E Diel, 1 Nëntor 2026

Bizneset në prag falimentimi: S‘paguajmë taksa, pranojmë gjyqin

Dega e Tatim- Taksave në Bashkinë Fier vazhdon të godasë bizneset "rebele" për mos licencim. Sipas përfaqësuesve të këtij institucioni mësohet se janë evidentuar së fundmi 87 subjekte të biznesit të vogël të pa licencuara në qytetin e Fierit. Ndërkohë përfaqësuesit e këtyre bizneseve nuk kanë bërë licencimin në shenjë proteste për uljen e ndjeshme të aktivitetit dhe afrimin, sipas tyre, të falimentit. Sipas ligjit të ri tatimor dhe deklaratave të drejtuesve të degës së tatim-taksave në Bashkinë Fier, për të gjitha këto subjekte do të merren masa penalizuese që shkojnë deri në ndjekje penale. Sipas shefes së zyrës së tatim-taksave në Bashkinë Fier, Olimbi Prifti, pavarësisht subjekteve problematike, është rritur numri i regjistrimit të bizneseve të reja, që shkojnë në 1680 subjekte.

"Pranë zyrës së tatim-taksave në Bashkinë Fier janë regjistruar deri tani 1680 subjekte, që bëjnë derdhjen e detyrimeve në mënyrë të vazhdueshme dhe të rregullt. Por, njëkohësisht, ne kemi edhe subjekte të tjera, të cilat nuk paraqiten për t‘u regjistruar", thotë Prifti. Ajo sqaron se në bazë të ligjit të ri, procedurat për regjistrimin dhe taksat kanë ndryshuar për Drejtorinë e Kontrollit. "Për të gjitha këto subjekte që janë të pa licencuara, rreth 87 të tilla, kemi bërë procesverbalin e bllokimit të ushtrimit të aktivitetit. U kemi lënë 5 ditë kohë për të kryer veprimet, në të kundërt ndëshkimi do të përshkallëzohet deri në ndjekje penale", thotë drejtoresha e Tatim-Taksave në Fier. Por kryerja e procedurave të reja tatimore ndaj subjekteve të paregjistruara është shoqëruar edhe me kontestime. Mësohet se shumë prej pronarëve të këtyre bizneseve nuk kanë para të paguajnë, pasi aktiviteti që ata zhvillojnë ka një rënie të theksuar të ardhurash, të cilat nuk janë të mjaftueshme për të përballuar jetesën, qiranë, taksat dhe shlyerjen e detyrimeve për regjistrimin. "Nuk kemi paguar, pasi shohim se biznesit tonë po i vjen fundi. Nuk nxjerrim dot as shpenzimet tona. Mendojmë se në këto kushte do të shkojmë shumë shpejt drejt mbylljes së biznesit, duke shpallur falimentin", thotë pronari i një dyqani veshjesh në Fier. Duke qenë në këtë situatë as nga vetë këta biznesmenë nuk është e qartë nëse ata do t‘i përmbahen këtij afati 5-ditor për licencimin e biznesit apo do të preferojnë të shkojnë në dyert e gjykatës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›