Pallati i Dash Pezës, nuk ka lënë rrugë as për ambulancën në rast urgjence
Denoncimi publik nga qytetarët, banorë të zonës, vetëm nga Prokuroria nuk dëgjohet
Lëvizja qytetare “Zgjohu”, jo më larg se fillimi i qershorit të këtij viti, denoncoi një aspekt tjetër të betonizimit të Tiranës atë të grabitjes së rrugëve të qytetit për t’i dhënë miqve të Edi Ramës, hapësira të konsiderueshme për të ngritur pallate shumëkatëshe.
Mes një mënyre origjinale, përfaqësuesi i lëvizjes qytetare “Zgjohu” Altin Goxhaj, duke qëndruar në sediljen e shoferit të një ambulance, nëpërmjet ndezjes së sirenës së alarmit i nxori të gjithë banorët në dritaret dhe ballkonet e shtëpive si dhe shumë qytetarë të tjerë që ndodheshin nëpër lokalet pranë një pallati të paligjshëm që është ngritur mbi rrugën “Urani Pano”, nga Dash Peza.
Jo më larg se fillimi i muajit qershor të këtij viti, avokati Altin Goxhaj, drejtues i lëvizjes “Zgjohu”, i cili është edhe banor i kësaj zone, pas ankesave të shumë qytetarëve që banojnë në këtë zonë, vendosi të hipte në një ambulancë dhe të kërkonte të kalonte aty ku disa vite më parë ka qenë rruga e lagjes së tij.
Në rolin e shoferit të ambulancës në prezencës e shumë gazetarëve, banorëve dhe kalimtarëve të ndryshëm Goxhaj ndezi për 15 minuta sirenën e alarmit të autoambulancës për të treguar se çfarë ndodh në lagjen e tij në rast se ka një nevojë apo akoma edhe më keq nëse larg qoftë do të binte zjarr në këtë zonë në mes të Tiranës, ku as ambulanca, në një rast të mundshëm urgjence, nuk mund të kalonte.
“Ky është pallati i ngritur nga miku i afërt i Edi Ramës, Dash Peza. Edi Rama pasi na grabiti parqet e gjelbra dhe hapësirat sportive tashmë na ka vjedhur dhe rrugët!... Ky është modeli i Tiranës së Edi Ramës, ky është modeli i Tiranës së betonizuar, një Tiranë ku pallatet ngrihen njëri mbi tjetrin si kulla drejt qiellit pa asnjë normë sigurie dhe kalimi në rast emergjencash”, denonconte pesë muaj më parë avokati Altin Goxhaj.
Ky reagim, jo vetëm qytetar, vetëm nga organi i akuzës vazhdon të mos dëgjohet.