E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva e policëve grekë bllokon Kakavijën dhe Tre Urat



GJIROKASTËR – Grevat që po bëjnë strukturat e Policisë së Greqisë kanë bërë që të bllokohet përkohësisht puna në pikat e kalimit kufitar të Kakavijës dhe Tre Urave. Ato kanë qenë jashtë funksionit ditën e djeshme dhe do të jenë edhe gjatë ditës së sotme. Sipas policisë lokale, bëhet e ditur se pala greke ka njoftuar ditën e enjte se nga ora 12:00 deri në orën 15:00 të dyja pikat kufitare të qarkut të Gjirokastrës, ajo e Kakavijës dhe Tri Urat, nuk do të funksionojë. Ndërkohë që sot pikat e kalimit kufitar do të jenë të bllokuara për 24 orë. “Lëvizjet si në hyrje dhe në dalje do të jenë të bllokuara për shkak se pala greke është në grevë”, - ka njoftuar policia e vendit fqinj. Sipas të njëjtit njoftim bëhet e ditur se kalimi do të lejohet vetëm për urgjencat, për këmbësorët si dhe për kalimin, eksportin dhe importin e mallrave bujqësore dhe blegtorale që rrezikojnë të prishen nëse qëndrojnë gjatë. Me këtë rast pala shqiptare bën thirrje që të mos ketë shumë lëvizje përgjatë këtyre orëve meqenëse bllokimi është i lajmëruar.

Zjarri rrezikon banesat dhe transmetuesit televizivë në Zvërnec

VLORË - Një zjarr i dyshuar se është vënë qëllimisht në zonën jugore të kodrave pranë fshatit Zvërnec në Vlorë ka rrezikuar seriozisht banesat dhe krejt zonën në fjalë, ku janë të vendosura përveç shumë shtëpive e pronave të fshatarëve përreth edhe antenat e transmetimit të televizioneve. Zjarri ka nisur rreth orës 14:00 të ditës së djeshme dhe mendohet të jetë vënë në mënyrë të qëllimshme. Ai është favorizuar nga era e fortë duke u shpërndarë fillimisht në kodrën ngjitur, e më tej ka shkrumbuar pemë frutore e ullinj. Gjithashtu në zjarr është përshirë duke u djegur një pjesë e varrezave të fshatit Zvërnec, ndërsa më pas i është afruar antenave të televizioneve dhe banesave. Kanë qenë banorë të fshatit që janë përpjekur ta lokalizojnë atë për të evituar përhapjen e gjerë të tij. Edhe pse banorët dhe punëtorët të firmës së internetit, që po instalonte fibrat optike në këtë zonë janë përpjekur të shuajnë zjarrin, ai ka shkrumbuar një sasi të konsiderueshme pemësh frutore, ullinjsh dhe pajisjet e firmës, konkretisht fibrat optike të shtrirë prej saj në zonë, me një dëm prej mëse 20 milionë lekësh të vjetër. Zjarrfikësja e mbërritur në vendngjarje ka lokalizuar zjarrin duke evituar që ai t’i afrohej banesave. Gjithsesi zjarri nuk ka kursyer varrezat e shumë pemë frutore e ullinj. Sipas banorëve të zonës zjarri ka qenë i qëllimshëm, ndërsa tashmë policia po punon për identifikimin e zjarrëvënësit.

SHKURT
Kapet në Kakavijë e kërkuara për rrëmbimin e fëmijës

DURRËS - Forcat blu të Kakavijës kanë vënë në pranga 40-vjeçaren Rexhina Serjani, pasi ndaj asaj rëndon akuza për marrjen e padrejtë të fëmijës. Policia konfirmoi dje se ndaj Serjanit, ka një procedim penal nga Gjykata e Rrethit Durrës, për veprën penale të kryer në muajin maj të këtij viti. Gjithashtu bëhet e ditur se arrestimi i saj është bërë i mundur nga policia e pikës kufitare Kakavijë, teksa po përpiqej të kalonte jashtë territorit të Shqipërisë me qellim kalimin në Greqi.

Depresioni, tenton vetëhelmimin kamerierja e pub-it

DURRËS - Në kushtet e një depresioni të rëndë, një 17-vjeçare ka tentuar t’i japë fund jetës duke pirë detergjente për larjen e rrobave, por falë ndihmës së shpejtë ka mundur që të shpëtojë. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se shtetasja E. H., lindur në Tiranë dhe e punësuar si kameriere ne një disko në Lagjen Nr.13 është paraqitur dy ditë më parë në spitalin e Durrësit për ndihmë mjekësore. Sipas tyre, ajo ishte helmuar me ilaç rrobash. E dëmtuara pas marrjes së ndihmës mjekësore është dërguar drejt Spitalit Ushtarak në Tirane, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Aksidentohet 48-vjeçari, ndalohet drejtuesi i mjetit

ELBASAN - Një 48-vjeçar u plagos rëndë mbrëmjen e kaluar, pasi u përplas nga një automjet, teksa udhëtonte me motoçikletën e tij në aksin rrugor Cërrik-Belsh, ndërkohë që policia ndaloi drejtuesin e mjetit. Aksidenti ndodhi në fshatin Shalës të Elbasanit, kur Elis Kuqja, i cili drejtonte mjetin tip "BMË" me targa të huaja KIB 8380, përplasi I.R, 48 vjeç, i cili pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore në spitalin kirurgjik të qytetit të Elbasanit, është dërguar në spitalin Ushtarak të Tiranës, pasi ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

I dhanë 100 euro false, punonjësi i karburantit denoncon në polici

DURRËS - Në Prokurorinë e Durrësit ka filluar procedimi penal pa autor për falsifikim monedhash. Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur dje se kallëzimi është bërë nga D.Xh., banues në Durrës, punonjës në një pikë karburanti. Sipas denoncimit, në pikën e karburantit ku 40-vjeçari punonte është paraqitur një veturë e tipit “Benz”, shoferi i të cilit ka paguar me monedhë prerje 100 euro false, e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale nga policia lokale. Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe ndalimin e personit që posedonte kartëmonedhën false.

Ndahet nga jeta gazetari dhe publicisti Mark Lalaj

Në orën 11:00 të ditës djeshme u nda nga jeta Mark Lalaj, gazetari i njohur nga qyteti i Laçit dhe korrespondenti i disa mediave të njohura në Tiranë. Ai pësoi një atak kardiak, i cili qe fatal për jetën e tij. Mark Lalaj ka punuar si gazetar pranë Televizionit Publik Shqiptar, Televizionit Koha. Deri dy ditë më parë ai punonte si gazetar i Televizionit ALSAT për qarkun e Lezhës. Ai është autor i disa specialeve dhe dokumentarëve televizivë kushtuar historisë, traditës dhe zakoneve të rrethit të Kurbinit dhe të Mirditës. Ai është autori i dokumentarit “Mirë se erdhët në Kurbin”, kushtuar kosovarëve të dëbuar nga trojet etnike në Kosovë dhe të vendosur përkohësisht në Kurbin gjatë vitit 1999. Po kështu, ka hapur një ekspozitë fotografike, kushtuar Kosovës si dhe ka qenë organizator i tubimeve për pavarësinë e Kosovës, të organizuar në Milot dhe Mamurras gjatë asaj kohe. Ai ishte një ndër intelektualët e spikatur të rrethit të Kurbinit. Që pas rënies së diktaturës ka qenë aktivist në politikë, duke drejtuar për shumë vite degën e Partisë Republikane në Laç. Mark Lalaj ndërroi jetë në Spitalin e Laçit, duke lënë dy fëmijë dhe bashkëshorten, si dhe një arkiv të pasur në fushën e gazetarisë, të cilës i kushtoi gjithë jetën.

Redaksia e gazetës “Albania i shpreh ngushëllimet bashkëshortes dhe dy fëmijëve për ndarjen e parakohshme nga jeta të mikut dhe kolegut tonë, Mark Lalaj

12 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›