Abuzime me tokat në bregdetin e Vlorës, pranga zyrtarit të PD
Prokuroria e Vlorës ka zbuluar një skemë abuzimesh që i kanë marrë pronarëve më shumë se 100 hektarë tokë në bregdet
VLORË- Më shumë se njëqind hektarë tokë në bregdetin e Vlorës janë shpërndarë në mënyrë abuzive duke bërë që pronarët e tyre të ligjshëm të mos përfitojnë asgjë. Kjo është vërtetuar dje nga prokuroria e këtij rrethi, e cila ka kryer në orët e pasdites edhe arrestimin e tre ish- zyrtarëve të lartë të zyrës së kthimit dhe kompensimit të pronave në Vlorë. Genci Panozaqi, ish-drejtor i Zyrës Rajonale të kthimit e kompensimit të pronave, Sokol Kucaj, ish-jurist pranë zyrës së kthimit e kompensimit të pronave dhe Fatmir Xhena, specialist topograf, janë arrestuar dje pas vendimit të dhënë nga gjykata lokale e Vlorës. Të tre akuzohen për shpërdorim detyre që arrin në shumat e disa qindra hektarëve tokë.
Hetimi
Disa muaj më parë, qytetarë të Vlorës kanë denoncuar në prokurori faktin që tokat e tyre tashmë kishin pronarë të rinj, të cilët i kishin marrë me ndihmën e ish- zyrtarëve të kthimit dhe kompensimit të pronave. Materialet janë marrë në dorëzim nga hetuesit, të cilët kanë zbuluar menjëherë abuzime të shumta. Për të thelluar hetimet, prokurorët kanë zbarkuar në hipotekë dhe zyrën e pronave, ku kanë marrë të gjitha dokumentet e mundshme. “Verifikimet e para kanë nxjerrë dhjetëra abuzime. Te tre këta persona shpërndanin pronat sipas dëshirës së tyre, pa pasur aspak nevojë për dokumente. Madje në shumë raste as që kanë pritur përgjigje nga hipotekat për të parë nëse tokat ishin të zëna apo jo. Masakrimi që i është bërë tokave është pa kufij. Në disa raste tokat janë ndarë sipas bindjeve partiake”,- thanë dje burimet e grupit hetimor të çështjes. Ata kanë shpjeguar se tre të arrestuarit i jepnin kujt i donte qejfi. “Tokat janë dhënë krejtësisht në kundërshtim me ligjin. Procedura kërkon që pronarët të jenë të pajisur me dokumente të kohës së mbretit Zog ose më të hershme por Genci Panozaqi, Sokol Kucaj dhe Fatmir Xhena i jepnin ato si i donte qejfi”,- thanë hetuesit.
Tokat
Ata shpjeguan se bëhet fjalë për toka vetëm në zonë e bregdetit. Ato nisin nga plazhi i Vlorës e deri në Orikum. “Nuk janë toka të thjeshta ose djerrë por toka në bregdet. Bëhet fjalë për tokë buzë detit ku mund të ngrihen pallate e komplekse të tëra turistike. Në një rast është zbuluar një vjedhje e 18 hektarëve tokë në zonën e Orikumit. Ka edhe shumë raste të tjera”, - pohuan hetuesit e çështjes. Ata kanë përpiluar dosjet përkatëse dhe kanë dorëzuar në gjykatë kërkesat për masat e sigurisë në mungesë për secilin prej tre të akuzuarve. “Gjykata e Vlorës ka vendosur sot (dje) masën e arrestit me burg për shtetasit Genci Panozaqi, Sokol Kucaj dhe Fatmir Xhena. Tre shtetasit, ish-punonjës pranë zyrës së kthim kompensimit të pronave në Vlorë akuzohen për kryerjen e veprës penale të shpërdorimit të detyrës, parashikuar në nenin 248 të Kodit procedurës Penale”,- thanë mbrëmjen e djeshme burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas tyre, hetimet kanë treguar se të paktën në tre vendime të komisionit të kthimit të pronave është vërtetuar se është shpërdoruar detyra duke iu kthyer subjekteve të shpronësuara sipërfaqe trualli në mënyrë të jashtëligjshme, duke ndryshuar sipërfaqet e trojeve. Këta punonjës kanë zhvendosur vendndodhjen e pronave në mungesë të dokumentacioneve ligjore që vërtetojnë pronësinë, në bazë të ligjit . “Ata njëkohësisht nuk kanë vërtetuar gjendjen juridike dhe natyrore të pronës, po kështu s’kanë verifikuar dhe përcaktuar kufijtë e saktë të saj”,- thanë burimet e prokurorisë.
Arrestimi
Hetuesit e çështjes pohuan dje se arrestimet janë përshpejtuar nga një detaj i vogël që ka nxjerrë hetimi. “Ne mësuam se Genci Panozaqi, ish-drejtor i Zyrës Rajonale të kthimit e kompensimit të pronave, kishte disa viza Shengen dhe mund të ikte nëse mësonte se ndaj tij kishte nisur hetimi. Pothuajse të gjithë në Vlorë e dinin për këto abuzime. Madje disa prej tokave u ishin dhënë “të fortëve” të Vlorës”,- thanë hetuesit.
Verifikimet
Pasuria e të tre të arrestuarve për skandalin e djeshëm të tokave në Vlorë, do të kalojë në sitën e hetuesve të çështjes. Dyshimet e para janë se këta persona kanë krijuar të ardhura të shumta në mënyrë të paligjshme. “Që nesër (sot) do të nisim me verifikimin e llogarive të tyre bankare por edhe të transaksioneve që kanë kryer. Në rast se rezulton që të kenë pasuri të dyshimtë, ajo do të sekuestrohet menjëherë”, -thanë burimet.
Të arrestuarit
Genci Panozaqi, ish-drejtor i Zyrës Rajonale të kthimit e kompensimit të pronave
Sokol Kucaj, ish-jurist pranë zyrës së kthimit e kompensimit të pronave
Fatmir Xhena, specialist topograf
Një vendim i pak ditëve më parë i ka hequr qytetit të Sarandës lagjen “Baba Rexhepi” duke ia dhënë komunës Lukovë
Qeveria kompenson Nivicën, i jep një lagje të Sarandës
SARANDË- Qeveria shqiptare ka gjetur mënyrën më të çuditshme të mundshme për të dëmshpërblyer banorët e Nivicës, të cilëve u është marrë toka për tu ndërtuar kompleksi turistik në Kakome. Me një vendim pothuajse të fshehtë, qeveria i ka dhënë këtyre njerëzve toka në lagjen numër katër të Qytetit të Sarandës. Banorët e kësaj lagjeje e kanë mësuar këtë gjë vetëm dje dhe menjëherë kanë kërkuar një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak. Banorët kanë pohuar se vetëm para pak ditësh janë informuar se Qeveria më 11 qershor 2008 ka marrë vendimin për njohjen e një sipërfaqeje të konsiderueshme në pronësi kullotë dhe pyje në përdorim të komunës së Lukovës, e cila fut në juridiksionin e kësaj komune një pjesë të mirë të Lagjes “Baba Rexhepi”. Madje një përfaqësi e banorëve të kësaj lagjeje ka qenë për të kundërshtuar këtë veprim në Ministrinë e Brendshme dhe atë të Mjedisit, si dhe për tu njohur me praktikën korruptive mbi të cilin është marrë vendimi. Sipas njërit prej përfaqësuesve, Herbap Stroka, justifikimi i zyrtarëve të MPB dhe Mjedisit ishte se Lukova ka dërguar prej kohësh dosjen me vendimin e njësisë së qeverisjes vendore, hartat dhe dokumente të tjera sipas kërkesave të ligjit ndërsa Bashkia e Sarandës nuk e ka bërë një gjë të tillë ndaj.
Nisur nga ky arsyetim përfaqësuesit, banorë të Lagjes “Baba Rexhepi”, kanë kërkuar në bashkinë e Sarandës informacion se pse nuk kishte dërguar në Qeveri asnjë dokumentacion, apo vendim i Këshillit Bashkiak për të kërkuar pronat kullotë e pyje për këtë njësi të qeverisjes vendore, bashkia Sarandë. Në administratën e bashkisë ata janë përcjellë me përgjigjen që vendimin e fundit të këshillit bashkiak e kishin përcjellë në ministri me faks dhe me këtë veprim e quajtën të përmbushur detyrimin e tyre. Por banorët kanë akuzuar kryetarin e bashkisë, i cili, sipas tyre, është vetë nga fshati Nivicë dhe ka interesat e tij aty.
Mbledhja e këshillit bashkiak u fokusua kryesisht në ngadalësinë e vërejtur nga administrata e bashkisë në lidhje me këtë çështje. Mbledhja e jashtëzakonshme e këshillit bashkiak u karakterizua nga tone nervozizmi jo vetëm nga këshilltarët që morën fjalën për t’i kërkuar llogari zyrtarëve të bashkisë, por edhe nga banorët që ndoqën zhvillimin e mbledhjes gjatë të gjithë kohës që diskutohej për këtë problem. Madje banorët kanë akuzuar se Bashkisë së Sarandës i janë shkëputur nga territori i saj Lagjja “Baba Rexhep”, e cila i ka kaluar fshatit Nivicë të Komunës së Lukovës, si detyrim i qeverisë për t’i mbyllur gojën niviciotëve për mosnjohjen nga ana ne saj i pronësisë mbi Kakomenë shumë të përfolur. “Ky është një kompensim në kurrizin e banorëve të lagjes tonë. Por qeveria me tokat në bregdet nuk ka vendosur të shpërblejë vetëm niviciotët, por edhe Komunën e Alikos, duke i dhënë në pronësi Kodrën e Lëkurësit dhe duke i kaluar në administrim e fshatin Berdenesh. Kjo sanksionon shkëputjen e Berdeneshit si lagje të bashkisë dhe kalimin në vartësinë administrative të Alikos”, tha një prej banorëve, Muhamet Hamzai, nga Lagja Berdenesh. Sipas tij, edhe ky veprim ka ardhur nga trysnia e ushtruar nga klani grek për të përfituar bregdetin e Berdeneshit që do t’i siguronte komunës së Alikos dalje në det e troje atje, duke i dhëne asaj edhe Manastirin e Shëngjergjit, deri tek Gjiri i Artës kufi me Ksamilin.
VENDIMI
Pas një diskutimi të gjatë, këshilltarët e bashkisë së Sarandës vendosën t’i drejtohen Qeverisë me kërkesën që në vendimin për inventarin e pronave kullotë dhe pyje, që do të marrë në ditët në vijim, të merret në konsideratë Vendimi më i fundit i Këshillit Bashkiak Sarandë. Ky këshill i kërkoi administratës së bashkisë që të dërgojë në qeveri dokumentacionin e plotë dhe hartat që konturojnë kufijtë e pronave, duke mos lënë vend për keqinterpretime ligjore. Argumenti i ligjor i përdorur se neni 5 i ligjit për kalimin në pronësi të kullotave dhe pyjeve sipas gjendjes pronësore të vitit 1945, për Sarandën nuk vlenpasi në 1945, ishte aq e vogël, sa një fshat, në vartësi të Delvinës dhe nuk kishte këtë status juridik.
PROBLEMET
Muhamet Hamzaj, si përfaqësues i fshatit Berdenesh deklaron se “Nëse nuk do të na njihet pasaportizimi në qytetin e Sarandës, nuk do të furnizohemi me ujë dhe nuk do të realizohen premtimet e dhëna në fushatën elektorale nga kryebashkiaku që zgjodhëm si qytetarë të Sarandës. Në këtë rast ne do të bllokojmë rrugën nacionale Sarandë –Butrint, në fshatin Berdenesh”. Por për këtë problem këshilltari Shkëlqim Nikolla ka pohuar se duhet kthyer më parë në normalitet harta e pronave e më pas të procedohet me gjërat e tjera.
Kush janë tre zyrtarët e arrestuar
Genc Panozaqi ka punuar si mësues matematike në shkolla të qytetit. Në vitin 2005 Panozaqi u gjend përballë Arben Isarajt në zonën elektorale 95, ku kandidoi për deputet nën siglën e së djathtës. Por humbja në zgjedhje bëri që Panozaqi të emërohet në një tjetër detyrë, atë të kryetarit të zyrës së kthimit dhe kompensimit të pronave në qarkun e Vlorës. Vetëm gjashtë muaj më parë ai paraqiti dorëheqjen e parevokueshme nga ky institucion, dorëheqje për të cilën zyrtarisht nuk u dha asnjë motivim. Panozaqi ka qenë gjithmonë i përfshirë në strukturat e degës së PD-së të Vlorës, ku edhe ka ushtruar detyrën e sekretarit të kësaj dege, detyrë të cilën e ushtron aktualisht. Në marrëdhënie familjare ai është kunat me zv ministrin e Brendshëm, Ferdinand Pone, dhe është i martuar dhe me dy fëmijë. Ndërsa Sokol Kuçaj, jurist në zyrën e kthimit dhe kompensimit të pronave, u largua një muaj më parë, nga vetë strukturat e kësaj agjencie. Së bashku me katër punonjës të tjerë të kësaj zyre, largimi u motivua me një numër të madh ankesash nga qytetarët për ta. Fatmir Xhema, vijonte detyrën e topografit në zyrën e kthimit dhe kompensimit të pronave në qarkun e Vlorës.