E Diel, 1 Nëntor 2026

Taksat, kryeqytetasit pranojnë të paguajnë për pastrimin, por jo për gjelbërimin



Emanuela Sako

Kryeqytetasit, edhe pse duan që të kenë mjedise të përshtatshme për çlodhje, sërish për një pjesë prej tyre nuk është e drejtë të paguajnë taksa vendore. Sipas raportit më të fundit të Bashkisë së Tiranës, për këtë tetëmujor rezulton se taksën e pastrimit e paguajnë më shumë se taksat e tjera. Ndërsa taksa e gjelbërimit është më pak e paguara. Nga këto statistika, taksa e pastrimit rezulton se paguhet më shumë nga qytetarët e Tiranës, edhe pse ka pësuar një rritje nga 210 lekë në 360 lekë. Vjelja më e madhe e tarifës së pastrimit nga familjarët rezulton të jetë në Njësinë Bashkiake Nr. 4, ku Bashkia ka përfituar 25,038.040 lekë vetëm në 8-mujorin e parë. Ndërsa Njësia Bashkiake Nr. 10 ka më pak përfitime se të 11 minibashkitë e tjera. Taksa e gjelbërimit, që paguhet më pak nga familjarët, vihet re në shifrat zyrtare që ka dhënë Njësia Bashkiake Nr. 10. Taksa e ndërtesës ruan një ekuilibër normal përsa i përket pagesës që bëhet nga banorët e kryeqytetit. Njësitë bashkiake shpeshherë kanë probleme me mospagimin në kohë të taksave vendore. Për të gjitha familjet që nuk paguajnë, njësitë bashkiake marrin masa duke mos u ofruar shërbimet familjeve që janë debitorë ndaj tyre.
Rregullorja
Detyrimi për tarifën e pastrimit është vjetor. Për kategorinë e parë, që janë familjarët, detyrimi paguhet në 2 këste. Kësti i parë duhej të ishte paguar brenda datës 30 prill, ndërsa kësti i dytë brenda datës 30 shtator. Për çdo familje të krijuar rishtas, afati i pagesës së tarifës së pastrimit do të jetë 30 ditë nga dita e regjistrimit të saj në zyrën e gjendjes civile të njësisë bashkiake përkatëse dhe detyrimi tatimor do të llogaritet nga muaji kur është bërë regjistrimi i saj. Për familjarët detyrimi llogaritet dhe paguhet për familje. Për të llogaritur detyrimin për tarifën familjarët duhet të paraqesin pranë agjentit tatimor përkatës certifikatën e gjendjes familjare të lëshuar nga zyra e gjendjes civile.
Taksat
Pak kohë më parë Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi paketën fiskale që kryeqyteti do të përdorë deri në vitin 2010. Sipas paketës fiskale, një pjesë e taksave ekzistuese pësojnë rritje. Kjo është bërë në bazë të një politike, e cila ka për t’i ardhur në ndihmë disiplinimit të trafikut të makinave, përmirësimit të mjedisit si dhe shërbimeve të tjera që ofron pushteti lokal. Përsa i përket pastrimit të qytetit, kjo taksë pësoi rritje. Kështu, nga 2100 lekë që ishte në vitin e kaluar, ajo u bë 3600 lekë, 4 mijë lekë në vitin 2009 dhe 5 mijë lekë të rinj në vitin 2010. Taksa e gjelbërimit ndryshoi në mënyrë progresive dhe do të vazhdojë me të njëjtin ritëm deri në vitin 2010. Kështu, ajo u bë 300 lekë gjatë këtij viti, do të bëhet 400 lekë për vitin e ardhshëm dhe 500 lekë në vitin 2010. Këto vlera janë miratuar përsa u përket familjarëve. Ndërsa për bizneset, ato janë pak më të larta. Taksat për biznesin e vogël kanë pësuar gjithashtu ndryshime. Kështu, objektet e shitjes me pakicë, që bëjnë deri në 2 milionë lekë xhiro, paguajnë 45 mijë lekë si taksë vjetore. Kjo është me e ulëta, ndërsa për biznese që kryejnë deri në 8 milionë lekë xhiro, tarifa që ato paguajnë shkon në 143 mijë lekë në vit. Rritje ka pësuar edhe taksa e tabelës, e vendosur për qëllime reklamimi. Kështu, ajo u bë një mijë lekë metri katror në ditë. Sipas formulimit që i bëjnë ekspertët, vendosje tabele në funksion të ekspozimeve të ndryshme të hapura do të kuptohen të gjitha ato tabela në funksion të panaireve të ndryshme, që kanë si qëllim për vete ose për të tretët. Paketa e re fiskale arrin që të favorizojë bizneset, si lojëra me kompjuter, lojëra fëmijësh të hapura dhe të mbyllura, institucionet jopublike të edukimit si shkollat, kopshtet apo çerdhet dhe subjektet që zhvillojnë aktivitet në fushën e prodhimit të produkteve ushqimore.

Bashkia rikonstruktoi shkollën “Lidhja e Prizrenit”

Fëmijët që banojnë në Rrugën e Barrikadave do të fillojnë procesin mësimor në një shkollë tërësisht të rikonstruktuar. Shkolla “Lidhja e Prizrenit” do të ketë auditorë të rinj, laboratorë, palestër, bibliotekë dhe mjedise rekreative, për më shumë mundësi e kushte të favorshme për zhvillimin e procesit mësimor-edukativ. Bashkia e Tiranës rikonstruktoi shkollën “Lidhja e Prizrenit”. Vlera për rehabilitimin e plotë të objektit është 628 453 euro, falë një kredie të financuar nga Banka e Këshillit të Europës (CEB). Kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, i pranishëm në përfundimin e punimeve, u shpreh se ky proces transformimi rrënjësor është një proces që garanton një të ardhme shumë të sigurt për kryeqytetin dhe për shoqërinë kryeqytetase.
Në projektin e rikonstruksionit të shkollës janë respektuar të gjithë parametrat bashkëkohorë, duke e shndërruar atë në një godinë 4-katëshe, me një kapacitet prej 760 nxënësish. Po ashtu, është shtuar numri i klasave që arrijnë në 24, pesë laboratorë me sipërfaqe 200 m2, si dhe ambientet për administratën (69m2)
Çdo kat është pajisur me nuklin e tij të nyjave sanitare, si për nxënësit, ashtu edhe për stafin pedagogjik. Shkollës i janë bashkëlidhur dy shkallë, një qendrore dhe një sekondare në rast evakuimi. Nxënësit e kësaj shkolle do të ushtrohen këtë vit të ri shkollor në një palestër krejtësisht të re me një sipërfaqe 237 m2, mungesa e së cilës kufizonte veçanërisht organizimin e aktiviteteve të ndryshme sportive. Projekti i shkollës “Lidhja e Prizrenit” është realizuar në funksion të fëmijëve me aftësi të kufizuar. Shkolla është pajisur me rampa në hyrje të saj, në palestër si dhe në nyjat sanitare të katit përdhes.

12 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›