E Shtunë, 31 Tetor 2026

PSe e humbi Blushi debatin me Bashen?

Me siguri, Ben Blushi duhet të jetë befasuar nga gatishmëria e Lul Bashës për të pranuar një debat televiziv me të. Duhet të kenë qënë të shumtë ata që, ashtu si ai, janë befasuar gjithashtu. Dhe arsyeja është e thjeshtë: Lul Basha është një deputet pa imunitet parlamentar dhe një ministër, ndaj të cilit është ngritur një padi nga Prokuroria e Përgjithshme lidhur me abuzimet e hamendësuara me fondet publike në rrugën Durrës-Kukës. Përveç kësaj, emri i tij, për shkak të një njeriu shumë të afërt në linjë parentale, është kapur nga stërpikat e aferës "Fasliç". Ja, këto duhet të ketë patur në mendje Ben Blushi, teksa është nisur në atë debat. "Më mjafton çështja Fasliç dhe korrupsioni qeveritar për ta vënë poshtë këtë beniamin të Berishës", ka thënë me vete Blushi, duke mos harruar që në këtë debat do të kish aleat edhe inteligjencën e vet.

Mirëpo, siç u duk qartë prej të gjithëve, asnjëra nga këto nuk mjaftoi për t‘i dhënë fitoren. Lul Basha, ndonëse i dizavantazhuar në start, arriti i pari në finish. Pse? Sepse kish bërë atë që nuk kish bërë Ben Blushi, dmth ishte përgatitur për orë të tëra (në mos, për ditë të tëra), kish sistemuar disa ide në kokë, kishte shfletuar letra, i kishte marrë ato me vete në studio, kish parë më nge shifra e statistika, ish konsultuar me kolegë e ekspertë të mazhorancës lidhur me gjendjen në ato fusha, ku ai nuk ka dije e kompetencë. Më në fund, kish mbërritur në studion e debatit në një gjendje të tendosur e vibrante, gjë që kontrastonte me qasjen e shkujdesur e non-chalant-e të interlokutorit të vet. Ishte aq e vërtetë kjo, sa e kishin vënë re që të gjithë, socialistë e demokratë, të gdhendur e të pagdhendur.

Nuk ka gjasa, që Blushi ta ketë nënvleftësuar Bashën, pasi ky i fundit ka dëshmuar dhe herë të tjera që është një nga njerëzit më të aftë për të përballuar një debat të fortë publik apo televiziv; është gjithashtu inteligjent (më pak se sa Blushi) dhe gojëbrisk (më shumë se sa Blushi e më shumë se sa të gjithë të tjerët); ka dhe një prerje të mirë prej politikani profesionist (shumë më të mirë se sa prerjen e Blushit, i cili, si të gjithë njerëzit që merren edhe me art e letërsi, ka një natyrë më të shtendosur e më sportive, gjë që vihet re tek gjestikulacioni, tek qëndrimi në karrike, tek grimasat e pakontrolluara, etj). Dhe të gjitha këto kushtëzuan rrjedhën e atij debati, të cilin Ben Blushi e humbi; e humbi edhe ngaqë ishte shumë i sigurtë se, për shkak të goditjeve e plagëve të marra në betejat media-tike, Lul Basha do të luante në mbrojtje; rrjedhimisht, Blushi do ta vinte në një kënd, e vetëm do ta grushtonte. Nuk është çudi që, edhe pse mund t‘i çmojë inteligjencën, Blushi i përçmon atij personalitetin, dmth faktin që Basha është një çirak i Berishës, dhe kjo mund ta ketë bërë më mendjefjetur në vigjilje të atij debati.

Por këtu ka harruar, që Lul Basha është luftarak, i disiplinuar dhe inçiziv; është i tillë pavarësisht se është (apo ndoshta, pikërisht ngaqë është) beniamin e nxënës i Berishës. Madje, është vendi për të thënë që, në një farë mënyre e në një farë mase, diferenca midis Ben Blushit e Lul Bashës është po ajo që egziston midis Ed Ramës e Sal Berishës. Me fjalë të tjera, Rama e Blushi janë sportivë, të çrregullt, poetikë, instiktivë, jokonformistë, maverick-ë, të pasigurtë, të padisiplinuar, amoralë e të korruptueshëm (të korruptueshëm prej amoralitetit), ndërsa Berisha e Basha janë të kalkuluar, sistematikë, prozaikë, të disiplinuar, të nënshtrueshëm prej shefave, imoralë e të korruptueshëm (të korruptueshëm prej imoralitetit). Në një vështrim akoma më të thjeshtuar e më të rrumbullakosur, të parët janë dionisiakë, të dytët janë apolloniakë. Në varësi të rrethanave, kjo u jep avantazhe herë të parëve, herë të dytëve. Një nga vetitë për t‘u përçmuar tek të dytët ka lidhje me faktin që ata dinë të qurraviten në mënyrën më të padinjitetshme (mjaft të shohësh Bashën se si sillet me Berishën e mjaft të shohësh Berishën se si shfytyrohet e zgërlaqet përballë të huajve). Një nga vetitë për t‘u përçmuar tek të parët ka lidhje me faktin që janë ca si shumë partizanë të idesë "let it be!", ose thënë shqip, "të dalë ku të dalë".

Dhe në thelb, ky ishte shkaku që Ben Blushi humbi debatin me Lul Bashën. Pikërisht nga kjo del dhe leksioni për Ramën e Blushin: duhet të familjarizohen me shifrat, me statistikat, me informacionin, me njohjen e gjendjes. E për t‘u bërë bindës, duhet ta mbushin sa më shumë retorikën e tyre të përditshme me këtë informacion e me këto shifra. Informacioni për një politikan është si dija për një shkencëtar. Informacioni vlen më tepër se sa frazat e stërholluara plot shije. Një politikan i informuar bën përshtypje më tepër se sa një politikan plot dije e plot moral. Ne të gjithë jemi të idesë se Sali Berisha ia ka dalë të qëndrojë në politikë falë dellit të tij kriminal, banditizmit, pacipësisë, e ku di unë se çfarë tjetër; por na del gabimisht nga mendja, se të gjitha këto nuk mjaftojnë për ta shpjeguar të vërtetën: Sali Berisha ka mundur të mbijetojë në politikën shqiptare edhe ngaqë ka qënë e është njeriu më i informuar në Shqipëri. Me sa duket, Lul Basha e ka mësuar këtë gjë prej tij. Duhet shpresuar të mos ketë mësuar asgjë tjetër.

Ben Blushi bën mirë të nxjerrë të njëjtin leksion nga debati me Lul Bashën: politikë nuk do të thotë thjesht të jesh në gjendje të thuash fraza të bukura; politikë do të thotë edhe të dëshmosh se e njeh gjendjen në majë të gishtave. Këtë dëshmi Ben Blushi nuk e dha në debatin e fundit. Prandaj e humbi atë debat.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›