Aksident në Qafë-Mali - Fierzë, 2 të plagosur
PUKË- Shënohet aksidenti automobilistik i radhës në segmentin e rrezikshëm rrugor Qafë-Mali - Fierzë. Burime nga Policia e Pukës thanë se një automjet tip fuoristradë me targa angleze ka dalë dje nga rruga, duke përfunduar disa metra poshtë saj. Për pasojë kanë mbetur të plagosur shtetasit Abdyl Degaj e Skifter Abazi, të cilët u transportuan menjëherë në drejtim të Spitalit të Pukës ku dhe kanë marrë ndihmën e duhur mjekësore, ndërsa janë larguar prej andej pasi nuk kishin plagë serioze.
Sipas policisë, dy të plagosurit po udhëtonin drejt Tiranës për të marrë pjesë në manifestimin e 8 dhjetorit. Policia e Pukës ka bërë të ditur se shkak i këtij aksidenti ka qenë pakujdesia e drejtuesit të mjetit dhe lagështira në rrugë.
Gjatë dy javëve të fundit kanë ndodhur disa aksidente të rënda në rrugët e vendit tonë, por ngjarja më tragjike ishte në aksin Fushë-Krujë – Laç, ku gjatë një përplasje mes dy automjeteve, mbeten të vdekur gjashtë persona.
Ndotet plazhi i Zvërnecit, dhjetëra kamionë hodhën peshk të prishur
VLORË - Një sasi e konsiderueshme arkash me peshk të prishur janë hedhur mëngjesin e së martës në zonën e plazhit të Zvërnecit, në bregdetin e Vlorës. Ato duket se janë lënë aty nga ndonjë tregtar peshku apo magazine për shkak të dëmtimit apo kohës së madhe të qëndrimit në magazinë. Një nga dëshmitarët në vendngjarje thotë se ka parë kamionë që shkarkuan në zonën e plazhit. Kjo zonë është dëmtuar vazhdimisht nga persona të papërgjegjshëm që hedhin mbeturina, veçanërisht në zonën pyjore.
9 Dhjetor 2009