E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sheshi, plani për kontrollimin e trafikut

12/04/2010 Bashkia shpërfill paralajmërimet për bllokimin e punimeve në shesh, prezanton fazën e dytë të punimeve

Qarkullim i fragmentarizuar i automjeteve, rrugët dhe parkingjet që do të bllokohen

Pranvera Kola

Polemikat dhe debatet e lindura ndërmjet pushtetit qendror dhe atij vendor nuk do të bëhen shkak për ndërprerjen e punës mbi rikonstruksionin e sheshit “Skënderbej”. Ky fakt është konfirmuar gjatë ditës së djeshme, ku vetë kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka prezantuar ecurinë e punimeve të fazës së dytë, e cila ka të bëjë me kufizimin dhe devijimin e trafikut në disa zona të sheshit, për të mundësuar normalitetin e këtyre punimeve. Sipas planit të përcaktuar, qarkullimi i automjeteve do të bëhet i fragmentarizuar në segmente të caktuara, çka do të sjellë ndalimin e makinave në disa rrugë hyrëse, si dhe eliminimin e shumë parkingjeve. “Po njiheni me prezantimin e detajuar të fazës tjetër të punës, e cila tashmë përbën një sfidë të përbashkët edhe me qytetarët, pasi do të fillojmë të menaxhojmë në një mënyrë të ndryshme trafikun rreth dhe përmes sheshit, duke kaluar në pjesë të sheshit që do të bllokohen dhe pjesë të tjera që do të mbeten të hapura për trafikun”, ka deklaruar Rama. Ndryshimi i rrugëve të qarkullimit do të bëhet me faza, nuk do të ketë një bllokim të menjëhershëm dhe tërësor të sheshit, sepse kjo do të dëmtonte gjithë rrjedhshmërinë e trafikut në Tiranë dhe do ta bënte praktikisht të pamundur qarkullimin. Këto punime do të bëhen pjesë-pjesë, në koordinim të plotë me Policinë Rrugore, e cila ka të gjithë eksperiencën, por edhe disponibilitetin për të garantuar këtë proces, dhe është një domosdoshmëri për të bërë të mundur që punimet të vazhdojnë të kryhen me një ritëm të lartë dhe njëkohësisht rrjedhshmëria e trafikut të mos pengohet në masën që ta bëjë të pamundur qarkullimin rreth sheshit. Në fazën e dytë të punimeve në sheshin “Skënderbej”, aktivitetet do të fillojnë të zgjerohen në këto zona të sheshit ekzistues: “Do të fillojnë punimet për kanalizimet dhe galerinë në zonën para Pallatit të Kulturës, punimet në galerinë lindje-perëndim, në seksionin para Bankës së Shqipërisë, deri në fillimin e rrugës “Luigj Gurakuqi”. Gjithashtu do të vijohet me realizimin e punimeve të projektit në zonën e lulishtes mbas monumentit. Kjo fazë e re e punimeve do të kërkojë edhe kufizimin ose devijimin e trafikut në disa zona të sheshit, për të mundësuar normalitetin e këtyre punimeve. Segmentet rrugore, të cilat do të mbyllen gradualisht për trafikun, në këtë fazë të punimeve do të jenë: Vazhdimi i Rrugës së Kavajës para Bankës së Shqipërisë, pjesa kaluese e sheshit, në zonën midis lulishtes përpara Bankës së Shqipërisë dhe monumentit të Skënderbeut. Kufizimi i lëvizjes së automjeteve në kalimin para Pallatit të Kulturës, si dhe kufizimi i lëvizjes së automjeteve në kalimin para Muzeut Kombëtar”.

Dervishaj, projekti duhet të marrë lejen e KRTRSH-së

Realizimi i punimeve për rikonstruksionin e sheshit “Skënderbej”, fillimisht duhet të marrë lejen përkatëse nga KRRTRSH-ja, e vetëm më pas të nisë zbatimi i tyre. Sipas kreut të këshillit bashkiak të Tiranës, Sokol Dervishi, problemet ligjore të lindura mbi këtë objekt janë shqetësuese dhe mund të ndikojnë në marrëdhëniet me donatorin kryesor që financon punimet, që është Qeveria e Kuvajtit. "Pa dyshim që për vendime të tilla duhet marrë miratimi i të gjitha instancave përkatëse. Pa dyshim që dhe KRRTRSH-ja, në bazë të ligjit për urbanistikën, ka rolin e saj në këtë vendimmarrje. Ky shesh po ndërtohet me një donacion bujar të qeverisë kuvajtiane dhe politizimi i skajshëm dhe mosrespektimi i procedurave nuk dëmton thjesht punimet e sheshit, po dhe një raport shumë më të rëndësishëm, që është raporti me donatorët", pohon Dervishi. Sipas tij, si Bashkia e Tiranës, ashtu edhe Qeveria, duhet të jenë të kujdesshme në trajtimin e çështjes së rikonstruksionit të sheshit, në mënyrë që të mos përsëritet historia si në rastin e mbikalimit te Zogu i Zi. Dervishi ka shtuar se asnjëra prej palëve nuk duhet të tejkalojë kompetencat e saj apo të ndërhyjë në kompetencat e palës tjetër. Qeverisja vendore dhe ajo qendrore kanë përgjegjësi ligjore të përcaktuara në ligjet mbi të cilat funksionon vendi dhe mbi ligjet mbi urbanistikën, për të ushtruar kompetencat e tyre dhe për të dhënë kontributin e tyre në realizimin e projektit.

Segmentet rrugore që do të mbyllen gradualisht për trafikun në këtë fazë të punimeve do të jenë:

Vazhdimi i Rrugës së Kavajës para Bankës së Shqipërisë.

Pjesa kaluese e sheshit, në zonën midis lulishtes përpara Bankës së Shqipërisë dhe monumentit të Skënderbeut.

Kufizimi i lëvizjes së automjeteve, në kalimin para Pallatit të Kulturës.

Kufizimi i lëvizjes së automjeteve, në kalimin para Muzeut Kombëtar.

Ky plan qarkullimi ka si pjesë përbërëse:

Fillimin e funksionimit të unazës së vogël, në pjesën perëndimore të saj (seksioni mbrapa Muzeut Kombëtar), me një drejtim lëvizjeje, duke siguruar rrjedhshmërinë e qarkullimit të automjeteve.

Hapjen e trafikut për automjetet në urën e re, në hyrje të rrugës “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, me qëllim plotësimin e unazës së vogël.

Ndryshimin e drejtimit të lëvizjes në rrugën “Qemal Stafa” (rruga “Dëshmorët e 4 Shkurtit” do të bëhet me dy drejtime lëvizjeje).

•Heqjen e parkimeve në rrugën “Mine Peza”, nga të dy krahët.

•Heqjen e parkimeve në rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, në një krah.

•Heqjen e parkimeve, e cila përfshin rrugën “Abdi Toptani”.

•Në rrugën mbrapa Pallatit të Kulturës.

•Reduktimi i parkimeve në rrugën midis Bankës së Shqipërisë dhe selisë së PS-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›