E Diel, 1 Nëntor 2026

G99: “Mazhoranca të tregojë fajtorët e skandaleve korruptive”

Autori i Lajmit: Redaksia
Qëllimi i vetëm i mazhorancës qeverisëse ka qenë të vendosej në krye të korrupsionit, kështu pohoi dje përfaqësuesi i G99, Genc Kojdheli, me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Korrupsionit. “Sot kjo është e qartë, kur shohim paratë që qytetarët duhet të paguajnë çdo ditë, në çdo derë të shtetit, nga spitalet, hipoteka, tatimorët e deri tek çdo aparatçik i vogël i këtij shteti që qelbet nga koka”, - tha Kojdheli. Sipas G99, sejmenët e qeverisë frymëzohen nga shembulli i shefave të tyre, që për një grusht para më shumë vranë 26 njerëz në Gërdec, që zhvatën paratë e rrugës së kombit, vodhën tokat më të mira të Shqipërisë, që paguan me paratë e vjedhura nga taksapaguesit një fushatë zgjedhore, për të vazhduar grabitjen e asaj çka mbetur nga ekonomia e pasuria e vendit. “Qeveria Berisha ka dështuar haptazi në zbatimin e strategjisë antikorrupsion, ka uzurpuar gjyqësorin dhe ka garantuar mosndëshkimin e përfaqësuesve të vet politikë përmes imunitetit parlamentar apo presionit të dukshëm e të padukshëm mbi prokurorinë dhe gjykatat”, - tha ai. Kojdheli shtoi se kjo mazhorancë duhet tu tregojë shqiptarëve se cilët janë fajtorët për shpërthimin e Gërdecit, për rrëzimin e tunelit të Kalimashit, për shitjen e tokave bregdetare bandave në favor të një rrethi shumë të ngushtë njerëzish, e për shumë skandale të tjera korruptive.

Ky lajm është publikuar: 10/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›