E Diel, 1 Nëntor 2026

Peshkimi i paligjshëm, aksion në liqenin e Shkodrës

Shkodër- Rreth 1.5 km rrjetë peshkimi e vendosur në mënyrë të paligjshme, në ujërat e liqenit të Shkodrës ka dalë jashtë funksionit, si rezultati një operacioni të përbashkët të rojeve mjedisore, policisë kufitare, asaj bashkiake dhe inspektoriatit të peshkimit.

Operacioni i cili është zhvilluar për herë të parë në këto përmasa ka përfshirë rreth 30 forca dhe 5 mjete lundruese dhe objektivi tij ka qenë pastrimi i sipërfaqes ujore të liqenit të Shkodrës nga vendosja në mënyrë abuzive e rrjetave të peshkimit, të cilat e kishin ndarë liqeninnë disa pjesë.

Rrjetat e hedhura në liqen në një gjatësi rreth 3 mijë milje janë hequr dhe po këtë fat kanë pasur dhe binarët prej druri që prej vitesh e kishin ndarë liqenin në ngastra. Madje disa prej rrjetave janë hequr nga vetë peshkatarët.

Sipas specialistëve të peshkimit, prania e këtyre rrjetave të vendosura në mënyrë të paligjshme ka ndikuar negativisht në zhdukjen e shumë peshqve migratorë si dhe ka bllokuar kalimin e mjeteve transportuese ujore.

Sipas shefit të inspektoriatit të peshkimit në Shkodër, Rasim Suma, ky aksion i nisur sot do të vazhdojë deri në pastrimin e plotë të liqenit dhe vetëm ata peshkatarë që do kenë licencë do peshkojnë gjatë sezonit.

“Janë rreth 25 peshkatarë, të cilët edhe pse kanë qenë të licencuar për të ushtruar peshkimin e rregullt, kanë zgjedhur rrugët e paligjshme dhe na ka detyruar të kryejmë këtë aksion”- tha ai.

Në Liqenin e Shkodrës janë rreth 850 lloje bimore, rreth 600 specie shtazore si dhe 281 lloje shpendësh. Vitin e kaluar Liqeni i Shkodrës dhe ligatinat e tij morën statusin e Zonës së Mbrojtur ndërsa nga organizmat ndërkombëtar të kësaj fushe liqeni u shpall ‘Zonë Ramstar’.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›