Durrës, vdes nën rrotat e makinës fëmija dy vjeç
Një fëmijë dy vjeç, ka humbur jetën nën rrotat e makinës, ndërsa një tjetër lufton mes jetës dhe vdekjes në spital. E marta ka qenë fatale për dy familje në Durrës dhe në Sukth. Një vogëlush, 2-vjeçar ka qenë duke luajtur në rrugicën para shtëpisë së vet, kur është shkëputur nga duart e së ëmës dhe është futur në rrotat e një automjeti tip "Land Rover", me targa ------------TO 8162S, që po ecte mbrapsht. Ngjarja ka ndodhur në lagjen 15 të Durrësit, në Spitallë. Nga dëshmia e drejtuesit të mjetit, Sajmir Bajramaj, 36 vjeç, ai e kishte kontrolluar rrugën më parë dhe nuk e ka vënë re fëmijën Gj.K. Bajramaj e ka dërguar menjëherë në spital të miturin bashkë me të ëmën, që ndodhej vetëm pak metra më larg vendit të aksidentit, po në mesditë, rreth një orë më vonë, vogëlushi ka ndërruar jetë. Burime nga policia thanë se ngjarja është aksidentale, po Bajramaj është ndaluar dhe materialet do i kalojnë prokurorisë për të. Ndërkaq, në një tjetër aksident të ndodhur në Sukth, ka mbetur i dëmtuar rëndë dhe në rrezik për jetën një djalë 6-vjeçar. D.L., po kalonte në rrugë kur është përplasur nga një automjet tip "Benz", me targa DR 8416 D, që drejtohej nga 64-vjeçari Gjergj Bushi. Burimet policore thanë se fëmija nuk ka qenë i shoqëruar nga ndonjë i rritur në çastin e aksidentit automobilistik. Ai ndodhet në reanimacionin e Spitalit Rajonal të Durrësit me fraktura të rënda.