Abuzimet e bankave, BSH ngre task-forcë për të vendosur gjoba
Abuzimet e ndryshme që bankat e nivelit të dytë kanë bërë në kurriz të klientëve, por edhe fshehja e bilanceve të kredive negative, kanë detyruar Bankën e Shqipërisë që të marrë masa. Pas konstatimeve të shkeljeve të ndryshme, BSH-ja ka propozuar ngritjen e një grupi të veçantë kontrolli i cili nuk do të kursejë as gjobat për bankat private në se konstatohen shkelje të ndryshme. Mungesa e likuiditetit, si pasojë e krizës financiare, bëri që bankat në Shqipëri të kalonin një periudhë të vështirë gjatë vitit 2009. Si pasojë e kësaj situate, BSH-ja nisi grupet e inspektimit për të monitoruar nga afër procesin e vështirë që po kalonin bankat, ndërsa urdhëroi ngritjen e audituesve për të mësuar shkaqet e përkeqësimit të cilësisë së kredisë, në raportin vjetor të mbikëqyrjes, BSH-ja pranon se, “bankat në vend patën mangësi në zbatimin e disa rregulloreve, duke vënë në vështirësi sistemin financiar. Edhe pse në vit krize, bankat nuk u kanë qëndruar strikt rregullave të vendosur nga BSH-ja, një pjesë e të cilave lidheshin pikërisht me situatën e vështirë financiare. Mangësi janë evidentuar në drejtim të administrimit të rrezikut të kredisë, të ushtrimit të funksioneve të kontrollit të brendshëm, të kontrollit të rrezikut operacional, të përputhshmërisë ndaj treguesit bazë të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit, të ekspozimit ndaj rreziqeve të mëdha, të transparencës me klientin etj.”. Nga mbikëqyrja janë evidentuar probleme kryesisht në menaxhimin e rreziqeve. Nga BSH-ja u kërkua që strukturat e brendshme të kontrollit, si Audituesi i Brendshëm ashtu edhe Komiteti i Kontrollit, të orientohen me tepër në kontrollet e kryera drejt aktiviteteve më me rrezik të bankës.
Turistët maqedonas hasin në pengesa për të pushuar në Shqipëri
Shteti maqedonas ka adoptuar një masë financiare për të penguar lëvizjen e rregullt të turistëve maqedonas drejt Shqipërisë. Në doganën e vendit fqinj, në kufi me Pogradecin, për 6 muaj, siguracioni ndërkombëtar i autoveturës që dilte nga vendi ishte sa 12 mijë lekë shqiptare, ndërkohë që siguracioni për një vit ishte sa 21 mijë lekë (në dinarë). Mjafton ky fakt, që të kthehen nga destinacioni i parashikuar afro gjysma e pushuesve, që kanë planifikuar të udhëtojnë drejt Shqipërisë. Megjithatë, kjo nuk ka penguar që këtë vit, si asnjëherë tjetër më parë, qytetarët e Maqedonisë të jenë më të shumtë në numër, madje duke kaluar edhe kosovarët që hyjnë në Shqipëri. Ministria e Turizmit ka publikuar dje shifrat e 6-mujorit, ku rezulton se gjatë periudhës janar-qershor 2010, vizitorët nga Maqedonia kanë zënë 21 për qind të numrit total të të huajve. Ata janë pasuar nga banorët e Kosovës me 19 për qind të totalit, ndërkohë që edhe malazezët kanë qenë shumë të pranishëm - 12 për qind. Ndër vendet e tjera, përqindjet kanë qenë shumë më të ulëta. Kështu, grupet e vizitorëve me pasaporta italiane dhe greke kanë përbërë, secili, nga 8 për qind të totalit, 4 për qind kanë qenë serbë, tre për qind britanikë, po aq edhe nga Gjermania, etj. Statistikat e Ministrisë theksojnë se numri i përgjithshëm i vizitorëve në Shqipëri për periudhën janar-qershor 2009 ishte rreth 1.001.105 persona. Këtu përfshihen vizitorë të huaj 549.105, nga të cilët 135.812 ishin vizitorë ditorë (ekskursionistë), ndërsa 413.293 të tjerë kanë qenë vizitorë me net-qëndrime (turistë). Ndërkohë, vizitorët me nënshtetësi shqiptare, të cilët janë rezidentë në vende të ndryshme kanë hyrë rreth 452.000 persona.
Revista “National Geographic”, suplement të veçantë për turizmin shqiptar
Në edicionin e qershorit, revista “National Geographic Traveler” publikoi një suplement me 47 faqe mbi vendet e Ballkanit Perëndimor, që u shpërnda në mbi 200,000 abonentë në vendet e Europës. “The Western Balkans: Land of Discovery” prezantoi dje thesaret historike dhe kulturore të gjashtë vendeve Ballkanike: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia. Ky publikim nxori në pah historinë dhe kulturën e pasur të Shqipërisë me informacion dhe foto nga vendet nën mbrojtjen e trashëgimisë botërore “UNESCO”, festivali kombëtar folklorik që organizohet çdo vit, kuzhina e shijshme tradicionale, restorantet unike, biodiversitetin e veçantë dhe bukurinë natyrore të Shqipërisë. Projekti u mbështet dhe u ideua nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), e cila mbështet promovimin e imazhit të Shqipërisë si një destinacion turistik unik dhe mikpritës, në nivel rajonal dhe kombëtar.
Spanja, Irlanda dhe Greqia, shesin me sukses eurobondet
Spanja, Irlanda dhe Greqia ia dolën me sukses të çlirojnë të martën tregjet, një shenjë kjo se përpjekjet evropiane për të qetësuar tregjet mbi krizën e borxheve të vendeve të eurozonës ia kanë dalë të kenë sukses. Të tre vendet konsiderohen mes më të prekshmeve në mes të 16 vendeve që përdorin euron, e që kanë nivele të larta shpenzimesh qeveritare dhe ekonomi të dobëta. Greqia për pak arriti në situatën e mospagimit të borxheve në pranverë të këtij viti, dhe aktualisht po punon nën presionin e madh të BE-së dhe FMN-së për realizimin e programeve të shkurtimeve buxhetore dhe reduktimit të borxhit. Kostoja e huamarrjes për vendet e tjera është rritur ndjeshëm, mes shqetësimeve se edhe ato, po ashtu, mund të përfundojnë në situata të vështira në përballimin e pagimit të borxheve.
Në këtë kuadër, Greqia përfundoi me sukses të mërkurën ankandin për shitjen e bonove tremujore të thesarit, duke mbledhur 1,95 miliardë euro. Kërkesa për bonot greke e kaloi ofertën 3,85 herë. Ky është ankandi i dytë që kur Athina mori ndihmat e Bashkimit Evropian në muajin maj për të shmangur një falimentim të mundshëm të shtetit.
22 Korrik 2010