E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia me dy standarde për hashashin, nuk preket Lazarati



Prej disa kohësh strukturat e Policisë kanë mbyllur sytë ndaj kultivuesve të Cannabisit në Lazarat dhe janë përqendruar në realizimin e aksioneve në rrethet e tjera. Disa përpjekje për të hyrë në fshat dhe për të shkatërruar bimët narkotike kanë dështuar. Më e fundit është regjistruar dy ditë më parë, ku burime jozyrtare pohojnë se ka pasur edhe përplasje me armë mes forcave të rendit dhe banorëve të zonës. Ndërkaq, burimet zyrtare të Policisë së Shtetit raportojnë për aksione anti-Cannabis në Shkodër, Tepelenë, Fier dhe Elbasan. Në këto rrethe janë asgjësuar mbi 2500 rrënjë hashash, ndërsa beteja e forcave të Rendit në fshatin rebel është përqendruar në ndalimin dhe bllokimin e autoboteve dhe kamionëve që transportojnë ujë që përdoret për të vaditur bimët narkotike.
Dështimi
Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) në bashkëpunim me policinë e qarkut Gjirokastër, kanë zhvilluar në orët e para të mëngjesit të djeshëm një operacion “blic” shumë pranë Lazaratit, fshati “rebel” i cili prej dhjetë ditësh, ndodhet i rrethuar totalisht nga uniformat blu. Burime në policinë e qytetit jugor bëjnë të ditur se kontrollet u zhvilluan në kuadër të operacionit “Siguria e Jetës”, që zyrtarisht synon “reduktimin e aksidenteve rrugore” dhe “shkeljeve të tjera të qarkullimit rrugor”, por që në të vërtetë është një aksion i posaçëm për t’i paraprirë futjes në Lazarat. Gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit janë ushtruar kontrolle fare pranë fshatit Lazarat por pa hyrë në territorin e brendshëm të tij. “Ne kemi bllokuar në vendin e quajtur Kordhocë, dy kamionçina me cisterna metalike dhe plastike të cilat shërbenin për transport uji në fshatin Lazarat, - deklaruan burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër. Dihet që këtë ujë banorët e zonës e përdorin me qëllim vaditjen e drogës, (Cannabis Sattiva) që në këto ditë është në fazën përfundimtare të pragkorries. Ndërkohë, policia konfirmoi se janë bllokuar edhe shtatë vetura si dhe u janë hequr xhamat e zinj katër makinave të tjera. Ndërsa janë vendosur 106 masa administrative me vlerë 78.500 lekë.
Burimet nga Policia e Gjirokastrës, bënë të ditur se operacioni i koduar “Siguria e Jetës” do të vazhdojë me synim finalizimin e tij me hyrjen në Lazarat ku aktualisht ndodhet në gjendje pezull, për shkak të rrethimit nga FNSH-ja, një sasi shumë e madhe hashashi e korrur dhe një pjesë tjetër edhe më e madhe, në prag korrjeje.
Operacionet
Operacionet anti-Cannabis të ndërmarra nga policia kanë bërë të mundur asgjësimin e mbi 2500 rrënjëve bimë narkotike në Shkodër, Tepelenë, Fier dhe Elbasan. Ndërkohë raportohet për dy persona të prangosur, ndërsa për rastet e tjera, burimet policore pohojnë se lënda narkotike është gjetur e mbjellë në tokë pa pronar. Burime zyrtare të Policisë së Qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se "në vijim të operacioneve në luftën për zbulimin, asgjësimin dhe parandalimin e bimëve narkotike u asgjësuan 2200 rrënjë bimë narkotike Cannabis sativa në fshatin Rrekal e Bjeshkët e Blenit të komunës Postribë të rrethit të Shkodrës dhe në komunën Shkrel të rrethit të Malësisë së Madhe në vendin e quajtur "Qafa e erës" dhe "Bjeshkët e Dragonit". Sipas verifikimeve të bëra në vendngjarje, parcelat e mbjella kanë rezultuar pa pronar, por grupet hetimore po punojnë për të zbuluar autorët e mbjelljes së tyre. Operacione të ngjashme u organizuan edhe në fshatrat e Tepelenës. Sipas të dhënave, u bë e mundur që në banesën e shtetasit Bashkim Qamili, në fshatin Nivicë, të evidentoheshin 195 rrënjë bimë të dyshuara si Cannabis sattiva, të mbjella në bahçen e tij përpara shtëpisë, të cilat varionin nga 220 centimetra deri në 250 centimetra të larta. Policia nuk bëri të mundur ndalimin e tij. Gjatë kontrollit në këtë fshat u ndalua vëllai i tij, shtetasi Bashkim Mufit Qamili, pronari i banesës, të cilit ju gjetën në tokën në pronësinë e tij rreth 95 rrënjë Cannabis.
Forcat e policisë gjetën dhe sekuestruar edhe 17 rrënjë bimë narkotike në qytetin e Roskovecit, si dhe ndaluan shtetasin Agron Xhaxho, 20 vjeç. Policia në bazë të informacioneve të mara në rrugë operative, ishte vënë në vëzhgim të 20-vjeçarit banues në Roskovec. Po sipas burimeve policore bimët, të cilat ishin në lartësinë 3-3,5 m, ishin të kultivuara ndërmjet rreshtave me misër, në largësinë 70-80 cm larg njëra –tjetrës. Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale, bimët, ndërkohë që ndaloi në ambientet e Komisariatit të Policisë Fier autorin e kultivimit të tyre. Një tjetër operacion u organizua edhe në fshatin Gjinar të rrethit të Elbasanit gjatë mbrëmjes së dy ditëve më parë, ku u asgjësuan disa rrënjë Cannabis. Ndonëse janë ndërmarrë një sërë operacionesh gjatë kësaj vere, sërish, numri i personave të vënë para ligjit është shumë i vogël. Në pjesën më të madhe të rasteve, të ndaluarit kanë qenë gra ose të moshuar.

12 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›