Lufta kundër parave false mbledh në Durrës ekspertët e Europol-it dhe të rajonit
TIRANË – Agjencia europiane e luftës kundër krimit, Europol, zhvilloi dje në Shqipëri një takim me pjesëmarrjen e ekspertëve nga vendet e Ballkanit në luftën kundër falsifikimit të kartëmonedhave, veçanërisht të euros. Burime zyrtare të Policisë së Shtetit bëjnë të ditur se “qëllimi i këtij takimi është shkëmbimi i përvojës dhe eksperiencave më të mira të ekspertëve pjesëmarrës, si dhe forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ndërmjet organizatave policore për ta parandaluar e goditur fenomenin e falsifikimit të monedhave dhe në veçanti të euros. Në ceremoninë e hapjes së këtij aktiviteti mori pjesë zëvendësdrejtori i Përgjithshëm për Hetimin e Krimit, Agron Kuliçaj. Në këtë aktivitet marrin pjesë ekspertë të strukturave të Policisë dhe Prokurorisë së vendeve të Ballkanit, si: Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Serbia, Mali i Zi e Maqedonia. Po ashtu mori pjesë dhe shefi i Njësisë së Europol-it për goditjen e falsifikimit të monedhave, Diter Petracs, si dhe ekspertë të tjerë të kësaj njësie.
Falsifikimi i monedhave në përgjithësi dhe ai i euros në veçanti është një fenomen që ndikon direkt në tërë ekonominë e shteteve europiane. Shtimi dhe zgjerimi i vendeve anëtare të BE-së rrit njëkohësisht dhe rrezikun e prekjes së këtyre vendeve nga fenomeni i falsifikimit të euros. “E vlerësoj shumë këtë nismë të Europol-it për organizimin e takimit të ekspertëve të vendeve tona, si një urë bashkëpunimi ndërmjet agjencive tona të zbatimit të ligjit për t’u përballur me këtë fenomen dhe për ta parandaluar dhe goditur atë”, - tha gjatë fjalës së tij zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për Hetimin e Krimit, Agron Kuliçaj.
Këtë vit qeveria shqiptare dërgoi oficerin e parë pranë zyrës qendrore të Europol-it në Hagë, i cili është personi ndërlidhës për bashkëpunimin në realizimin e operacioneve të përbashkëta. Pak ditë më parë, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ishte në qendrën e Europol-it dhe firmosi me këtë institucion të rëndësishëm të luftës kundër krimit një marrëveshje për bashkëpunim strategjik me strukturat antikrim në vendin tonë.
9 Dhjetor 2009