Abuzimet, KLSH dërgon në Prokurori 130 pushtetarë
Fabiola Çela
Abuzimi me postin vazhdon të jetë ‘sëmundja’ e disa prej pushtetarëve të qeverisë. Gjatë këtyre 9-muajve ekspertët e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë evidentuar një sërë abuzimesh me fondet e buxhetit të shtetit nga zyrtarët e administratës shtetërore. Për pasojë KLSH-ja ka dërguar për ndjekje penale mbi 130 prej tyre. Një deklaratë e tillë është dhënë nga vetë kreu i KLSH-së, Robert Çeku.
Kontrollet
Sipas kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Robert Çeku, rastet e abuzimeve me fondet e shtetit kanë ardhur duke u pakësuar, por “jo me hapa të mëdha” me kalimin e viteve. Por kontrollet e KLSH-së kanë evidentuar se ka zyrtarë të administratës, të cilët nuk zbatojnë ligjin. “Ata paguhen për të bërë punën sipas ligjit, por kanë mendje tjetër”, tha dje kryetari i KLSH-së Çeku. Nga kontrollet e KLSH-së është evidentuar se abuzimet kryesisht kanë të bëjnë me fondet për infrastrukturën rrugore. Ndërkohë sipas raportit zyrtar të KLSH-së për 6-mujorin e parë të këtij viti nga 72 kontrolle të planifikuara për evadim, në fakt ka ushtruar dhe ka vijuar me përgatitjen e materialeve për 138 kontrolle. Nga kontrollet e ushtruar gjatë kësaj periudhe janë zbuluar parregullsi dhe shkelje financiare në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm efektiv të përgjithshëm në shumën totale prej 1 686 171 000 lekë. Ky dëm efektiv i përket veprimtarisë ekonomiko-financiare për periudhën kohore 2005-2007. Tatimet dhe doganat mbeten dy gropat e zeza, pasi në këto dy institucione dëmet financiare arrijnë vlerat më të larta. Në dogana dëmi financiar arrin vlerën e 689 milionë lekëve dhe është shkaktuar si pasojë e shmangies së detyrimeve doganore, ndërsa për sa i përket degës së Tatim-Taksave arrin në 200 milionë lekë. Sipas KLSH-së, në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, dëmi financiar arrin vlerën e 56.5 milionë lekëve dhe është shkaktuar nga moskryerja e ndalesave të tatimit mbi të ardhurat të projektuesit të segmentit Rrëshen Kalimash-Morinë.