MSH kërkon zbatimin e ligjit antiduhan në ambientet publike
Ligji antiduhan, edhe pse u konsiderua i dështuar, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur ta zbatojë deri në fund nismën e marrë.
Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me OBSH-në dhe shoqatën “Për një Shqipëri pa duhan”, organizoi një takim ku u diskutua për zbatimin e menjëhershëm të ligjit. Ministria e Shëndetësisë, në drejtimin e Anila Godos, pritet të ndërmarrë një sërë masash në vazhdim të zbatimit të ligjit. Në këtë tryezë u diskutua për problemet që ka pasur moszbatimi i këtij ligji në terren. Specialistët theksuan se vendi ynë renditet në vendet me përqindje të lartë të duhanpirjes. Ata apeluan se nëse vazhdon ky nivel i duhanpirjes, gjysma e këtyre personave do të vdesin nga duhani, një e katërta e të cilëve janë në moshë mesatare.
Kjo është edhe arsyeja që Ministria e Shëndetësisë është e vendosur për një rifillim të ligjit antiduhan. Ndalimi i duhanpirjes në mjedise publike të mbyllura është një masë që siguron mbrojtjen e shëndetit të personave që nuk pinë duhan nga fenomeni i njohur si “duhanpirje pasive”. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, i cili iu kërkoi përfaqësuesve të Policisë Bashkiake si dhe Policisë Tatimore të mbanin një raport në lidhje me vështirësitë që kanë hasur gjatë monitorimit të zbatimit të këtij ligji në terren. Ligji “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, është miratuar në parlament, në 26 maj të 2006-ës. Inspektorët Drejtorisë së Shëndetit Publik për Tiranën, disa muaj më parë sqaruan se ky ligj për disa kohë ishte ndër më të suksesshmit, pasi që në momentet e para që ka hyrë në fuqi, është respektuar përgjithësisht nga të gjitha subjektet. Por, mosvjelja e gjobave që u vendosën nga inspektorët që ushtrojnë kontrolle, tregoi se ligji ka një handikap. Sipas tyre vjelja nuk u bë në kohë. Ministria e Shëndetësisë për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve hartoi disa broshura për të sensibilizuar të gjithë duhanpirësit për dëmet që shkakton duhani.
12 Shtator 2008