E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkurtimi i fondeve, Gjykata Kushtetuese nuk ka para të paguajë dritat



Eljona Ballhysa - Përfaqësuesit e institucioneve të pavarura janë ankuar dje në Komisionin Parlamentar të Ligjeve në lidhje me shkurtimin e fondeve të parashikuara në buxhetin shtesë të qeverisë. Por më të prekurit duket se janë tre institucionet më të rëndësishme të gjyqësorit, si Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme. Ndërsa presidenca nuk i është përgjigjur ftesës për të marrë pjesë në komision dhe madje mësohet se nuk kanë dërguar as me shkrim pretendimet e tyre për buxhetin. Ndërsa institucionet e tjera të gjyqësorit kanë bërë të ditur një sërë problemesh me të cilat duhet të përballen tani që kanë një buxhet të reduktuar, duke filluar që nga mungesa e parave për të paguar faturat e energjisë elektrike. Diskutimi për buxhetin e institucioneve të pavarura ka nxitur debate të ashpra mes deputetëve demokratë dhe atyre socialistë në Komisionin Parlamentar të Ligjeve. Kështu socialistët e cilësuar shkurtimin e fondeve për Gjykatën Kushtetuese si një tentativë e qeverisë për të goditur këtë institucion mjaft të rëndësishëm. Ata propozuan që të rishikohet shkurtimi i fondeve për institucionet e pavarura në mënyrë që të mos ndikojë në punën e tyre. Ndërsa demokratët e cilësuan sulmin e PS-së si një përpjekje për të transferuar krizën e tyre tek Gjykata Kushtetuese dhe institucionet e tjera të pavarura.
Debati
Sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese, Kujtim Osmani bëri të ditur në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve se shkurtimi i buxhetit me 22% të kësa gjykata ia bën të pamundur funksionimin këtij institucioni. Me këtë ankesë përfaqësuesit e gjykatës i janë drejtuar Komisionit të Ligjeve duke pretenduar madje që me paratë e mbetura rrezikojne të mos paguajnë as energjinë elektrike. “Nëse ne nuk paguajmë këto detyrime që kemi, varet nga KESH nëse do na i presë energjinë apo jo” - tha Osmani. Kjo deklaratë e sekretarit të përgjithshëm të Gjykatës Kushtetuese ka bërë që opozita ta konsiderojë reduktimin e fondeve si sulm politik ndaj këtij institucioni. “Në qoftë se ka një institucion të rëndësishëm që ka siguresat e funksionimit të ligjit dhe Kushtetutës në republikën e Shqipërisë është Gjykata Kushtetuese, ku përplasen valët edhe majtas edhe djathtas. A mund të më jepni një shpjegim çdo të thotë t’i shkurtosh një institucioni 20 e ca përqind personel dhe 20 e ca përqind buxhet? Po godisni autoritetin e Gjykatës Kushtetuese”,- është shprehur socialisti Majko. Por kjo deklaratë e Majkos solli reagimin e menjëhershëm të kryetarit të komisionit, Rusmali i cili akuzoi PS-në se po bën përpjekje të transferojë krizën e kësaj partie në Gjykatën Kushtetuese. “Përpara se sa me vajin e kandilit që na kërkove ti të ndez dritat e alarmit të shqiptarëve, për krizën që po kërkoni të përjetoni tek institucionet kushtetuese të vendit, kam nevojë të dëgjoj reagimin e përfaqësuesit të këtij institucioni Kushtetues”,- u shpreh deputeti demokrat, Ilir Rusmali. Por përfaqësuesi i Gjykatës Kushtetuese bëri të ditur se ky institucion nuk ka fonde për të paguaj 11 shoferët, ndërsa shtoi se këta shoferë prej 4 muajsh nuk marrin pagën. Përfaqësuesja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë bëri të ditur në Komisionin e Ligjeve se shkurtimi i buxhetit për këtë institucion vështirëson procedurën e inspektimit të gjykatave në rrethe të ndryshme të vendit. Ndërsa Prokuroria e Përgjithshme u ankua se shkurtimi i buxhetit shkakton probleme në përkthimin e dosjeve penale. Ndërsa pak dite me pare, Shërbimi Informativ pohoi se ulja e shpenzimeve po e nxirrte jashtë funksionit këtë institucion, duke rrezikuar kështu sigurinë kombëtare.
Financat
Duket se të vetmet që nuk janë prekur nga shkurtimi janë financat e partive politike.
Të gjithë institucionet e tjera shtetërore tashmë pas miratimit të shkurtimeve të buxhetit e shohin veten me më pak para në dispozicion. Sipas tabelave që shoqërojnë shkurtimet buxhetore pothuaj të gjithë institucionet do të marrin më pak financime nga se ishte planifikuar në fillim të vitit. Pjesë e shkurtimeve janë Prokuroria, Gjykata Kushtetuese, Avokati i Popullit dhe gjithë institucionet e tjera. Një pjesë e madhe e këtyre shkurtimeve cënon investimet publike dhe siç dihet tashmë nuk do të ketë asnjë nisje të veprave të reja deri në fund të këtij viti. Sipas programit të ri buxhetor vetëm zëri i investimeve publike në gjashtëmujorin e dytë të 2010 do të shkurtohet me rreth 16 miliard lekë.

22 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›