E Diel, 1 Nëntor 2026

Buxheti i Bashkisë. Bllokohen fondet, në pritje të firmës të Dervishajt dhe Keçit

Institucioni i Prefekturës pret dokumentin zyrtar të buxhetit. Keçi: ”Dorëzimi i dokumentit duhet të bëhet brenda 7 ditësh nga dita e votimit”

Emanuela Sako

Buxheti i Bashkisë së Tiranës nuk mund të lëvrojë fondet deri në momentin e marrjes së dy firmave kryesore. Pas miratimit të buxhetit në seancën e së martës, pritet firma e kryetarit të Këshillit Bashkiak Sokol Dervishaj dhe Prefektit të Qarkut të Tiranës, Ruzhdi Keçi, për t’i hapur rrugë investimeve që janë parashikuar të bëhen nëpërmjet buxhetit të 2009-s. Procedurat e ngadalësuara dhe mosfirmosja nga ana e kryetarit Dervishaj po bëhen një pengesë për fillimin e zbatimeve të projekteve të mëdha për kryeqytetin. Prefekti i Qarkut të Tiranës deklaroi se është në pritje të dorëzimit të dokumentacionit dhe më pas do të bëhen shqyrtimet përkatëse. Afati i dorëzimit të dokumentit zyrtar parashikon deri në shtatë ditë nga koha e votimit.
Deklarata
Nga dita e votimit të buxhetit të Tiranës nuk është kryer ende asnjë procedurë ligjore për t’i hapur rrugë lëvrimit të fondeve të parashikuara. Ndërsa Prefekti i Tiranës sqaron procedurat ligjore në të cilat duhet të kalojë ky buxhet. Keçi u shpreh se buxheti i Bashkisë së Tiranës nuk mund të hyjë në funksion dhe nuk mund të bëhet as një veprim me të pa kaluar në duart e prefektit, i cili duhet të shikojë bazueshmërinë ligjore dhe pastaj të nënshkruajë. Ai theksoi se institucioni i Prefekturës pret dokumentin zyrtar të buxhetit, i cili duhet të vijë nga vetë kryetari i Këshillit Bashkiak. Gjithashtu, ai vë në dijeni se afati kohor, kur ky dokument zyrtar i buxhetit të Tiranës duhet të kalojë në Prefekturë, është deri në shtatë ditë nga dita e votimit. Por deri tani në Prefekturë nuk është bërë asnjë dorëzim i dokumentit dhe nuk u është komunikuar asnjë ditë për marrjen e tij.
Debatet
Buxheti u miratua katër ditë më parë, me 29 vota pro, nga të cilat 22 janë dhënë nga anëtarët socialistë dhe të PSD-së dhe 7 vota të tjera nga partitë e vogla. Votimi është shpallur i vlefshëm nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, ndërsa ka hasur në kundërshtimin e kryetarit të Këshillit Bashkiak, i cili e ka konsideruar të pavlefshëm votimin. Kreu i Bashkisë e ka cilësuar si një sulm politik për të penguar zhvillimin e kryeqytetit dhe punën e Bashkisë. Për Ramën, kjo është një aleancë mes kryeministrit Sali Berisha dhe Ilir Metës. Njëkohësisht, ai ka kërkuar që LSI-ja të tërhiqet nga kontestimet, pasi tashmë gjithçka ka përfunduar, dhe t’u hapë rrugë punëve që duhet të bëhen nëpërmjet buxhetit nga Bashkia e Tiranës.

6 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›