kuvendi i Kosovës, sipas Sahatçisë, duhet dalë me një rezolutë për këtë çështje.

Edhe partia ORA i është bashkuar sot propozimit të dy partive tjera opozitare AAK-së dhe LDD-së që Kuvendi i Kosovës, përmes një rezolute, të deklarohet për planet e vendosjes së misionit EULEX në veri të vendit. Kryetarja e ORA-s, Teuta Sahataçia tha se çfarëdo leje nga Beogradi për vendosjen e misionit të BE-së është e papranueshme. Partia reformiste ORA ka ngritur shqetësime edhe për procesin e privatizimit të ndërmarrjeve publike në vend. Anëtari i Kryesisë së ORA, Besnik Krajku, tha se qeveria e Kosovës duhet që sa më shpejt të ndërmarrë masa, në mënyrë që ndërmarrjet publike të favorizohen në mënyrë sa më të mirë. Partia ORA ka kërkuar nga institucionet e vendit të marrin masa edhe për humbjet që po ndodhin në trustin Pensional të Kosovës. Sipas zyrtarëve të kësaj partie, nëse vazhdohet me këtë trend të krizës globale financiare, humbjet në fondin e këtij trusti do të jenë edhe më të mëdha.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›