Ministria e Transportit reagon ndaj Braçes
Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit reagoi dje menjëherë pas deklarimeve të nënkryetarit të Partisë Socialiste, Erion Braçe. "Nënkryetari një euro i grupit parlamentar të Partisë së Bashkisë, doli sot dhe mashtroi publikisht për çështjen e investimeve në infrastrukturë", u shpreh zëdhënësja e këtij dikasteri, Erla Mëhilli. Sipas saj, zotëria e tij (Braçe) pretendoi që ka mosrealizime në investimet në punët publike dhe çelje investimesh për qëllime elektorale. MPPTT i bëri të ditur opinionit publik se investimet publike në vitin 2008 janë realizuar në masën 108 për qind, ndërsa në ujësjellës 96 për qind. "Nuk ka asnjë projekt që nuk mbulohet me financim dhe asnjë financim nuk bëhet për qëllim elektoral, por bëhet për t‘i shërbyer qytetarëve", këmbënguli zëdhënësja e ministrisë. Zotëria e tij, vijon reagimi i Ministrisë së Transporteve, përmendi rrugën Lushnjë-Fier dhe tha që paskërka mbetur pa mbaruar. "Me sa duket, zotëria nuk shkon në Lushnjë që nga koha kur ishte koordinator i Bandës. Rruga Lushnjë-Fier është tërësisht e përfunduar dhe pret vetëm të përurohet", theksoi Mëhilli. Mjafton ky fakt, shtoi ajo, për të kuptuar se cila është e vërteta. "Vlerësimin për punën, edhe neve, edhe Partisë së Bashkisë, do t‘ia bëjnë qytetarët shumë shpejt", u shpreh Mëhilli.