Mbi reformën në Drejtësi
Reformat, e në këtë kuadër edhe reformat në drejtësi, nuk mund të jenë thjesht e vetëm rezultat i ideve. Me fjalë të tjera, kur vjen puna tek reforma në drejtësi nuk ka vend për një “Eureka”, apo një ide të pathënë e të padëgjuar që do të na i zgjidhë problemet si me magji. Në të kundërtën, ky është një proces i formatuar në një shkallë të madhe nga parime universale, i kushtëzuar nga shqetësime konkrete që kërkojnë zgjidhje konkrete dhe i realizuar përmes një metodologjie shkencore. Ndërsa dy faktorët e parë (parimet dhe nevojat) janë pjesë e diskurit të reformës në drejtësi, pak dëgjojmë të flitet për metodologjinë e reformës. Pikërisht këtë kemi marrë përsipër të diskutojmë sot me ju. Kemi identifikuar faktorët e mëposhtëm si elementë kyç të metodologjisë së reformës: Pikënisjet universale; dimensioni buxhetor; dimensioni statistikor; ndikimi në asistencën e huaj; nonitorimi i rezultateve.
Me fjalë të tjera, ajo që ne duam të përçojmë është mesazhi se reformat e vërteta në gjyqësor janë të mundura vetëm nëse ato kanë si pikënisje realizimin e qëllimeve universale të funksionit gjyqësor (në dallim nga diskutimi që ka si pikënisje ndryshimin e ligjit” “x se bie në kundërshtim me ligjin “y”), bazohen në buxhete të qëndrueshme dhe zhvillimore, bazohen mbi një bazë të shëndoshë të dhënash, janë të koordinuara mençurisht me burimet e huaja dhe monitorohen periodikisht përsa i takon efekteve.
Pikënisjet Universale - Ndonëse në fushën e organizimit të drejtësisë nuk ka një acquis communautaire të mirëfilltë që të paracaktojë objektivat dhe hapat konkretë të reformës, ekzistojnë standarte të tjera, më të buta, por kurrrësesi të neglizhueshme nga reformatorët. Pikërisht këto standarte të gjithëpranuara (nevoja për të garantuar pavarësinë e gjyqësorit në vazhdimësi, nevoja për të garantuar një shërbim efiçient gjyqësor në linjë me konceptimin e ri të gjyqësorit si shërbim, në radhë të parë, nevoja për të siguruar një shkallë të lartë transparence dhe përgjegjshmërie në punën e gjyqësorit) duhet të shërbejnë si pikënisje dhe njëkohësisht objektiva të reformës në drejtësi. Vetëm një reformë e orientuar drejt këtyre qëllimeve universale do të jetë e qëndrueshme dhe e efektshme.
Buxheti Gjyqësor - Në nivel strukturor, Shqipëria ka bërë zgjedhjet e duhura në lëmin e buxhetit gjyqësor. Ashtu siç rezulton edhe nga parimet ndërkombëtare në këtë fushë, në Shqipëri buxheti gjyqësor konceptohet, mbrohet në Parlament dhe eventualisht zbatohet nga vetë gjyqësori. Ndonëse zgjidhja konkrete që i ka dhënë ligji shqiptar çështjes të buxhetit gjyqësor është disi anormale teksa buxheti administrohet nga një bord që nuk e ka kurrë rëndësinë dhe përfaqësueshmërinë e KLD (sipas mendimit time KLD-ja do të ishte menaxhuesja më e natyrshme e buxhetit gjyqësor), në nivel parimor çështja është zgjidhur drejt. Janë vetë gjyqtarët ata që menaxhojnë buxhetin e gjyqësorit.
***
Eshtë vendi për disa shifra. Natyrisht përdorimi i shifrave është një ushtrim delikat por mund të jetë shumë instruktues nëse zhvishet nga disa elementë që konfondojnë. Kështu buxheti vjetor i gjykatave dhe i Prokurorisë në vitin 2004 ka qënë diçka më shumë se 19 milionë Euro. Natyrisht, që kjo shifër në vetvete nuk do të thotë asgjë. Nuk mund të thuash që është shumë apo është pak sepse financimi i shërbimeve publike, në fund të fundit varet kryekëput nga performanca e ekonomisë kombëtare dhe nga nevojat reale të gjyqësorit. Sidoqoftë kjo shifër mund të tregojë shumë nëse shihet e ndarë për frymë popullsie dhe krahasohet me shifrat që rezultojnë nga i njëjti ushtrim i bërë në vende të tjera. Ky është një ushtrim që, duke lënë për një çast mënjanë mundësitë ekonomike, tregon nëse drejtësia financohet mirë apo keq në një vend të caktuar, në një moment të caktuar. E pra shifra prej rreth 19 milionë Euro e pjesëtuar me numrin e shqiptarëve tregon se buxheti i gjyqësorit në Shqipëri është 6,2 Euro për frymë.
Një sondazh i realizuar në 40 vende anëtare të Këshillit të Evropës tregon se financimi i gjyqësorit në Shqipëri është i ulët duke lënë pas vetëm Armeninë, Gjeorgjinë dhe Turqinë. Ky po që është një tregues absolute, dhe negativ për fat të keq, për nivelin e financimit të gjyqësorit në këtë vend.
Duke shkuar pak më tej dhe duke parë vetëm njërin nga zërat e rëndësishëm të këtij buxheti, pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, mund të nxjerrim të tjera konkluzione të rëndësishme. Kështu paga vjetore e një gjyqtari dhe prokurori të shkallës së parë, në fillim të karrierës, për vitin 2004, ka qënë 7750 Euro. Në këtë segment Shqipëria nuk performon edhe aq keq pasi gjyqtarët tanë, ndonëse të nënpaguar, paguhen më mirë se homologët e tyre në Armeni, Azerbaixhan, Bullgari, Gjeorgji, Maqedoni, Moldavi, Rumani, Ukrainë dhe Mal i Zi. Ndërsa prokurorët tanë paguhen më mirë se homologët e tyre në vendet e lartpërmendura, plus në Rusi dhe Letoni.
Baza e të Dhënave - Reformat që nuk udhëhiqen nga të dhënat statistikore janë të verbëra dhe të destinuara të jenë jetëshkurtra. Nuk them ndonjë gjë të re po të evidentoj faktin se pak vëmendje i është kushtuar në Shqipëri çështjes së mbajtjes së statistikave gjyqësore. Statistikat më domethënëse në lidhje me punën e gjyqësorit sot në Shqipëri gjenden në Ministrinë e Drejtësisë. Gjithashtu gjykatat e veçanta japin disa të dhëna statistikore në raportet e tyre vjetore. Sidoqoftë të dhënat statistikore mblidhen në bazë të një metodollogjie të papërshtatshme që nuk i përgjigjet problemeve më të mprehta të gjyqësorit.
Duke qënë se problemet e gjyqësorit mund të përmblidhen në disa grupe të mëdha e të palëvizshme (pavarësia, efiçienca, transparenca e përgjegjshmëria), statistikat duhet të ndërtohen në mënyrë të tillë, që të sigurojnë lëndë të parë për të arritur në konkluzione të rëndësishme pikërisht në lidhje me këto çështje. Kjo presupozon vizion dhe leadership të procesit në nivelin më të lartë të mundshëm. Krejt e kundërta ndodh sot në Shqipëri ku mbledhja e të dhënave statistikore është një operacion rutinë i pambështetur siç duhet financiarisht apo me burime njerëzore. Pak ose aspak përpjekje bëhen për të orientuar procesin e mbledhjes së të dhënave në drejtim të prioriteteve, ashtu siç rezultojnë ato nga sondazhet e opinionit publik, nevoja për arritjen e standarteve në punën e gjyqësorit dhe prioritet e qeverisë në këtë fushë. Për pasojë dobia e të dhënave për reformën është vetëm margjinale.
***Ne kemi një kuptim paraprak në lidhje me aktorët e reformës në drejtësi. Megjithatë ne as që e imagjinojmë potencialin e shumë e shumë aktorëve të tjerë, të cilët as që i llogarisim në këtë moment por që do t’i shohim n.q.s thjesht ndryshojmë mënyrën se si bëhen ligjet në këtë vend. Hapja e procesit legjislativ do të ketë të njëjtin efekt mbi ligjbërjen dhe kontributin e aktorëve si Kutia e Pandorës në lëvizjen e erërave. Natyrisht që shumëfishimi i kontributeve nuk mund të zbehë rolin primar të politikës në reformën