E Diel, 1 Nëntor 2026

Olldashi: Shëngjini port gjeneral, ka interes nga Kosova

TIRANE- Kosova shfaq interes për portin e Shëngjinit si porti më i afërt i saj. Ministri i Transporteve Sokol Olldashi ka deklaruar në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese se Shëngjini do të shndërrohet në një port gjeneral për ti dhënë akses qeverisë kosovare, kjo vecanërisht përsa i përket eksporteve dhe kryesisht cimentos, industria e së cilës është e përqëndruar në këtë zonë.

“Ka një interes të qartë të qeverisë së Kosovës për të patur akses në portin e Shëngjinit, sikurse ka një garanci të dhënë nga qeveria shqiptare që do të bëjë të mundur këtë akses. Nga ana tjetër përreth portit të Shëngjinit kemi të përqëndruar një indusrti të madhe të prodhimit të cimentos dhe sasia e prodhuar do të duhet të eksportohet. Kjo gjë do të ndodhë përmes dy drejtimeve, Portit të Shëngjinit dhe linjës hekurudhore me Malin e Zi.” u shpreh Olldashi.

Ministri ka bërë të ditur gjithashtu se brenda këtij muaji do të negociohet me kompaninë që ka marrë me koncension aeroportin Nënë Tereza me qëllim heqjen e ekskluzivitetit të fluturimeve dhe vënien në punë kështu të aeroportit të Kukësit.

Tashmë prej 3 vjetësh qeveria deklaron se po negocion me kompaninë koncensionare për heqjen e ekskluzivitetit të fluturimeve. Deklarata e parë e këtij lloji është bërë në kohën kur ministër i Transporteve ka qenë Lulëzim Basha.
(e.n/News24/alkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›