Biznesi: Ok krijimit të Gjykatës Administrative
Në fillim të vitit 2009 pritet të nisë nga puna Gjykata Administrative, e cila do të marrë në shqyrtim të gjitha çështjet e biznesit. Gjatë një takimi të zhvilluar dje mes ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, me komunitetin e biznesit ky i fundit është shprehur ‘OK’ krijimit të kësaj gjykate. Përfaqësuesja e Dhomës Amerikane të Tregtisë, Filloreta Luli Fabër, u shpreh se krijimi i kësaj gjykate është i domosdoshëm dhe duhet të hyjë në linjë integrale me zbatimin e ligjit të ri të Procedurave Tatimore. Sipas saj, një kusht i domosdoshëm është pavarësia e gjykatës dhe niveli profesional i stafit të saj, që duhet të ketë eksperiencë në fushën fiskale. “Ka ardhur koha që sistemi gjyqësor të konsiderohet i tillë kur të konsiderojë shtetin para gjykatës të barabartë me individin dhe biznesin”, tha ministri Alibeaj, duke konfirmuar ngritjen e Gjykatës Administrative në fillim të vitit 2009. Ky projektligj parashikon shpejtësinë në gjykimin e çështjeve administrative, ekzekutimin automatik të vendimit të gjykatës. Krijimi i kësaj shoqate u kërkua me ngulm nga komuniteti i biznesit gjatë diskutimeve të ligjit të Gjobave. Ky ligj është kundërshtuar ashpër nga komuniteti i biznesit.