E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzimet me lejet Inspektorati i Ndërtimit, padi kreut të Bashkisë së Durrësit

Autori i Lajmit: Redaksia
Inspektorati Kombëtar i Ndërtimit ka paditur kreun e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Ai akuzohet se nuk ka zbatuar vendimin e KRRT së Durrësit duke lejuar ndërtimin e një pallati 21-katësh, që kishte leje ndërtimi vetëm për 12 kate. Kallëzimi penal i Inspektoratit Kombëtar të Ndërtimit është depozituar ditën e djeshme në Prokurorinë e Durrësit.

Kallëzimi

Ministri i Transporteve dhe i Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, ka sqaruar dje arsyet e padisë ndaj Dakos. Sipas tij, Dako nuk ka zbatuar vendimin e KRRT së Durrësit për prishjen e një pallati 21-katësh, që kishte leje ndërtimi vetëm për 12 kate. “Pallati ka 9 kate mbi lejen e ndërtimit. Pallati sot ka mbetur me 21 kate ndërkohë që leja fillestare e dhënë në vitin 2001 nga ish- kryetari i Bashkisë të Durrësit, Miri Hoti, ka qenë fillimisht për 12 kate, më pas me një shtesë mbi lejen në vitin 2003 janë akorduar dhe 2 kate të tjera, ndërkohë ndërtuesi ka shtuar mbi 12 katet tashmë të shitura, ku banojnë familje, 7 kate të tjera”,- është shprehur Olldashi. Ministri ka sqaruar se, aktualisht, kryetari i Bashkisë së Durrësit nuk zbaton vendimin për prishjen e kateve të tepërta. Ai ka theksuar se pallati është me rrezikshmëri të lartë, pasi në të banojnë familje që rrezikohen nga dita në ditë. “Për këtë pallat, Bashkia e Durrësit ka marrë një vendim prishjeje, por nuk po ekzekutohet. Kemi paraqitur sot kallëzim penal për kreun e Bashkisë së Durrësit, për lejimin e një ndërtimi 7-katësh mbi këtë pallat që e bën të rrezikshëm për banorët që jetojnë aty”,- sqaroi Olldashi.

Evakuimi i banorëve

Sipas ministrit Olldashi, duhet të evakuohen banorët nga pallati dhe të ndërhyhet për prishjen e 7 kateve pa leje.
“Do ti kërkoja paralelisht kryetarit të Bashkisë së Durrësit të ndërhyjë menjëherë, duke qenë autoriteti i vetëm kompetent për të ndërhyrë mbi këtë shtesë për realizimin e prishjes dhe për evakuimin e banorëve që janë në një rrezik evident. Rreziku është përtej së imagjinueshmes. Ai nuk është më një pallat, por është një bombë e aktivizuar që mund të pëlcasë nga momenti në moment”,- përfundoi Olldashi.

Dako: “Shpifjeve do tu
përgjigjem me kallëzim penal”

Reagon kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, duke hedhur poshtë akuzat e ministrit të Transportit, Sokol Olldashi, për pallatin 21-katësh në Durrës. “Janë shpifje”,- u shpreh Dako, duke replikuar se vendimi për prishje është marrë nga Bashkia e Durrësit, por është kërkuar ndihma e Inspektoratit të Lartë të Ndërtimit për ndërhyrje me mjete, si shkak i rrezikut që paraqet ndërtesa. “Puna atje është pezulluar, ndërkohë që presim prishjen me mjete të një teknologjie të lartë, sepse është e rrezikshme prishja e objektit në atë lartësi”, - shpjegon Dako. Ndërkohë, kryebashkiaku i Durrësit nënvizoi se do tu përgjigjet me kallëzim penal, deklaratave të sotme të ministrit Olldashi, të cilat i konsideroi si shpifje e fyerje në drejtim të tij. “E dyta shpifje e zotit Olldashi në drejtimin tim personal dhe unë do ti përgjigjem me kallëzim penal për shpifje dhe për fyerje zotit Olldashi. Njëkohësisht do ti drejtohem edhe Presidentit të Republikës për këtë tension që zoti Olldashi dhe ministrat e qeverisë Berisha po mbajnë ndaj pushtetit lokal”,- u shpreh Dako. Ministri i Transporteve deklaroi sot se qeveria ka depozituar një padi penale ndaj kreut të Bashkisë së Durrësit, duke e akuzuar për moszbatim të vendimit të KRRT e duke lejuar ndërtimin e një pallati 21-katësh, në të cilin vetëm 12 kate janë me leje.

Ky lajm është publikuar: 10/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›