E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Bode flet përçart



Fiqiri Xibri*

Është hera e dytë që shkrimet e mikut tim të vjetër Luftim Ahmetaj, me të cilin ndajmë një shumicë bindjesh, idealesh dhe këndvështrimesh, megjithëse më kënaqin si nga ana emocionale, ashtu edhe estetikisht, më gicilojnë ta replikoj aty-këtu. Në numrin e djeshëm të kësaj gazete ishte botuar shkrimi i z. Ahmetaj me titull “Pse nuk ka të drejtë ministri Bode?”. Rastësi e këndshme, pasi edhe unë kisha filluar një shkrim me të njëjtën temë si z. Ahmetaj. Madje, me një titull të ngjashëm, veçse dua të jem pak më agresiv në shkrimin tim dhe në vend që ta klasifikoj të shumënderuarin ministër të Financave, Bode, me cilësorin mjaft bujëmadh “kamikaz”.

Kuptohet, nuk kam pse ta dubloj shkrimin e zotit Luftim derisa tema dhe mënyra e shtjellimit ishin po ato. Por nga ana tjetër pata sakaq dëshirën ta replikoj. Konstatimet e bëra ishin një zë që, ndryshe nga një mori zërash të tjerë, nuk vinte nga oponenca e gazetarëve, por nga oponenca reaguese e “grupit të interesit të minatorëve”; një zë që sillte më shumë shpirt dhe realizëm; sillte ato ndjenja dhe atë mllef qytetar kundër së keqes, të cilat ai i pati përgjatë kthesës historike të ‘90-‘91-shit, kur ai u angazhua me tepër vrull e vendosshmëri në iniciimin dhe dhënien jetë të sindikalizmit të ri shqiptar.
E, megjithatë, nuk jam dakord me të.
Ca si butë kishe goditur miku im, butë..! Derri nuk do saçme turtulli, por do kokrrën e plumbit. Jo në tule, por në mes të ballit e do…
Pavarësisht se i mjeri Bode thjesht kamikazin e Berishës bëri, pasi nga vetja e tij vetëm injorancën personale shpalosi. Nuk është hera e parë që bën bedelin e Berishës, kur ky i fundit nuk do t’i kryejë vetë ato punë të fëlliqura, që e armiqësojnë me njerëzit. Do të përmendja si shembull rastin kur gjatë grevës së urisë, të kryer nga minatorët në qershor të 2008-s, ministri i Ekonomisë, zoti Ruli, që mbulon në të njëjtën kohë përkatësisht edhe minierat, priti një përfaqësi të minatorëve, të cilëve me plot gojën u tha se kërkesat e tyre (të Statusit të Minatorit) janë të drejta dhe plotësisht të realizueshme...
“Bravo”, - thamë ne, minatorët, të entuziazmuar nga i vetmi ministër, që të paktën, përsa na përkiste ne minatorëve, po e komandonte vetë ministrinë e vet. Mirëpo meqë ministrit Ruli i shpëtoi gjithë ky det fjalësh të drejta për minatorët, ama pa lejen e Berishës dhe në kundërshtim me qëmtimet e fshehta qëllimzeza të këtij, pa u mbushur ende 24 orë, “bedelkamikazi” Bode doli dhe e sulmoi Rulin në media. Dhe sigurisht që ministri Ruli, të cilit duhet pa dyshim t’ia njohim mjeshtërinë që ka për ta mbajtur Berishën aq larg sa duhet nga punërat e veta interesante, nuk kishte pse prishte qejf me Berishën për hatër të minatorëve. Pra, e qepi gojën dhe na la në baltë.
Të them të drejtën, mishtë më rrëqethej teksa shihja se si “Bodekamikazi” spitullohej si gjeli majë plehut, teksa kumtonte verdiktin e të gjithëpushtetshmit Berisha për dënimin e minatorëve me varje në mungesë. Cilësoj në mungesë, sepse jo vetëm futja e votimit të Statusit të Minatorët u bë papritur në një seancë kuvendore klandestine, por pa kurrfarë ballafaqimi paraprak me minatorët.
Si mundet vallë një njeri (Berisha) të jetë kaq mosmirënjohës, kaq shpirtlig, kaq i paskrupullt, kaq i etur për të bërë trimoshin duke shkelur me këmbë minatorët, këtë shtresë që me sakrificat e veta dhe me kontributet e veta të larta në ekonominë kombëtare meriton shumë më tepër sesa respekt; meriton shumë më tepër sesa kërkon me modestinë e vet dhe dukshëm më tepër sesa ligji ia jep, por që nuk ua jep Maliqi, alias Berisha?!
Si mundet vallë një goxha ministër i Financave të shtetit të zvarritet kaq turiulur, saqë pranon të bëjë xhelatin e inkuizitorit Berisha?! Kaq të zezë e ka dosjen ky skllav?! Megjithëse nuk ia vlen të flasim për Boden, derisa e dimë mirëfilli se ky “bedelkamikaz” thjesht tellallin bëri, pasi pallavrat që Bode qurrollosi dhe predhat e kartonëve parlamentarë qenë të Berishës.
Ky njeri (flas për Berishën) aq është i çimentuar në ligësinë e tij, sa nuk gjen barazim; madje as me Jagon apo qoftë me Makiavelin. Pas ngërdheshjeve të tij mediatike, skërmitet vetë satanai. Talenti, pasioni dhe qëllimi i tij nuk është ndërtimi, por “shkatërrimi” në të gjithë kuptimin e fjalës. E mbi gjithçka tjetër, ai synon me çdo mjet të shkatërrojë cilësinë më të vyer që kanë njerëzit, aftësinë për të bashkëjetuar dhe për t’u dhënë zgjidhje problemeve në bashkësi. Mjeti (kupto poshtërsia) më efikase që ka përdorur është diversioni brenda bashkësisë.
Me forma nga më të ndryshmet të diversionit, ai asfiksoi sindikatat, sikterrisi të përndjekurit, hallakati ish-pronarët, demontoi konkurrencën e brendshme, përçau të majtën. Po, nëse të gjitha këto mund të justifikohen disi me marrëzinë e pashpjegueshme që kanë disa monstra për pushtet të pakufizuar, tani po konkurron vendosmërisht me vetë satanain. Ai po u bën diversion shtresave të popullsisë me njëra-tjetrën. Tellalli i tij “bedelkamikaz”, Bode shpirthumburi, i kumtoi popullit shqiptar nga parlamenti se ne minatorët nuk qenkemi shtresa më e vuajtur dhe më e diskriminuar e Shqipërisë, nuk qenkemi shtresa më prodhimtare dhe më modeste e shoqërisë, por qenkemi ca të përkëdhelur sherrmëdhenj; që kërkokemi privilegje të jashtëzakonshme; që deformokemi nevojën për një shoqëri të barabartë, eficiente dhe të drejtë; që dëmtokemi paqen sociale duke kërkuar disbalanca mes grupeve shoqërore; madje, ne arritkemi deri atje sa të përbaltim kategori të tjera shoqërore !!!...
Edhe ne, popullit fukara, kërkon të na bëjë diversion dhe të na ndërsejë në mes tonë për të çapëlyer njëri-tjetrin ky i fandaksur?!.
Që ky njeri (epo kryeministri pra) është armik i betuar i minatorëve, kjo tashmë ka dalë sheshit. Dikur shtirej sikur gjoja e vlerësonte shumë kontributin e paçmueshëm të minatorëve në vendosjen e demokracisë, ndërsa nga pas shpinës u ngulte thikën minatorëve duke shfrytëzuar pa asnjë skrupull spiunët e sigurimit, që dhelpra e pushtetit komunist Alia nuk ia la trashëgim të vetëve, por këtij.
Teksa mes vorbullës anarkike të marrëzisë së madhështisë të shembjes së komunizmit ndërsente fshatarët e rraskapitur për të braktisur arat dhe injorancën për të shkulur nga rrënjët frutikulturën, ai vetë dirigjonte qeverisjen kukull në vetëvrasjen kombëtare të terapisë së shokut. Minierat u mbyllën duke u asgjësuar brenda tyre miliarda dollarë investime.
Minatorët u flakën si limonë të shtrydhur. Të mbetur rrugëve, të tradhtuar nga “Xhivola” i tyre Gëzim Kalaja; të braktisur nga qeveria e të harruar nga shoqëria, pa bukë dhe pa dinjitet, kush mundi iku maleve dhe kaptoi për një copë bukë në Greqi, se dinjitetin që i mohoi Berisha nuk kishte si ta gjente te racizmi grek. Kush mundi ndër ata që mbetën u përpoq të zinte ndonjë punë në të zezë sa për të mbajtur shpirtin gjallë. Po prapë mbetën shumë minatorë syresh me sytë nga qielli dhe me gishtin në gojë…
Në këtë përbaltje të minatorëve nuk mbetën pas as qeveritë socialiste, të cilave Xhivola Kalaja ia shiti minatorët po aq lirë sa edhe Berishës duke fundosur përfundimisht minatorët e pambrojtur. Zullumi arriti kulmin kur me ligjin antikushtetues për trajtimin e veçantë, minatorëve iu hodhën ca kothere të thata, duke shkaktuar të njëjtin efekt siç shkakton një dorë misër në një tufë 100-krerëshe pulash të uritura dhe si haraç për këtë palaçollëk me brirë vijoi ekzekutimi përfundimtar i minatorëve duke ia rritur moshën e pensionit nga 50 në 65 vjeç.
“Koha për ndryshim” ishte slogani zgjedhor 2005 i Berishës, që u pëllit me daulle lëkurëqeni dhe që në mungesë të planeve konkrete për zgjidhjen e problemeve profetizonte “vullnetin e mirë” dhe “vendosmërinë” për zgjidhje të ligjshme, të moralshme dhe përfundimtare. Porse të fortlakuarit “vullnet i mirë” dhe “vendosmëri” rezultuan hipokrizi e gjallë dhe mashtrim i pastër. Berisha iu kthye akoma më vendosmërisht shndërrimit të qeverisjes në kupolë të pushtetit ekonomik dhe politik për vete, familjen dhe klanet sahanlëpirëse të oborrtarëve duke i mbyllur dyert, dritaret dhe çdo të çarë tjetër për kërkesat sociale duke arritur deri në armiqësi të hapët ndaj minatorëve dhe kërkesave të tyre.
Kërkesat dashamirëse të minatorëve u përballën me heshtjen antikushtetuese të qeverisë, protestat e shumta të minatorëve në Tiranë dhe në 14 qytete të tjera e gjetën Berishën në bunkerë të blinduar duke thurur skenarë të pështirë me Xhivolan, duke hedhur në sulm potencialet e pushtetit për të sabotuar organizimin e minatorëve. Deri në aktin final të linçimit me kartonë parlamenti. Justifikime nuk mund të ketë, pallavrat monolog të Bode mjeranit nuk mbulojnë dot ligësinë e Berishës. Diversionet e pështira të këtij mund t’i japin rezultat në luftën brenda llojit, por jo të shtyjnë në kacafytje shtresat e popullsisë me njëra-tjetrën. Aq më tepër kur kërkohet të ndërsehen hallexhinjtë e tjerë kundër minatorëve.
Vështirë se ka familje në Shqipëri, që, edhe në mos kanë pasur një anëtar të dashur të familjes me punë në minierë, një kushëri, një shok, një komshi do ta kenë pasur. Pra, të gjithë kanë dije mbi punën e vështirë të minatorit, mbi rreziqet e shumta të jetës së tij, mbi sëmundjet po aq jetëkërcënuese që fitohen nga puna në miniera. Vështirë se ka njerëz që nuk e dinë se për këto arsye madhore rrogat më të mira, pushimet vjetore më të gjata, pensionet më të larta e plot privilegje të tjera, ishin në radhë të parë për minatorët. Dhe të gjithë e dinë se sot këto të drejta minatorëve u janë mohuar si pasojë e papërgjegjshmërisë dhe makutërisë së ndoca politikanucëve. Të ndërsesh popullin kundër minatorëve, të cilët kërkojnë vetëm dhe vetëm atë që është e drejtë, e moralshme, e ligjshme dhe vetëm minimalja e asaj që na takon nga kontributi ynë i derdhur, është nga njëra anë satanike, por nga ana tjetër praktikisht e pamundur, sepse nuk mund të ndërsehet kërkush për të kafshuar vetveten.
Çfarë do të mbjellësh, atë edhe do të korrësh. Ky njeri (gjithmonë për Berishën e kam fjalën) na shpalli ne, minatorët, armiq dhe na hapi luftë. Kjo është fitorja jonë. Sepse tani ai e provoi përfundimisht ligësinë dhe armiqësinë e tij ndaj nesh. Dhe ne e pranojmë sfidën. Luftë deshi, luftë do të ketë. Berisha është një Jago intrigant, një Makiavel diversionist, por kurrsesi një politikan i përmasave të kohës. Ne, minatorët, nuk kemi ç’të humbasim më, ne jemi sot ashtu si tajfuni “Obama”, sepse ne guxojmë të shpresojmë. Lufta për ne sapo ka nisur, ndërsa për Berishën ajo ka përfunduar. Ai sot humbi jo vetëm zgjedhjet e qershorit, por ashtu si paraleli i tij Nano humbi PS-në, edhe ky humb së shpejti PD-në.
Modernizimi i koncepteve të së majtës na vjen bukuri për shtat. Politika e Re na ngroh dhe reformimi i politikës sociale na jep energji. Por ajo që na jep garanci është liria, çlirimi ynë nga vargonjtë e idesë fikse se në Shqipëri demokracia duhej kërkuar te Partia Demokratike, kur edhe vetë kjo parti nuk njihte e nuk njeh kurrfarë demokracie, pasi është sunduar e sundohet ende nga diktati i një njeriu të marrosur pas pushtetit.
Minatorët ishin përkrahja vendimtare që e sollën në pushtet atëherë me greva, minatorët do të jenë faktori vendimtar që do ta rrëzojnë nga pushteti më 28 qershor me votën e tyre të lirë. Asaj nuk i fshihet dot, atë nuk e manipulon dot. Vota jonë e ka emrin “Status Minatori”, ndërsa mbi varrin e tij politik do të gdhendet epitafi: “Siç e kërkoi, ashtu e gjeti. Mirë iu bë !”
---------------
* Autori i shkrimit është një nga drejtuesit e lëvizjes sindikaliste “Janar “91” dhe reagon pas rrëzimit në Kuvend të “Statusit të minatorit”

6 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›