"Abuzime me buxhetin para zgjedhjeve"
Qeveria është përfshirë nga paniku elektoral, duke e futur vendin në një krizë të fortë, për shkak të shtrirjes së krizës ekonomike në çdo familje. Kjo deklaratë është bërë dje nga nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe. Në një konferencë për shtyp, deputeti i PS-së, duke iu referuar të dhënave zyrtare të dy muajve të parë të vitit, theksoi se buxhetit të shtetit i mungojnë rreth 33.3 milionë dollarë nga mosmbledhja e taksave. Sipas Braçes, kriza ekonomike ka nxjerrë në pah një rënie të madhe të të ardhurave, por shifrat tregojnë dhe rritjen galopante të korrupsionit, shkelje të ligjit dhe financimit të krimit fiskal për interesa elektorale. "TVSH, në dy muaj ka mosrealizim me 10 milionë USD/93%, tatim fitimi në dy muaj ka mosrealizim me 4 milionë USD/85%, tatimi mbi pasurinë në dy muaj ka mosrealizim me 4.3 mln USD/ 27.9%, taksat lokale kanë mosrealizim me 7.3 milionë USD/ 58.3%, transferimi i fitimit nga BSH ka një mosrealizim me 4.2 milionë/0%, të ardhurat nga Institucionet Buxhetore kanë një mosrealizim me 15 milionë USD", konstatoi Braçe. Të gjitha këto, këmbënguli ai, tregojnë shtirjen e krizës në çdo biznes, në pamundësi për të realizuar fitimin, shlyer detyrimet e TVSH dhe në çdo familje, në pamundësi apo pa para për të paguar taksat për pasurinë, taksat vendore. Ndërkohë, theksoi Braçe, korrupsioni në fushën e zbatimit të ligjit është i dukshëm në realizimin e të ardhurave nga mallrat e fortë, të cilat sfidojnë çdo krizë duke lumturuar, pasuruar e bërë të pandjeshme krizën te klientët elektoralë të Sali Berishës. Më tej, numri dy i grupit parlamentar të PS-së, deklaroi se qeveria ka dështuar edhe në realizimin e investimeve publike, si me financim të brendshëm ashtu edhe të jashtëm. Sipas tij, investimet publike me financim të brendshëm janë realizuar në nivelin e 9.9% miliardë lekëve, por 7.9 miliardë kanë shkuar vetëm në 56 kilometrat e Rrëshen-Kalimashit. Kjo tregon, tha Braçe para mediave, që hapja e qindra kontenierëve elektoralë nga Sali Berisha këto ditë është fiktive, pasi për to nuk ka para. "Numrat tregojnë për to 20 milionë USD, kur vetëm arnat gunga në Tiranë-Durrës vlejnë në 11 milionë USD", vijoi ai. Për Braçen, ky dështim por edhe korrupsioni i lartë i qeverisë në këtë zë, po pengon ndërtimin e akseve rrugore Lushnjë-Fier, Fier-Vlorë, Vlorë-Tepelenë, bypass-in e Fierit, terminalin e pasagjerëve në Durrës, por edhe disa akse të rrugës Durrës-Kukës. Në vlerësimin e PS-së, puna në këto kontienierë po financohet nga vetë ndërtuesit, duke bërë dy herë borxh, një herë te burimet e shqiptarëve që financojnë shpenzimet e qeverisë përmes bonove të thesarit, së dyti tek kompanitë private. Investimet publike me financime të huaja janë realizuar vetëm 6 milionë USD, 34%, me një mosrealizim prej 12.3 milionë USD. Pikërisht ky, u shpreh Braçe, është treguesi që Shqipëria nuk po ndryshon, nuk po ndërtohet. Nënkryetari i grupit të PS-së bëri publike disa tabela që tregojnë se nga privatizimi janë përfshirë në buxhet vetëm 9.8 milionë lekë, kur janë deklaruar të arkëtuara vetëm nga ARMO e AMC të paktën 20 miliardë.