E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moxhi: Shorti i trukuar? Hetoni edhe gazetarin

ROME- Në prag të nisjes së seancës gjyqësore të procesit Calciopoli, ka qenë Luçiano Moxhi ai që ka folur, duke nisur që nga akuzat e ish-sekretarit të Shoqatës së Gjyqtarëve Manfredi Martino, që tha pak ditë më parë se goglat e shortit të arbitrave ishin të vjetra dhe të dallueshme. Martino në këtë mënyrë hodhi dyshime se shorti ishte i trukuar, gjë që Moxhi iu përgjigj me ironi. “Nëse kjo është e vërtetë, - tha ish-drejtori i Juventusit, - atëherë gazetari ishte pjesë e trukimit dhe ndaj tij duhet të nisë hetimi”. Deklarata e tij u bë jashtë mureve të Gjykatës së Napolit, ku Kolegji A i seksionit penal vazhdon të shqyrtojë Calciopolin. Akuzat e Martinos lidheshin sidomos për ndeshjen decizive të sezonit 2004-2005 mes Juventusit dhe Milanit. Moxhi foli edhe për akuzat e bëra në adresë të tij në lidhje me rënien e Bolonjës në Serinë B. “Jam akuzuar se kam ndikuar në rrëzimin e Bolonjës në Serinë B, por më pas më lexojnë një përgjim të presidentit të Federatës të asaj kohe Franko Karraro, që i thoshte dizenjatorit të arbitrave Paolo Bergamo se duheshin ndihmuar Lacio dhe Fiorentina që të mos binin nga kategoria. Për rastësi, Lacio e Fiorentina në fund shpëtuan dhe ranë Breshia e Bolonja. Përgjimi i presidentit të Federatës kaloi pa u vënë re fare dhe u akuzova unë, - deklaroi ish drejtori bardhezi. – Duke parë këtë, më duhet të pyes se ç’hyja unë në këtë mes, kur interesi im ishte të drejtoja Juventusin? Aq më tepër që nuk dija asgjë për iniciativat personale të ish-presidentit të Federatës për këtë gjë”, u shpreh më tej Luçiano Moxhi. Ish-drejtori i përgjithshëm i Juventusit është i akuzuari kryesor i Prokurorisë së Napolit për krijim shoqërie kriminale dhe kërcënime të finalizuara në mashtrim sportiv, por edhe disa akuza të tjera si dhunim i jetës private. Luçiano Moxhi ishte një nga menaxherët më të suksesshëm në futbollin italian, por hetimi i nisur nga Prokuroria e Napolit tregoi se disa metoda të tij ishin të paligjshme. Ai mbante lidhje me drejtuesit më të lartë të Federatës, me dizenjatorët e arbitrave dhe me vetë arbitrat, duke ndikuar në ecurinë e shumë ndeshjeve.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›