E Diel, 1 Nëntor 2026

Aldo Bare nuk pranon të gjykohet nga Fatmira Hajdari

Autori i Lajmit: Redaksia
Avokati mbrojtës i Aldo Bares, të akuzuarit si kapo i Bandës së Lushnjës, dorëzoi sot në seancë kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Fatmira Hajdari nga shqyrtimi i çështjes. Mbrojtësi ligjor, në emër të klientit të tij, tha se nuk pranon si të drejtë dhe të paanshëm gjykimin nga gjyqtarja Fatmira Hajdari, duke kërkuar largimin e saj nga trupi gjykues. Burime nga gjykata bëjnë të ditur se kërkesa e Bares pritet të shqyrtohet nga kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda, ndërsa mësohet se pretendimet e Aldo Bares lidhen me paragjykimin politik.
Fatmira Hajdari është caktuar gjyqtare në trupën që po shqyrton dosjen e Aldo Bares te Krimet e Rënda, pasi gjyqtarët e kësaj gjykate u konsumuan me dosjet e mëparshme të Bandës së Lushnjës, ndërsa ligji parashikon se i njëjti gjyqtar nuk mund të shqyrtojë dy herë dosje që kanë të bëjnë me të njëjtët persona. Kreu i Bandës së Lushnjës u ekstradua disa ditë më parë nga Ankaraja. I konsideruar person i rrezikshëm, Bare gjatë gjithë kohës është shoqëruar nën vëmendjen e policëve, forcave të RENEA-s dhe krerëve të Policisë Shqiptare. Për më se një dekadë Aldo Bare ka qenë në kërkim, por vetëm në vitin 2006, Policia e Shtetit arriti të godiste me sukses anëtaret e bandës së tij kriminale, që jetonin e vepronin në Shqipëri. Prokuroria për Krimet e Rënda formuloi akuzën ndaj drejtuesit të kësaj organizate kriminale, Aldo Bare, për krijimin e organizatës kriminale, për më tepër se 20 vrasje, për rrëmbim personi, shkatërrim prone, dhunim varresh, kryerje veprash penale në bashkëpunim nga organizata kriminale. Aldo Bare akuzohet gjithashtu për drejtimin e njërit prej rrjeteve më të fuqishme të trafikut ndërkombëtar të drogës në drejtim të Evropës Perëndimore, për të cilat bashkëpunohet me partnerët tanë perëndimorë. Arrestimi dhe ekstradimi i Aldo Bares përbën një sukses të padiskutueshëm të Policise Shqiptare, i cili u arrit si rezultat i një pune inteligjente, edhe duke bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë, nëpërmjet së cilës u finalizua identifikimi i plotë i këtij personi, i cili maskohej me emra të ndryshëm, nëpërmjet pasaportave të falsifikuara, me emrat fals Mikel Kodra, Artur Sallabanda etj. Ekstradimi dhe përballja e tij me drejtësinë shqiptare do të ndikojë pozitivisht për thellimin e hetimit të kësaj organizate kriminale.

Ky lajm është publikuar: 10/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›