E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prapësia Ballkanike e Putinit

Rusia përsëri ka marrë vrull. Këtë herë Kremlini i ka futur gishtat në sy Perëndimit rreth përpjekjeve për t'i sjellë Kosovës pavarësinë formale. Për dallim nga zhurma rreth mburojës raketore amerikane në Evropë, ky konflikt nuk tregon shenja të zbutjes dhe kërcënohet t'i prishë edhe më tej marrëdhëniet e ngurta ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit.
Në çdo pikë, Rusia i ka sfiduar përpjekjet e Perëndimit që të përshpejtojë pavarësinë e Kosovës. Pas një viti negociatash mes Serbisë dhe Kosovës, Kremlini i presidentit Vladimir Putin e hodhi poshtë raportin e ndërmjetësuesit të Kombeve të Bashkuara për pavarësi të mbikëqyrur, duke parandaluar që ky raport të miratohet nga Këshilli i Sigurimit. Rusia insistoi në tre muaj shtesë të negociatave ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, megjithëse kompromisi u bë i pamundur. Tre javë më parë në Këshillin e Sigurimit, Rusia përsëri insistoi se çdo marrëveshje duhet të ketë pëlqimin e Serbisë dhe Kosovës, dhe se nevojiten negociata të mëtejme. Rusia e di se bisedimet e tilla do të ishin të padobishme, por beson se një apel i tillë për bisedime, i cili duket pa sherr, mund ta prishë unitetin e Bashkimit Evropian, që duket se është qëllim jetik i Putinit. Shtyrja e mëtejme gjithashtu mund të nxiste dhunë në Kosovë dhe të minonte përpjekjet ndërkombëtare për pavarësi.
Kundërshtimin e Putinit e nxit urrejtja e tij ndaj marrëdhënieve "të nënshtruara" të Rusisë me Perëndimin në kohën e Boris Jelcinit. Por vonesat e Perëndimit në zgjidhjen e statusit të Kosovës lejuan që ky kundërshtim të marrë hov. Në fakt, Perëndimi vazhdimisht në mënyrë të gabuar i ka lexuar qëllimet e Rusisë rreth Kosovës dhe shumica pohonin se Kremlini po e shtyn të pashmangshmen, por më në fund nuk do ta bllokojë pavarësinë. Tash Rusia i mbetet besnike pozicionit obstrukcionist dhe zgjedhjet presidenciale në mars edhe më shumë do t'i forcojnë qëndrimet anti-perëndimore.
Por, çfarë do bëjë Putini kur Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve të BE-së do ta njohin Kosovën e pavarur në muajt e ardhshëm pa bekimin e Kombeve të Bashkuara, siç po planifikojnë tani?
Nuk ka mundësi që Kremlini të përpiqet për ndonjë ndërhyrje tjetër ushtarake në Kosovë, si në vitin 1999 kur pësoi fiasko me zbarkimin e trupave në Aeroportin e Prishtinës. Por Kremlini tash ka mundësi tjera, dhe me efektivitet e mbështet intransigjencën nacionaliste të Serbisë rreth Kosovës. Rusia është thënë se nuk do t'i japë Serbisë çekun e bardhë, por me gjasë do t'i mbështesë përpjekjet e qeverisë serbe për ta izoluar dhe destabilizuar Kosovën e pavarur
Përderisa Serbia i ka rezistuar ndarjes së Kosovës, Rusia gjithashtu mund ta mbështesë propozimin serb për ndarjen e pjesës veriore të banuar me serbë, një përpjekje që do të hapte kutinë e Pandorës me ndarje të mundshme të Serbisë, Bosnjes dhe Maqedonisë. Një propozim i tillë mund të fitonte pak mbështetje në Evropë dhe gjetkë si një kompromis i duhur, madje nëse përsëri do të destabilizonte Ballkanin.
Rusia gjithsesi do t'i vazhdojë përpjekjet e saj diplomatike për të bindur botën se negociatat janë rruga e vetme për të zgjidhur problemin, dhe se ai nuk mund të zgjidhet jashtë Kombeve të Bashkuara. Kjo do tërheqë mbështetjen e shumicës së anëtarëve të Kombeve të Bashkuara, përfshirë dhe ata që kanë pakica të mëdha etnike të pakënaqura.
Rusia gjithashtu mund të reagojë përtej Ballkanit, me gjasë në Kaukaz, duke njohur rajonet që kërkojnë shkëputje në Gjeorgji. Deklarata e pavarësisë së Kosovës me siguri mund të sjellë një deklaratë të ngjashme në Abkhazi, të cilën Rusia mund ta njohë. Nëse Gjeorgjia ndërmerr hapa ushtarakë për ta parandaluar, ushtria ruse me siguri do të reagonte me forcë, duke krijuar një situatë që mund të dalë nga kontrolli.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk duan t'i përkeqësojnë marrëdhëniet me Rusinë, por ato nuk mund të zmbrapsen para kokëfortësisë ruse, sepse në lojë është siguria e Evropës. Por ata gjithashtu duhet të përpiqen që të parandalojnë konfrontimin me Rusinë në të gjitha frontet.
Perëndimi duhet t'ia bëjë të qartë Serbisë se do të reagojë energjikisht kundër çdo përpjekjeje për të promovuar dhunën apo ndarjen e Kosovës. Dërgimi i trupave shtesë të NATO-s, bashkë me misionin e planifikuar të Bashkimit Evropian për të mbikqyrur pavarësinë e Kosovës, do të ishte shumë i dobishëm.
*Ish-ndihmës Sekretar i Shtetit / Artikulli është botuar në gazetën “Moscow Times”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›