E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekretari i Këshillit, Gjonaj: ”Procesi i votimit, i rregullt”



Pro votimit të buxhetit të Bashkisë së Tiranës është prononcuar edhe njëri nga këshilltarët që mori pjesë në numërimin e votave në sallë. Sekretari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Vladimir Gjonaj, e quan të rregullt procesin e votimit të projektbuxhetit të Bashkisë katër ditë më parë. Ai shprehet se numërimi i votave është bërë nga sekretaria dhe dokumentacioni i është dorëzuar menjëherë kryetarit të Këshillit Bashkiak. Sipas tij, në votim morën pjesë 53 anëtarë nga 55 të tillë që ka Këshilli, nga të cilët 29 votuan pro buxhetit. Ai e konsideron si diçka të çuditshme shpalljen e votimit të parregullt nga kryetari Dervishaj. “Në votim morën pjesë 53 këshilltarë dhe 29 votuan pro miratimit. E theksoj, 29 këshilltarë votuan pro miratimit të buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2009. Unë dhe sekretaria, pas numërimit si zakonisht, i raportuam rezultatin kryetarit të Këshillit për të bërë shpalljen e vendimit të marrë nga Këshilli. Fillimisht, rezultati u pranua nga kryetari i Këshillit Bashkiak. Madje, pasi u verifikua dhe nga ai vetë. Vetëm pak më pas kryetari i Këshillit shpalli çuditërisht parregullsinë e votimit”, - deklaroi Vladimir Gjonaj.
Ai sqaroi procedurat ligjore në të cilat duhet të kalojë buxheti për të marrë formën e tij përfundimtare. Sipas Gjonajt, pritet vetëm firma e kryetarit të Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishaj. Këtij të fundit i është dhënë materiali i plotë për buxhetin, për të cilin duhet të firmosë. “Në konformitet të plotë me ligjin dhe rregulloren e funksionimit, Zyra e Këshillit Bashkiak ka përfunduar punën e saj për këtë mbledhje duke bërë zbardhje të materialit të buxhetit të miratuar për vitin 2009 të cilit ia ka vënë në dispozicion për firmë kryetarit të Këshillit Bashkiak”, - theksoi sekretari i Këshillit Bashkiak. Dy ditë më parë, Dervishaj deklaroi se votimi ishte i pavlefshëm dhe se palët duhet të uleshin për të negociuar edhe një herë pikat më të kontestueshme.

6 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›