Lejet në bregdet e çojnë sërish Bollanon para Drejtësisë, edhe 4 zyrtarë në hetim
VLORË – Kryetari i Bashkisë së Himarës sërish vihet në bankën e të akuzuarve, por kësaj radhe, ai dhe katër zyrtarë të tjerë akuzohen për dhënie lejesh ndërtimi duke shpërdoruar detyrën dhe falsifikuar dokumentet zyrtare. Burimet zyrtare të Prokurorisë së Vlorës bëjnë të ditur se dje është hapur çështje penale për shtetasin Vasillaq Bollano, me detyrë kryetar i Këshillit të Rregullimit të Territorit pranë Bashkisë Himarë dhe njëkohësisht kryetar i kësaj bashkie. Gjithashtu, për ndjekje penale Prokuroria ka dërguar edhe shtetasit Polimer Ruçi, me detyrë sekretar i Këshillit të Rregullimit të Territorit pranë Bashkisë Himarë dhe njëkohësisht drejtor i Zyrës së Urbanistikës pranë kësaj bashkie gjatë viteve 2005-2008; Leonard Hysi, me detyrë sekretar i Këshillit të Rregullimit të Territorit pranë Bashkisë Himarë dhe njëkohësisht drejtor i Zyrës së Urbanistikës pranë kësaj Bashkie; Eugen Gjyzari, me detyrë jurist i Këshillit të Rregullimit të Territorit pranë Bashkisë Himarë; si dhe Tatjana Dhima, me detyrë sekretare e Këshillit të Rregullimit të Territorit pranë Bashkisë Himarë gjatë viteve 2005-2008.
Denoncimi
Gjithçka nisi kur disa qytetarë bënë kallëzime për drejtuesit e Urbanistikës në Bashkinë e Himarës, përfshirë edhe kreun e këtij institucioni. Burimet zyrtare pohojnë se regjistrimi i procedimit është bërë mbi bazën e kallëzimeve penale të bëra nga shtetasit Pirri Cali, Anastas Cali, Theodhori Veizi, Anastas Llaguri, banues të qytetit të Himarës dhe Jalës. Nga hetimet e kryera dhe nga provat e mbledhura në kuadër të këtij procedimi penal, ka rezultuar e provuar se, nga ana e të pandehurve janë kryer veprime në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës gjatë shqyrtimit dhe miratimit të disa lejeve për ndërtim në territorin e Himarës dhe Jalës. Sipas Prokurorisë, janë miratuar leje për shesh ndërtimi dhe leje ndërtimi në favor të personave jopronarë të truallit, duke cenuar të drejtën e pronësisë së pronarëve të tyre.
Organi i akuzës sqaron se, duke u bazuar te denoncimet, “janë miratuar leje për ndërtim në zonat turistike, kur në ligjin për urbanistikën është sanksionuar se miratimi i lejeve të ndërtimit në zonat turistike është kompetencë vetëm e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë. Po ashtu, sipas tij, “janë miratuar leje për ndërtim për dy ose tri kate banimi me vendim të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Bashkisë së Himarës, ndërsa zbardhja e tyre nga Vasillaq Bollano në cilësinë e kryetarit të KRRT-së është bërë për tri ose katër kate banimi, duke falsifikuar të dhënat e formularëve të lejeve, si dhe falsifikuar, nëpërmjet ndërhyrjeve mekanike, procesverbalet e mbledhjeve të KRRT-së së Bashkisë Himarë. Një tjetër shkelje e konstatuar sipas Prokurorisë është se janë miratuar leje për shesh ndërtimi dhe leje për ndërtim në zona jashtë vijës së verdhë të qytetit të Himarës, si dhe pa pasur një studim urbanistik të miratuar për truallin ku janë miratuar lejet e ndërtimit. Prokuroria bëri me dije se kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasillaq Bollano, nuk është paraqitur asnjëherë para organit të Prokurorisë për të dhënë shpjegime lidhur me faktet që i janë atribuuar gjatë gjithë fazës së hetimeve paraprake dhe as në përfundim të tyre.
Akuza e parë
Kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, është akuzuar edhe më parë për “shpërdorim detyre”. Pas denoncimeve, ndaj tij nisi procedimi penal dhe më pas procesi gjyqësor për heqjen e disa tabelave në aksin Ura e Llogorasë - Himarë, të cilat ishin në gjuhën shqipe dhe vendosjen e tabelave të tjera në gjuhën greke. Nga hetimet e bëra nga Prokuroria u faktua se tabelat ishin hequr me urdhër të kryetarit të Bashkisë, Vasil Bollano, i cili është edhe kryetar i Shoqatës së Minoritetit Grek OMONIA. Tashmë kryebashkiaku i Himarës do të përballet sërish me akuza të tjera, por kësaj radhe, përveç “shpërdorimit të detyrës”, ai po hetohet edhe për “falsifikim të dokumenteve zyrtare”.
TË HETUARIT
Vasil Bollano - kryetar i Këshillit të Rregullimit të Territorit pranë Bashkisë së Himarës
Polimer Ruçi, sekretar i Këshillit të Rregullimit të Territorit pranë Bashkisë, drejtor i Zyrës së Urbanistikës gjatë viteve 2005-2008
Leonard Hysi, sekretar i Këshillit të Rregullimit të Territorit pranë Bashkisë Himarë, drejtor i Zyrës së Urbanistikës
Eugen Gjyzari, jurist i Këshillit të Rregullimit të Territorit pranë Bashkisë Himarë
Tatjana Dhima, sekretare e Këshillit të Rregullimit të Territorit pranë Bashkisë Himarë gjatë viteve 2005-2008
Lejet e ndërtimit, hetim për kryekomunarin e Novoselës
VLORË - Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka dërguar për ndjekje penale kreun e komunës Novoselë të Vlorës. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, shtetasi Rait Llanaj ka dhënë një leje për administrimin e shpërndarjes së dheut në një karriere. Ky vendim është dhënë në kundërshtim me ligjin, pasi i vetmi autoritet i ngarkuar me ligj për ekzekutimin e ligjit duke kontraktuar me subjekte të ndryshme për shfrytëzimin e karrierave të ndryshme është ministri përkatës. KRRT-ja e komunës Novoselë ka miratuar dy leje ndërtimi për ndërtimin e dy objekteve në territorin e komunës Novoselë më datë 25.02.2008 dhe datë 28.08.2007. Sipas Prokurorisë, ka rezultuar se të dy këto objekte janë ndërtuar mbi troje që ndodhen jashtë vijës së verdhë të komunës Novoselë. I pandehuri si kryetar i komunës nuk ka kërkuar miratimin e lejes së ndërtimit dhe të studimit urbanistik KRRT-së së qarkut të Vlorës për dy objektet. Nga hetimet ka rezultuar së një nga objektet është ndërtuar në një tokë, e cila, sipas Nenit 6 të Ligjit Nr.8405, datë 17.09.1998, nuk mund të tjetërsohej në truall.
9 Dhjetor 2009