E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzimet më bukën, tregtarët ulin çmimin me 10 lekë, por zvogëlojnë peshën

Malli më i konsumuar nga shqiptarët shitet në mënyrë abuzive. Çmimi i grurit është ulur ndjeshëm në bursat ndërkombëtare

Ervin Koçi

Çmimi i bukës në Tiranë është ulur ditët e fundit me 10 lekë për atë që njihet si buka masive, por pavarësisht nga kjo ulje e lehtë, tregtarët kanë vijuar abuzimet me këtë mall jetik. Shkak për këtë ulje janë bërë disa furra prodhimi që prej disa vitesh e tregtojnë bukën masive me 60 lekë (bukën 1 kg), në një kohë që faktor tjetër ka qenë dhe rënia e çmimit të drithërave në tregun e shumicës, si dhe çmimi i grurit në bursa. Megjithatë, tregtarët e pangopur nuk kanë ndalur nga abuzimet, duke përfituar edhe nga mungesa e kontrolleve nga ana e shtetit në këtë sektor. Bashkë me çmimin tregtarët kanë ulur dhe gramaturën e bukës masive, ku edhe pse ajo në shumë dyqane kushton 70 lekë, në peshë nuk vjen më as 800 gramë nga 1 kg që duhet të ishte realisht duke qenë se është edhe artikull i shportës. Rrallëherë mund të rastisë që bukën masive ta blesh me më pak se 70 ose 80 lekë, edhe këto në shumicën e rasteve, më pak se 1 kg, peshë për të cilën shitet. Ndërkohë, në rrethet e tjera të vendit, aty ku varfëria është edhe më e lartë dhe bashkë me të mbetet e lartë edhe nevoja për konsum e bukës masive, është e vështirë që të konstatohet se cili është çmimi real i shitjes së një buke masive. Në mjaft qytete buka masive që peshon nga 900-1000 gramë vazhdon të shitet edhe 100 lekë, duke mbajtur kështu të pandryshuar çmimin e kohës së krizës së drithit vitin e kaluar. Nga ana tjetër, Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, nuk ka marrë asnjë masë kohët e fundit për të kontrolluar këtë produkt dhe abuzimet me të duke mos u kujdesur për mbrojtjen e konsumatorit.

Çmimi i drithërave

Çmimi i grurit dhe i të gjitha drithërave ka rënë muajt e fundit në bursat ndërkombëtare, e për pasojë edhe çmimi i miellrave të të gjitha cilësive. Por ndryshe nga tregu ndërkombëtar, e njëjta ecuri çmimesh vazhdon të ndiqet në tregun tonë e sidomos në atë të bukës. Çmimet këtu kanë mbetur të pandryshuara që në kohën kur çmimi i grurit në bursat ndërkombëtare shënonte 500 dollarë për ton. Pavarësisht se sot në bursa gruri nuk shitet më shumë se 300 dollarë për ton dhe se çmimi i naftës ka shënuar rënie rekord, përsëri qytetarët e blejnë bukën me çmimet e fundvitit 2007 dhe fillim vitit 2008. Referuar të dhënave të një shoqërie të tregtimit të miellit me shumicë në Tiranë, në fillim të vitit 2008, kur ishte edhe kulmi i çmimeve, mielli u shitej furrave mesatarisht 6000 lek kuintali, ndërsa në ditët e sotme ky çmim nuk i kalon 4500 lekët. Nisur edhe nga ankesat e qytetarëve, kryetari i Shoqatës së Konsumatorëve, Islam Cani, shprehet se, në tregun e grurit ekziston një monopol, i cili nuk lejon reflektimin e plotë në tregun vendas të uljeve që ka pësuar çmimi i grurit në bursat e vendeve nga ku importohet. "Prej gjashtë muajsh, çmimi i grurit ka pësuar një ulje të konsiderueshme, ndërsa në vendin tonë nuk është reflektuar plotësisht, duke shtuar dyshimet për ekzistencën e monopolit edhe në këtë treg",- u shpreh Cani. Sipas tij, duhen marrë masat, me qëllim shtimin e kompanive importuese të grurit.

Kontrolli i Autoritetit

Nisur nga situata në fjalë, Autoriteti i Konkurrencës ka disa muaj që ka nisur një hetim të gjerë, duke marrë në shqyrtim tregun nga importi i grurit deri te shitja e bukës me pakicë. Në rast të shkeljeve të mundshme pritet aplikimi i masave ndëshkuese. Një problem tjetër, të cilit sipas specialistëve i duhet kushtuar rëndësi, është edhe ambalazhi me të cilin paketohet buka. Zakonisht përdoret qesja plastike, e cila nuk konsiderohet shumë higjienike, ndërkohë që këshillohet përdorimi i ambalazheve të letrës, e cila nuk bëhet shkak për krijimin e avujve të ujit.

Çmimet e drithërave në vendin tonë dhe në bursa në vitet 2008-2009

1. 6000 lekë kv i miellit në fillim të vitit 2008
2. 4500 lekë kv i miellit në fillim të vitit 2009
3. 500 dollarë për ton çmimi i grurit në fillim të vitit 2008
4. 300 dollarë për ton çmimi i grurit në fillim të vitit 2009
5. 70 deri 80 lekë çmimi i bukës për të dyja periudhat në Shqipëri

6 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›