E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzimet me Durrës-Kukës, PS: Hetim aktorëve të vjedhjes masive

TIRANE- Partia Socialiste publikoi këtë të martë dokumenta nëpërmjet të cilave denoncoi abuzimet e mëdha financiare në ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Deputeti Erjon Brace deklaroi se në bazë të dokumentave të marra nga Ministria e Financave, që nga fillimi i projektit e deri më sot vlera e kontratës është rritur disa herë dhe po kaq është shtuar edhe abuzimi marramendës me paratë e shqiptarëve.

“Kontrata e Qeverisë me Kompanitë ka qenë për vlerën 416 mln euro, Sokol Olldashi e ka çuar vlerën fillimisht në 520 mln euro, Sokol Olldashi e ka çuar vlerën sërish në 740 mln euro.
Ky është abuzimi me qindra milionë euro! Sot ne po ju japim faktin e ri: Burimi: Ministria e Financave, referenca kohore: 6 muajt e parë të këtij viti, raportimi për koston për një kilometër të ndërtimit të rrugës Rrëshen -Kalimash, Kalimash-Kukës, Kukës-Morinë, sipas raportimeve të vetë Ministrise së Transporteve;
Ky dokument tregon se kostoja për një kilometër, në 6 muajt e parë të vitit, është rritur nga 826 mln lekë në 1.5 mld lekë të rinj, ose nga 8.9 mln usd në 16.3 mld usd!
Pa asnjë shkak të treguar, në kushtet kur çmimet e materialeve të ndërtimit pësuan rënie drastike, mbi të gjitha, kur materializimi në rrugë ka qenë vetëm 50 % ndërsa shpenzimi 93%!” theksoi Brace.

Nisur nga këto fakte PS përsëriti kërkesën për hetim ndaj aktorëve që sipas saj janë përfshirë në vjedhjen masive.

“E vërteta nuk mund të fshihet duke mbyllur gojën, mbushur atë me salillëqe të ulëta, penguar median të hyjë e të shoh me sy gjendjen e mjeruar të tunelit, madje dhe median qeveritare!
Natyrisht shifrat, volumet dhe pagesat e kryera për to, tregojnë se shkaku kryesor është tek nxitimi elektoral. Nxitimi elektoral për të justifikuar me këtë vepër korrupsionin e qëndrueshëm, si element thelbësor i saj, po kthehet në mallkim për këtë vepër publike. Por pa diskutim, element themelor, për së dyti, përtej kostos, për të nisur hetimet kryesisht për Sali Berishën, Lulzim Bashën e Sokol Olldashin, Kompaninë ndërtuese!
Për këtë krim ka hetime të kryera, por nuk ka gjyq! Keqbërësit zgjodhën të pengojnë hetimin e të shpëtojnë ndëshkimin! Por nuk ka krim pa prova, ashtu siç nuk ka krim pa ndëshkim!” nënvizoi deputeti socialist.

Një ditë më parë ishte kreu i Partisë Socialiste Edi Rama i cili pas shembjes së tunelit të Thirrës në rrugën Rrëshen- Kaliamsh i kërkoi Prokurorisë së Përgjithshme hetim të thellë të ngjarjes dhe heqje të imunitetit të ministrit Lulëzim Basha.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›