E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimi i Bankës Botërore, zbardhet përgjigjja e zyrës së Malltezit

Në përgjigjen e zyrës u mohua çdo lidhje e ndërtimorëve me projektin. Arsyetimi ishte se zyra nuk kishte projekt të gatshëm në kohën e shkatërrimeve

Habjon Hasani

Tiranë - Zbardhet përgjigjja që zyra e Jamarbër Malltezit i ka dërguar Bankës Botërore lidhur me hetimin e saj mbi shkatërrimet në Jalë. Duke iu përgjigjur interesit të Panelit lidhur me qëndrimin e kësaj zyre, kjo e fundit ka mohuar çdo lidhje të shkatërrimit të ndërtesave në Jalë me projektin, duke arsyetuar se “gjatë periudhës që u kryen këto shkatërrime, zyra e projektit ende nuk kishte të përcaktuar asnjë variant të piketuar mbi këto zona. Për pasojë, këto aksione nuk mund të kishin lidhje me projektin. Ky aksion është filluar që në vitin 2001, kur u vendos prishja e ndërtimeve pa leje dhe formalizimi i tij në Jalë është konkretizim i këtij aksioni të iniciuar në vitin 2001 dhe aspak një plan i projektit”, - mësohet të jetë përgjigjur zyra e Malltezit, e cila, gjatë gjithë shpjegimit të saj lidhur me shkatërrimet në Jalë ka përmendur vetëm fazat në të cilat është zhvilluar projekti, por pa hyrë në detaje të planifikimit të këtij projekti. Sikundër u evidentua edhe në media, rezultoi se që në vitin 2006 zona e Jalës ishte përcaktuar nga projekti, madje diheshin shumë detaje të hoteleve dhe resorteve që ishin planifikuar të ndërtoheshin aty.
Banka
Me gjithë arsyetimet dhe shpjegimet e zyrës së Malltezit, Banka Botërore gjeti të tjera fakte dhe të dhëna, që e nxorën pikërisht këtë zyrë si të lidhur direkt me shkatërrimet. Paneli zbuloi se vendimi i fillimit për të mos zbatuar Direktivën OP/BP 4.12 në fazën decizive të vlerësimit ishte zanafilla që shkaktoi përdorimin pa kujdes të menaxhimit në prishjet e Jalës. Kjo dhe dështimi i ruajtjes me kujdes të projektit përmes një marrëveshjeje me qeverinë për të ndërprerë prishjet në zonën e projektit shkaktuan konsekuenca për popullatën që prekej dhe për reputacionin e Bankës. Bazuar në analizat e mëparshme, Paneli zbuloi që jo vetëm gjatë hartimit të projektit dhe vlerësimit të tij, por gjithashtu edhe gjatë implementimit të projektit, Banka falimentoi për të përmbushur detyrimin e OP/BP 4.12 të “Involuntary Resettlement”. Në mendimin e Panelit, dështimi i ndjekjes së këtyre politikave e la Bankën në një situatë të paqartë. Banka duhet të përdorte prishjet në Jalë për të riekzaminuar me qeverinë e Shqipërisë gjithë sjelljen e projektit me prishjet dhe ta konsideronte aplikimin e direktivës së Bankës për këtë projekt që në momentin që ky rregull parashikon vlerat bazike që Banka mund të përdorë në rastin e prishjeve për njerëzit që jetojnë në zonën e projektit.
Malltezi
Lidhur me koordinatorin e projektit, Banka Botërore është shprehur: “Koordinatori i projektit (Jamarbër Malltezi, dhëndri i kryeministrit Sali Berisha), është i njohur në rrjetet administrative në Shqipëri. Ai është përshkruar shpesh në shtypin vendas për të dyja, edhe në rolin e tij si koordinator i projektit të Bankës, por edhe si një pjesëtar i familjes së një prej zyrtarëve më të lartë që drejton qeverinë në vend”. Sipas të dhënave rezultoi se në përgjigje të letrës së kreut të zyrës së koordinimit të projektit, vetëm dy javë më vonë, në 10 prill 2007, Policia Ndërtimore dërgoi një letër në adresë të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, te koordinatori i projektit dhe një te këshilltari i ministrit. Letra-përgjigje evidentonte një numër ndërtimesh pa leje të identifikuara nga një grup pune që ishte ngritur në Policinë Ndërtimore menjëherë pasi morën letrën e koordinatorit të projektit. Kjo përfshinte 16 ndërtime pa leje në Jalë.

Shkeljet e konstatuara, Banka ndërpreu kredinë
Banka Botërore ka pezulluar përkohësisht, që prej 9 janarit të këtij viti, disbursimin e kredisë për Projektin e Menaxhimit të Integruar të Zonës Bregdetare dhe Pastrimit të saj. Nëpërmjet një deklarate të djeshme për shtyp, ky institucion ka sqaruar se shkak i këtij vendimi janë bërë “disa çështje specifike shumë të rëndësishme të politikave dhe atyre operacionale, që lidhen me zbatimin e projektit, veçanërisht marrëdhënia mes përpjekjeve të qeverisë për të kontrolluar ndërtimet e paligjshme përgjatë bregdetit të Jugut dhe aktiviteteve që lidhen me planifikimin e përdorimit të tokës të mbështetura nga projekti”. Në deklaratën e Bankës Botërore bëhet gjithashtu e ditur, përmes një gjuhe të drejtpërdrejtë, se “për momentin mund të themi se janë bërë gabime në projekt dhe se po merren aktivisht në konsideratë mënyrat e trajtimit të dëmit të mundshëm të atyre që janë prekur”. Në kuadër të këtij projekti, ky institucion, pasi shpreh mandej shqetësimin për gabimet e bëra nga grupi i menaxherëve dhe stafi, vë në dukje se “në përputhje me procedurat e brendshme, Banka është duke shqyrtuar veprimet e stafit të vet”. Madje, Banka paralajmëron se “nëse do të jetë e nevojshme, do të marrë edhe masat e duhura”.

Banka Botërore në Tiranë dhe projektet e dyshimta
Projektet e Bankës Botërore nuk kanë qenë kurrë objekt i punës së Prokurorisë shqiptare. Megjithatë, ky fakt nuk e ka penguar median që herë pas here, në harkun e 10 viteve të fundit, të ngrejë pikëpyetje lidhur me disa projekte miliardere që kjo Bankë i ka zhvilluar në bashkëpunim me qeveritë shqiptare. Shumë ish-zyrtarë të ministrive kanë pohuar “nën zë” para gazetarëve se shumë projekte të iniciuara dhe të financuara nga Banka Botërore në Shqipëri kanë pikëpyetje të mëdha. Megjithatë, deri këtu ka mundur të shkojë filli i gjithçkaje. Ndjeshmëria ndaj fatit të këtyre projekteve u bë më e prekshme rreth katër vite më parë, në vitin 2005, kur vetë filiali i Bankës Botërore në Tiranë, nëpërmjet një zyre të tij, penalizoi disa firma shqiptare që kjo Bankë i kishte pajtuar për një projekt prej 140 milionë dollarësh për kanalizimet në bujqësi. Megjithëse realizimi i këtij projekti linte shumë për të dëshiruar, në fund të historisë u penalizuan vetëm disa kontraktorë privatë, por asnjë zyrtar i BB-së apo i zyrave qeveritare shqiptare, që si rregull mbanin përgjegjësi për mbarëvajtjen e projektit. Ky është rasti i parë ku BB-ja vendosi sanksione të rrepta kundër firmave shqiptare dhe dënoi në mënyrë të hapur korrupsionin dhe mashtrimin nëpërmjet tenderave. Banka Botërore lajmëroi asokohe për përjashtimin e pesë individëve dhe 6 firmave për bashkëpunim në praktikat e ofertave që kanë pasur në lidhje me projektin e financuar nga Banka Botërore për rehabilitimin e sektorit të ujësjellësve në Shqipëri.

Inspektori i Jalës hetoi dhe ish-presidentin e Bankës Botërore

Një nga inspektorët e Panelit Hetimor të Bankës Botërore që investigoi skandalin e Jalës ka qenë pjesë e stafit të ekspertëve që hetuan dhe vetë presidentin e këtij institucioni të fuqishëm në vitin 2007. Ndërsa në prill të vitit 2007, në fshatin Jalë, Policia Ndërtimore po kryente shkatërrimin e banesave në mënyrë selektive, Eduardo Abot, konsulent i Panelit Hetimor të Bankës Botërore, së bashku me pesë kolegë të tij, po përgatitnin raportin përfundimtar lidhur me “favorizimin e ekzagjeruar që presidenti i Bankës Botërore, Pol Uollfoviç, i kishte bërë një mikeshës së tij, punonjëse të Bankës, duke i shtatëfishuar rrogën”. Ky raport iu dorëzua Bordit Drejtues të këtij institucioni, ndërsa Uollfoviç dha dorëheqjen nga posti i tij (më i rëndësishmi i mundshëm në BB), duke pranuar abuzivitetin e këtij veprimi të tij publikisht. Eduardo Abot ishte gjithashtu në Tiranë më 21-25 shtator të vitit 2007 (vetëm pak kohë pasi presidenti Uollfoviç dha dorëheqjen) së bashku me dy kolegë të tij, Uerner Keine (kryeinspektor i Panelit) dhe Dilek Barlas (inspektore e Panelit), për të verifikuar nëse kishte të dhëna të duhura për të ndezur një hetim nga ana e tyre lidhur me shkatërrimet e shtëpive në Jalë.
Në prill të vitit 2007 drejtuesit e Bankës Botërore premtuan një vendim të shpejtë lidhur me fatin e presidentit të Bankës, Pol Uollfoviç, ndërkohë që punonjësit e këtij institucioni shprehën zemërim rreth një skandali favorizimi ku ishte përfshirë ai. Bordi i Drejtorëve të Bankës tha asokohe se komisioni i tij i etikës nuk e kishte shqyrtuar një rekomandim të bërë nga zoti Pol Uollfoviç dy vjet më parë për t’i rritur pagën një ish-punonjëseje të Bankës, e cila ishte mikesha e tij.

6 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›